Pyetje: Flokët kur qethen për fëmijën e sapo lindur, është vetëm për meshkujt apo edhe për femrat? Se kemi dëgjuar që është vetëm për femrat. Allahu ju ahpërbleftë.
Përgjigje:
Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, familjen e tij të nderuar, shokët e tij besnik dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në ditën e gjykimit.
I nderuar pyetës! Padyshin se Islami si feja e zgjedhur nga Allahu për njerëzimin mbarë, ka shtjelluar çdo gjë të dobishme për njeriun, që nga momenti që ai vjen në jetë, e deri në momentin që ai largohet prej saj, kështuqë në këtë kontekst, Islami ka shtjelluar gjërat që duhen kryer edhe me foshjen e porsa lindur.
Përcillet nga Semure -Allahu qoftë i knaqur prej tij-, se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Çdo fëmijë është peng e akikës së tij, pritet akika për të në ditën e shtatë, po në atë ditë i vëndohet emri, si dhe në këtë ditë i rruhen flokët”. Hadithin e transmeton imam Tirmidhiu, dhe shejh Albani e ka vlerësuar si hadith të saktë.
Ky hadith na bën me dije se kur lind foshnja, prindërit kryhejnë disa veprime, prej tyre: presin për të kurban, nëse foshnja është mashkull presin dy kurbanë, dhe nëse është vajzë presin një. Ndërsa në ditën e shtatë i vendosin emrin dhe i rruajnë flokët, të cilat i peshojnë dhe në bazë të gramëve të tyre nxjerrrin dhe sadakanë.
Këtu vjen dhe pyetja juaj me të drejtë: flokët i qethen vetëm foshnjëve djem, apo dhe vajzave?
Në fakt dijetarët e fikhut, nuk janë të një mendimi rreth kësaj çështje, dijetarët Maliki dhe Shafi, janë të mendimit se flokët i rruhen foshnjave meshkuj dhe femra, dhe ata janë bazuar mbi hadithin e përmendur më lart, por edhe trasmetime të tjera, të cilat në fakt nuk janë pjesë e haditheve të sakta. Prej këtyre është dhe një hadith që e përmend Imam Maliku dhe Bejhakiu nga Muhamed bin Alij bin Husejn se ka thënë: “Fatimja (bija e Profetit) i peshoi flokët e Hasanit, Husejnit, Zejnebes dhe Umu Kulthumit, dhe dha sadaka peshën e tyre argjend”. Ky hadith është vlerësuar si mursel([1]) dhe nuk shërben si argumentim
Ndërsa Hanbelitë, janë të mendimit se flokët i hiqen vetëm foshnjës mashkull, ndërsa vajzat nuk bëjnë pjesë në këtë urdhër, duke u bazuar në hadithet e përgjithshme në të cilat ndalohet rruajtja e flokëve për femrat, por janë bazuar edhe në fjalën e të Dërguarit të Allahut salallahu alejhi ue selem, i cili kur i lindi Fatimes Haseni, i tha: “Qethjani kokën dhe jepni sadaka sa vlera e argjendit për flokët e tij e më pas shpërndajani atë pasuri të varfërve”. Ndërsa unë i mata flokët e tij (Hasenit) të cilat peshonin 2 gr. ose disa gr. Transmeton Ahmedi, Taberaniu në “El-Kebir”, Bejhakiu në sunenin e tij. Shejh Albani e ka vlerësuar si të mirë këtë hadith në librin “Irvaul Galil”.
Duke u bazuar nga sa përmendëm më lartë, mendojmë se urdhëri për qethjen e flokëve, përfshin vetëm foshnjet meshkuj, dhe vajzat nuk hynë dhe nuk bëjnë pjesë në këtë dispozitë.
Allahu e din më së miri.
([1]) Mursel, quhen hadithet në zinxhirit e të cilave nuk gjendet sahabi, pra ai është një hadith që e përcjell dikush prej tabiinëve (nxënësit e sahabeve) direct nga Profeti, pa përmendur sahabin i cili e përcjell nga Profeti. Dijetarët i konsiderojnë hadithet mursel si të dobët.
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH