nga hoxhë Neki KALOSHI
Të nderuar besimtarë e besimtare!
Motra dhe vëllezër!
Ne sapo u ndamë nga një prej shtyllave të besimit tonë, agjërimit të muajit të bekuar të Ramazanit!
Allahu i Lartësuar na mëson se me mbylljen me sukses të këtij detyrimi, përmbushjes së tij, konsolidimit të kësaj shtylle të rëndësishme të besimit tonë, ne duhet të festojmë, të gëzojmë, të ndihemi të lumtur, të kontribuojmë që t’i gëzojmë e lumturojmë edhe ata përeth nesh që nuk i kanë mundësitë për të festuar.
Për ç’gëzohet vallë besimtari, për çfarë feston?
Ai gëzohet se e ka kuptuar më qartë shkakun e krijimit të tij në tokë: për adhurimin e një Zoti të vetëm e pa ortak, për përkujdesjen për këtë tokë të përkohshme, për mirëmbajtjen e saj.
Gëzohet se është afruar më pranë hyjnores, më pranë qiellores; ka përsosur virtytin e tij! Ka forcuar boshtin e parimeve të vlerave morale, ka pastruar zemrën nga të gjitha ndjesitë negative, ka kthjelluar mendjen dhe e ka orientuar drejt qëllimeve dhe objektivave madhore, ka kalitur gjymtyrët e trupit për t’i përballuar vështirësitë e kësaj bote lëndore. E ka ushqyer dhe i ka dhënë shtysë cilësisë së bujarisë në brendinë e tij, vetëpërmbajtjes, frenimit të egos, kontrollit të epshit, shmangies së rendjes pas kënaqësive të kësaj bote të përkohshme. Ka dhënë prova se mund të heqë dorë nga prekja e mollës së ndaluar dhe prej të gjitha ndalesave (harameve), por mund të heqë dorë dhe prej gjërave të lejuara e të dobishme, madje jetike për ekzistencën e tij, kur kjo gjë i kërkohet prej Krijuesit të gjithësisë.
Besimtari ka manifestuar gjatë kësaj kohe njëmujore bindjen pa kushte ndaj urdhëresave hyjnore. E ka lexuar disa herë mesazhin e Krijuesit, Kuranin Famëlartë, dhe është përpjekur të nxjerrë mësime nga çdo ajet. Ka provuar ndjesinë e të qenit melek, që as ha e as pi. Ka provuar ndjesinë e të qenit profet, si t’i ketë zbritur Kurani drejtpërdrejt atij. Ka provuar ndjesinë e të qenit i varfër, i dobët, i pafuqishëm. Ka provuar qenien rob i nënshtruar Sunduesit të gjithësisë.
Prandaj, me të drejtë duhet të gëzohet! E të lutet që Allahu, me bujarinë e Tij, të na i pranojë lutjet, të na i pranojë adhurimet, të na i lehtësojë vështirësitë, angazhimet. Të lutet që Allahu të na e pranojë agjërimin, namazin, këndimin e Kur’anit, dhënien e sadakasë, vizitën te të sëmurët, etj. Amin!
Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe thuaju: ‘Veproni! Allahu do i shikojë veprat tuaja. Do i shikojë dhe i Dërguari i Tij, dhe besimtarët.’”
Imam Neki Kaloshi