Fikhu i Da’vetit: Ndërmjet Detyrës dhe Rezultatit

Lidhja e Hoxhallarëve
9 minuta lexim

​Thirrja për tek Allahu (da’veti) është një lëvizje e gjallë, ku gërshetohen mendjet, përqafohen zemrat dhe ndërveprojnë rrethanat. Ajo rregullohet nga ligje hyjnore e strikte, të cilat burojnë nga sinqeriteti i të brendshmes (shpirtërores) për të ndryshuar pamjen e jashtme. Da’veti nuk është thjesht një sllogan që shqiptohet nga një gjuhë për t’u kapur nga një vesh, dhe as një mall i thjeshtë që kalon në një vijë e drejtë nga ligjëruesi te dëgjuesi.

​Shpallja e Urtë (Kurani) vendosi bazat e kësaj ndërtese madhështore kur Allahu i Lartësuar dekretoi:

​“Thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe këshillë të mirë!” [En-Nahl: 125].

​Urtësia këtu nuk është një kufizim vetëm për fjalën e thënë, por është një kuptim gjithëpërfshirës për vetë fjalimin dhe atë që po adresohet (publikun), si dhe një largpamësi e vetëdije për kohën, rrethanat dhe kontekstin.

​Ky proces i madh përbëhet nga tre shtylla kryesore, ku në krye të tyre qëndron:

​1. Thirrësi

​Ai, në të vërtetë, nuk është thjesht një autoparlant që përcjell mesazhin me ftohtësi dhe neutralitet; ai është kryefjala, por është edhe kallëzuesi, ai është pika e parë e ndikimit dhe fundi i tij. Fjalimi i tij nuk e merr fuqinë nga ëmbëlsia e zërit apo e retorikës, por nga pastërtia e mbjelljes së kësaj vlere në shpirtin e tij në radhë të parë, dhe nga sjellja e tij e mirë e bashkëjetesa me të thirrurit në radhë të dytë.

​Prandaj, Kurani i qortoi ata që harrojnë botën e tyre të brendshme, duke thënë:

​“A po i urdhëroni njerëzit për mirësi, e po e harroni veten tuaj?!” [El-Bekare: 44].

​Nëse fjala mbillet në një zemër të zbrazët nga e vërteta e saj, ajo lind e vdekur, pa shpirt dhe pa asnjë vlerë. Për këtë rrugë, Profeti ﷺ dha një shembull që drithëron ndërgjegjen, kur tha: ​“Shembulli i atij që u mëson njerëzve të mirën, por harron veten e tij, është si shembulli i fitilit (të qiririt) që ndriçon për njerëzit, por djeg veten e tij.” [Sahih el-Xhami’].

​Ndikimi asnjëherë nuk ka ardhur nga shkathtësia e thjeshtë e fjalës, i zhveshur nga sinqeriteti i gjendjes shpirtërore. Udha e të Dërguarit ﷺ dhe sjellja e tij me shokët e tij ishin më ndikuese se hytbet e tij, sepse ai ishte “një Kuran që ecën mbi tokë”.

​Më pas, vëmendja kthehet te shtylla e dytë:

 

​2. I Thirruri (atij që i drejtohet thirrja)

​Ne gabojmë rëndë nëse mendojmë se ai është një tokë e shpëlarë dhe e zbrazët ku mund t’i hedhim farat si të duam. Përkundrazi, njeriu është një strukturë humane tejet komplekse, e ndërthurur me ndjenja, përvoja dhe qëllime të ndryshme.

​Kurani e rregulloi mënyrën e trajtimit të këtij kompleksiteti njerëzor duke vendosur kufijtë e tij: ​“Andaj përkujto, se vërtet ti je vetëm përkujtues, ti nuk je mbi ta imponues!” [El-Gashije: 21-22].

​Kështu, Kurani e përcaktoi detyrën si “përkujtim” dhe ndaloi shtypjen apo dhunën (për t’i detyruar të besojnë). Kështjellat njerëzore nuk pushtohen me forcë dhe dyert e tyre nuk shkulen me dhunë; botërat e tyre të brendshme bëhen për vete vetëm me butësi.

​Nga kjo dritare e këtij kuptimi, Profeti ﷺ ka thënë:

​“Vërtet, ju jeni dërguar si lehtësues dhe nuk jeni dërguar si vështirësues.”

​Lehtësimi këtu nuk është thjesht një truk stilistik, por është thellësia e njohjes mbi shpirtin njerëzor, natyra e të cilit zmbrapset nga dhuna dhe qetësohet me butësinë. Sa e vërtetë është thënia profetike: “Nuk gjendet butësia në asgjë, vetëm se e zbukuron atë”. Kur fjala del nga thellësia e zemrës së thirrësit, ajo bie në thellësinë e zemrës së të thirrurit. Por nëse ajo ndalet te kufijtë e buzëve, nuk do t’i kalojë treguesit e veshëve. Çështja është takim shpirtrash, jo përplasje fjalësh.

​Ndërsa shtylla e tretë është:

 

​3. Skena (Ambienti i Da’vetit)

​Ajo nuk është një teatër i heshtur që thjesht vrojton ngjarjen, por është një aktor shoqëror (social) që imponon logjikën dhe kontekstin e tij me forcë.

 

​Përkujtuesi i Urtë (Kurani) tërhoqi vëmendjen për pushtetin e mjedisit dhe ndikimin e tij në refuzimin e thirrjeve, përmes ajetit:

​“Po ashtu, Ne nuk kemi dërguar para teje në ndonjë qytet asnjë paralajmërues (profet), vetëm se pasanikët (paria) e tij thoshin: ‘Vërtet, ne i gjetëm baballarët tanë në një fe…’” [Ez-Zuhruf: 23].

​Mjedisi mund ta luftojë idenë jo për shkak të ndonjë mangësie në argument, por për shkak të rrënjosjes së zakoneve dhe traditave në tokën e tij. Prej këtu, udhëzimi profetik ishte tejet i kujdesshëm në respektimin e mjediseve; fjalimi i tij në Mekë (e zhytur në shirk) ndryshonte nga fjalimi i tij në Medinë (që po themelonte shtetin). Qëndrimi i tij me një beduin të ashpër nuk ishte i njëjtë me qëndrimin e tij me një njeri të ditur e largpamës.

​Nën dritën e këtij ndërveprimi të mrekullueshëm, shfaqet filozofia e ndikimit në formën e saj më të bukur: një thirrës që ndikon me fuqinë e fjalës dhe sinqeritetin e vetes, një i thirrur që ndikohet sipas shkallës së gatishmërisë së tij, dhe një mjedis që rregullon ritmin e lëvizjes. Më pas, rrota rrotullohet që këta elementë të ndikojnë te njëri-tjetri: thirrësi pasurohet nga kontakti me njerëzit dhe kështu përtërin fjalimin e tij, ndërsa mjedisi ndryshon gradualisht me akumulimin e ndikimit, duke realizuar ligjin e ndryshimit hyjnor: ​“Vërtet, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë atë që kanë në vetvete.” [Er-Ra’d: 11].

​Gjëja më e thellë që duhet të rrënjoset në mendjen e një reformatori është të dijë se ndikimi nuk do të thotë detyrim i mendjeve për të pranuar të vërtetën, por është përgatitje e shpirtit që ajo ta zbulojë atë gradualisht. Për këtë arsye, udhëzimi i suksesit iu mohua madje edhe vetë përsosmërisë së fjalës profetike, kur atij ﷺ iu tha: ​“Vërtet, ti nuk mund ta udhëzosh atë që dëshiron ti.” [El-Kasas: 56].

​Përmes këtij kuptimi të lartë, thirrësi çlirohet nga iluzioni i kontrollit (se mund të kontrollojë njerëzit) dhe nga kompleksi i rezultateve (ankthi se pse nuk po sheh fryte të menjëhershme), duke u kthyer në një shërbyes të sinqertë të parimit, dhe jo një kontrollues i fateve të njerëzve.

​Da’veti në thelbin e tij origjinal nuk është një betejë oratorie dhe përplasje gjuhësh, por është një industri e rëndë për ndërtimin e njeriut. Kjo industri nuk mund të ngrihet pa gërshetimin e tre komponentëve:

​Një sinqeritet që buron nga thirrësi dhe një formim i mirë i tij.

​Një gatishmëri që hapet nga ana e të thirrurit.

​Një fkuptim i thellë i mjedisit dhe i realitetit.

​E gjitha kjo është e rrethuar me suksesin dhe mbështetjen e Allahut. Atëherë, ndikimi shndërrohet nga fjalë kalimtare që tregohen, në të vërteta të gjalla që jetohen; dhe nga përpjekje të shpërndara, në një ndërtim civilizues islam që shtrihet në kohë dhe në hapësirë.

​Dhe Allahu ka urtësinë e Tij në krijesat e Tij.

 

Hasen Abas