Finesa në zbatimin e sunetit

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 6 minuta lexim

166574_484168508296637_1832306297_n

Finesa në zbatimin e sunetit

Nga  Muhamed bin Ibrahim el Hamed

Lexova një fjalë të dijetarit të nderuar Muhamed bin Uthejmin në komentin e tij bërë librit “El Mumti” 3/90 ku thoshte: “Nuk duhet që njeriu të zbatojë një sunet duke lënduar me të njerëz të tjerë.” Kjo është një fjalë e bukur, që buron nga një dijetar i nderuar dhe që ngërthen në vetvete domethënie edukative në zbatimin e sunetit profetik. Prandaj përmbaju zbatimit të sunetit, sepse ndjekja e shembullit të krijesës më të mirë, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, është një virtyt i vlefshëm dhe një sjellje e lartë përmes së cilës mund të arrish në grada të larta dhe të afrohesh me Allahun e Lartësuar. Sa më shumë të rritet kujdesi për zbatimin e sunetit aq më afër perfeksionit do të jesh. Por duhet patur parasysh diçka me shumë rëndësi, që ka të bëjë me shijen në zbatimin e sunetit, në mënyrë që zbatimi i këtij të fundit të mos përdoret si justifikim për të lënduar të tjerët dhe as për t’i larguar njerëzit nga feja. Ndër shembujt mund të përmendim përdorimin e misvakut, që është prej rrugës profetike dhe një vepër e shpërblyeshme, por nuk duhet që me këtë vepër të lëndohen të tjerët, duke nxjerrë tinguj të bezdisshëm apo lëvizje shqetësuese.

E njëjta gjë mund të thuhet për haxhin, si p.sh. hedhja e gurëve apo puthja e Gurit të Zi dhe të gjitha adhurimet e tjera, që shkaktojnë grumbullimin e njerëzve. Në të tilla situata duhet që besimtari ta ndjejë shpirtin e adhurimit dhe të vejë në zbatim vëllazërinë islame, ku në të njëjtën kohë të zbatojë sunetin dhe të kujdeset për të drejtat e vëllezërve të tij muslimanë. Në të tilla raste muslimani duhet të përpiqet të dëshirojë për ta atë që dëshiron për vete, të urrejë për ta atë që urren për vete dhe nëse zbatimi i sunetit shkakton lëndimin e tyre, atëherë moszbatimi i tij është më parësor.

Në rastin e drejtimit të rreshtave në namaz do të shohësh se disa njerëz e teprojnë duke lënduar ata që kanë përkrah me justifikimin e bashkimit të kërcirit të këmbës dhe shpatullave, madje në disa raste disa prej tyre e shikojnë me vrer vëllain e tyre përkrah dhe në disa raste edhe e kritikojnë, nëse shohin që vëllai i tyre nuk reagon ndaj kërkesës. Në rastin e hapësirave bosh kjo është një vepër e lavdërueshme, por ndonjëherë dikush bën përpara tek rreshti që ka përballë, që nuk ka hapësira dhe zë ngushtë njerëzit që ka përpara dhe i lëndon ata derisa t’i hapin një vend. Nuk ka dyshim se drejtimi i rreshtave plotëson namazin, por nuk është e pëlqyeshme, që namazi të plotësohet duke krijuar zemëratë dhe as duke larguar zemrat, por duke u sjellë butë dhe me finesë. Namazi nuk mund të plotësohet duke rrënuar një qëllim kryesor prej qëllimeve të tij, kur falet me xhemat, dhe që është afrimi i zemrave dhe shtimi i dashurisë. Kështu veprojnë edhe disa imamë, të cilët dëshirojnë të drejtojnë rreshtat në xhamitë e tyre – dhe për këtë duhe përgëzuar- por mirë do të ishte që kjo të realizohej shkallë-shkallë duke marrë parasysh gjendjen e xhematit, sidomos gjendjen e të moshuarve dhe udhëtarëve.

Një shembull tjetër është dhënia e selamit. Disa vëllezër e japin selamin, por kjo ndonjëherë shoqërohet me një vrazhdësi, mbledhje të fytyrës dhe me një tingull të ashpër, sa disa muslimanë do të dëshironin që ai të mos e kishte dhënë fare selamin. Nëse selami do të shoqërohej me një buzëqeshje të ndritshme, me qetësi dhe me një zë të butë do të kishte qenë edhe më i dobishëm dhe me më shumë shpërblime. Po kështu edhe kthimi i selamit. Disa vellëzer mendojnë se e kanë kryer detyrimin nëse e kthejnë selamin, por pa i dhënë rëndësi mënyrës se si e kthejnë, duke e shoqëruar atë me ironi dhe pa shpirt. Mënyra e duhur është që selami të pritet në formën më të mirë, duke e përcjellë muslimanin me buzëqeshje dhe dashamirësi, ose të paktën duke e kthyer atë me mirësi ashtu siç iu dha. Këto norma duhet të kihen parasysh edhe në dhënien e këshillës, në urdhërimin për mirë dhe në ndalimin e të keqes, në marëdhëniet me prindërit etj. Për të gjitha këto nevojitet nga muslimani që t’i kryejë me finesë dhe butësi.