Hoxhë: Bledar Haxhiu
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi vulën e Profetëve Muhamedin, familjen e tij të nderuar, shokët e tij besnik dhe të gjithë ata që ecin në rrugën e tyre deri në ditën e gjykimit
Të nderuar muslimanë! Të gjithë ne jemi duke pritur fillimin e një viti të ri shkollor, nesër turmat e nxënësve, të mëdhenj e të vegjël, do të dynden drejtë shkollave. Disa prej tyre do të fillojnë një fazë të re në arsim, ndërsa të tjerë e kanë bërë një rrugëtim të gjatë, sikurse ka dhe të atillë që janë në fazat e fundit të tij. Të gjithë janë drejtuar drejtë shkollës, dhe të gjithë duan të realizojnë qëllimin për të cilën janë themeluar shkollat, që është nxënia e dijeve dhe edukimi.
Fillimi i vitit shkollor, është një ngjarje e rëndësishme; është një proces i vlefshëm që ka nevojë për përkujdesje dhe përkujtim për të gjithë ne, qofshim nxënës, mësues dhe prindër.
Allahu i Lartësuar e ka nderuar dijen dhe e ka ngritur lart pozitën e dijetarëve, madje ajetet e para të Kuranit tregojnë se dija, shkrimi dhe leximi, është një nga mirësitë e mëdha me të cilën Allahu e ka nderuar njerëzimin.
ٱقۡرَأۡ بِٱسۡمِ رَبِّكَ ٱلَّذِي خَلَقَ 1 خَلَقَ ٱلۡإِنسَٰنَ مِنۡ عَلَقٍ 2 ٱقۡرَأۡ وَرَبُّكَ ٱلۡأَكۡرَمُ 3 ٱلَّذِي عَلَّمَ بِٱلۡقَلَمِ 4 عَلَّمَ ٱلۡإِنسَٰنَ مَا لَمۡ يَعۡلَمۡ 5
“Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka), 2. e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! 3. Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh, 4. i Cili, me anë të penës ia mësoi, 5. ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte”. [Sure Alak: 1-5]
Ndaj dhe muslimanët, përgjatë gjithë historisë së tyre, kanë treguar kujdes për penën dhe fletoren, ata e kuptuan se dija është një nga qëllimet madhore, pasi Pejgamberi Muhamed salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kërkimi i dijes është detyrë për çdo musliman”. Ibn Maxhah nr. 224, e ka saktësuar Albani.
Madje pas luftës së Bedrit, Profeti u mundësoi robërve të luftës që të lironin vetveten, nëse do t’i mësonin dhjetë muslimanëve lexim dhe shkrim.
Shikoni me kujdes në këtë porosi që e jep Halifja i Profetit dhe prijësi i drejtë i besimtarëve Ali bin Ebi Talib -Zoti qoftë i kënaqur me të-, ku thotë: “Dija është më e mirë për ju se paraja, dija ju ruan ndërsa ju e ruani paranë; dija është sundim, ndërsa paraja nënshtrim; paraja pakësohet me shpenzim, ndërsa dija shtohet me mësim. Njerëzit që kursenin para vdiqën sa ishin gjallë, ndërsa dijetarët mbeten të gjallë dhe prezent për aq kohë sa ekziston kjo botë, trupat e tyre nën dhe janë tretur, ndërsa gjurmët e tyre në zemrat e njerëzimit kanë mbetur”.
Po ashtu është transmetuar se Aliu -Zoti qoftë i kënaqur me të-, ka thënë: “Të mësuarit është stoli në rehati dhe strehë në vështirësi”.
Të dashur muslimanë!
Dija dhe njohuritë në pikëpamjen e fesë Islame janë mjet dhe rrugë -që me lejen e Zotit-, çojnë në përparimin e shoqërive, e ngrenë lartë nivelin, zhvillimin dhe civilizimin e një populli.
Dija në Islam ka qëllime madhështore dhe synime fisnike, të cilat sigurojnë lumturinë e individëve dhe të shoqërive në këtë botë dhe në tjetrën.
Vëllezër dhe ju motra! Feja jonë inkurajon për përvetësimin e dijes dhe njohurive të cilat u sigurojnë individëve dhe shoqërisë mirëqenie, dhe çdo gjë të mirë e dobiprurëse, në mënyrë që të realizojnë zhvillimin e jetës në tokë sipas asaj që Allahu i Plotfuqishëm deshi;
ﵟوَسَخَّرَ لَكُم مَّا فِي ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَمَا فِي ٱلۡأَرۡضِ جَمِيعا مِّنۡهُۚ إِنَّ فِي ذَٰلِكَ لَأٓيَٰت لِّقَوۡم يَتَفَكَّرُونَﵞ
“Ai ka vënë në shërbimin tuaj çka gjendet në qiej dhe në Tokë, të gjitha janë prej Tij. Me të vërtetë, në këto ka shenja për njerëzit që mendojnë”. [Xathije:13]. Pa dije të dobishme, nuk mund të shfrytëzosh mirësitë që të ka dhuruar Allahu, edhe nëse i ke ato para syve dhe pranë vetes.
Islami e sheh arsimin si një mjet për të arritur ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të denjë në të gjitha aspektet e jetës. Arsimi është një proces i cili me lejen Zotit, garanton diplomimin e brezave të cilët janë të mbushur me dashuri, mendim dhe ndjenja të larta për Krijuesin, të cilat e njohin kulturën dhe kanë një perceptim të mjaftueshëm ndaj fesë së tyre që e kanë të ngulitur në zemër dhe shpirt, duke i bërë kështu të ndihen krenar me veten dhe kërkues ndaj saj, në mënyrë që të arrijnë atë që arritën brezat e parë.
Vëlla i nderuar motër e shtrenjtë! Qofsh student, prind apo mësues, këto fjalë po t’i drejtoj si shenjë dhe shprehje e dashurisë që kam për ty, dhe si një përpjekje inkurajimi, me shpresë se do t’i bësh ato një pishtar që ndriçojnë rrugën tënde, dhe si një melhem që ju ndihmon në vështirësitë e rrugës suaj. Dëgjoi këto porosi me kujdes, në mënyrë që zemra jote të jetë e vetëdijshme, dhe mendja juaj t’i ruajë ato, që të kenë jehonë në realitetin e jetës tënde.
E Para: Le t’ju shoqërojë përgjatë gjithë rrugëtimit tuaj arsimor dhe nxënies së dijes qëllimi dhe përkushtimi i sinqertë për Allahun, pasi Profeti Muhamed ka thënë: “çdo vepër vlerësohet sipas qëllimit dhe çdo kush do të shpërblehet në bazë të qëllimit të tij”. Buhariu dhe Muslimi
Mos lejoni që synimi juaj të prishet nga konfuzioni ose të përzihet me dëshirën për famë, pozitë dhe gjëra të tjera të përkohshme të kësaj bote që mund ta dëmtojnë shpërblimin e mësimit tuaj dhe durimit për të. Le të jetë qëllimi juaj që t’i shërbeni fesë Islame dhe të kontribuoni për shoqërinë dhe kombin tuaj. Përpiquni me të gjitha forcat që asnjë pengesë, e vogël apo e madhe qoftë, të mos ju largojë apo lëkund nga ky qëllim madhështor, pasi çdo lodhje, përpjekje dhe mundim, do t’ju shkruhet si shpërblim tek Allahu.
E dyta: Gjithmonë shikoni përpara, sepse ajo ju motivon për të qenë seriozë dhe këmbëngulës, dhe mos shikoni prapa, sepse ndoshta ajo ju dekurajon dhe ju rrënon guximin tuaj… kështu që inkurajojeni veten në mënyrë që të përfitoni nga ajo që ju ka mbetur nga rrugëtimi i dijes dhe në atë që ka mbetur nga vitet e studimit, që të arrini kualifikim shkencor të lartë dhe të dobishëm. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu sesa besimtari i dobët, ndërkohë te të dy ka të mira. Përpiqu ta kryesh atë që të bën dobi, kërko ndihmë prej Allahut dhe mos u trego i pafuqishëm…”. Muslimi
E treta: Të dashur studentë, aftësitë tuaja për të mësuar, memorizuar dhe përthithur informacionet, duhet t’i ushqeni edhe me dije fetare, në mënyrë që të njihni si duhet Zotin dhe fenë tuaj, hallallin dhe haramin, pasi kështu dija juaj do të jetë e dobishme dhe do t’ju bëjë krenarë në këtë botë dhe në botën tjetër. Le të ecin paralel mësimi në shkollë dhe mësimi në xhami, pasi kështu ato do t’i shërbejnë njëra-tjetrës dhe do t’ju bëjnë të aftë për tu përballur me çdo situatë, padyshim Allahu është në përkrahje të atyre që janë të devotshëm ndaj Tij dhe janë punëmirë.
إِنَّ ٱللَّهَ مَعَ ٱلَّذِينَ ٱتَّقَواْ وَّٱلَّذِينَ هُم مُّحْسِنُونَ
“Vërtet, Allahu është me ata që e kanë frikë dhe që janë punëmirë”. [En Nahl: 128]
E katërta: Angazhohu me mësimet që nga dita e parë. Punën e sotme mos e lër për nesër. Ji ambicioz dhe me aspirata të larta. Përkujdesu për kohën tënde dhe ruaje atë nga ata që ta marrin dhe humbin pa më të voglin përfitim. Koha është sikurse shpata, nëse ti nuk pret me të, ajo do të presë ty, Profeti Muhamed -paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të-, ka thënë: “Nuk do të lëvizin këmbët e birit të Ademit në Ditën e Kiametit, derisa të pyetet për pesë gjëra: për jetën e tij se si e kaloi, për rininë e tij se si e shfrytëzoi…”. Tirmidhiu
E pesta: Mos mungo në shkollë ose fakultet pa arsye, qëndro i vendosur në çështjen e studimit, pasi njohuritë që merren nga mësuesi, mbeten dhe ruhen në mendje më shumë se njohuritë që merren në mënyra dhe forma të tjera. Respektoje dhe nderoje mësuesin tënd dhe sillu me të me moral, sepse me këtë t’i respekton dijen. Mësuesi yt është ai që ta ndriçon rrugën dhe të nxjerr nga errësira e padijes, me lejen e Allahut.
E gjashta: Kujdesu që shokun e mirë ta zgjedhësh në fillim të vitit shkollor dhe ruaju nga shoqëria e keqe. Shoku është pasqyrë e shokut të vet. Në një proverb thuhet: “Më trego se me kë shoqërosh, të tregoj se kush je.”
Ndërsa Profeti -paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të-, ka thënë: “Shembulli i shokut të mirë dhe atij të keq, është si shembulli i bartësit (poseduesit) të parfumit dhe farkëtarit. Poseduesi i parfumit ose të dhuron prej parfumit, ose ti e blen prej tij, ose e nuhat erën e mirë prej tij, ndërsa farkëtari, ose t’i djeg rrobat, ose do të ndiesh prej tij erën e keqe”. Buhariu dhe Muslimi
E shtata: Vëlla dhe motër e bekuar, duhet të jesh shembull i mirë, sepse në këtë fazë shkolle, madje edhe pas saj, ti do të jesh në qendër të vëmendjes nga të vegjlit dhe të mëdhenjtë. Në këtë rrugëtim ata që të urrejnë do të kritikojnë, ata që të duan dhe të imitojnë do të admirojnë. Përpiqu ta përmirësosh veten dhe jepi fund gjithçkaje që e sheh si të metë në fenë, moralin dhe zakonet e tua. Kushdo që i frikësohet Allahut në vetminë e tij, pa dyshim Allahu do hedh ndaj tij dashurinë e njerëzve dhe respektin, dhe vlerësimin e tyre.
Prind i shtrenjtë! Sado me nivel të jetë shkolla, ajo nuk mundet e vetme t’i edukojë fëmijët e tu. Pjesën tjetër të edukatës që fëmijët nuk e marrin në shkollë, përgjegjësia bie mbi prindin që t’i pajisi me të. Procesi edukativ e arrin përkryerjen dhe plotësohet, atëherë kur fëmija edukohet në shtëpi dhe shkollë. Është gabim i madh të anashkalohet edukimi i fëmijës në shtëpi duke menduar se atij i mjafton edukimi në shkollë!
Prindi duhet ta dijë, se nuk është e njëjtë ta kesh një fëmijë të shkolluar dhe arsimuar, dhe një fëmijë të pa shkolluar e pa arsim. Nuk duhet t’ia lejosh vetes që të kalojë shumë kohë pa u informuar për fëmijën tënd, zhvillimin dhe ecuritë e tij, si dhe për notat që ai ka marrë. Është fatkeqësi që ka prindër të cilët nuk e dinë se ku është shkolla e fëmijës së tij, madje as nuk e ka idenë se çfarë bën ai gjatë gjithë kësaj kohe. Mos u bëj prind i tillë, por interesohu për fëmijën tënd, qëndroi pranë dhe inkurajoje atë.
Mësuesi i nderuar! Ju duhet ta ndieni madhështinë e përgjegjësisë dhe amanetit që mbani mbi supet tuaj, pasi ju edukoni breza dhe përgatisni të ardhmen e një populli, prandaj mos e tradhtoni amanetin. Profeti -paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Secili prej jush është bari dhe secili prej jush është përgjegjës për kopenë e vet.” Buhariu dhe Muslimi
Allahu thotë:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لَا تَخُونُوا اللَّهَ وَالرَّسُولَ وَتَخُونُوا أَمَانَاتِكُمْ وَأَنْتُمْ تَعْلَمُونَ
“O besimtarë! Mos e tradhtoni Allahun dhe të Dërguarin e mos i tradhtoni amanetet me vetëdije.” [El-Enfal: 27]