Falënderimi i qoftë Allahut, bekimi dhe paqja qofshin mbi Muhamedin, a.s., të cilin Allahu xh.sh. e ka zgjedhur për Pejgamberin e Tij të fundit, përmes të cilit e ka zbritur shpalljen e Tij të fundit Kur’anin, si udhëzim dhe programin më të mirë për edukimin e shpirtit dhe të zemrës, ndërtimin e personalitetit të njeriut, siç është cekur në ajetin:
“All-llahu e vë me atë (me Kur’anin) në rrugët e shpëtimit atë që ndjek kënaqësinë e tij dhe me ndihmën e Tij i nxjerr ata prej errësirave në dritë dhe i udhëzon në një rrugë që është e drejtë…” (El-Ma ida, 16)
Çdo pejgamber i Allahut e kishte mu’xhizen e caktuar (mrekulli mbinatyrore) si provë e profetësisë së tij. Musa a.s. kishte shkopin, i cili shndërrohej në gjarpër. Në kohën e tij veçanërisht ishte përhapur magjia, dhe ai me mrekullinë e tij i zbuloi dhe i shkatërroi gënjeshtrat dhe mashtrimet sihirbazeve – magjistareve. Në kohën e Isait a.s., mjekësia ka qenë në rritje, dhe Allahu i dha mundësinë qe në mënyrë të mbinatyrshme te shëron lebrosët, verbërinë dhe shumë sëmundje tjera.
KUR’ANI ËSHTË MREKULLIA MË E MADHE E MUHAMEDIT S.A.V.S.
Sa i përket Muhamedit, s.a.v.s., koha e tij ishte e shënuar me oratori dhe poezi, ashtu qe poetët më të njohur dhe më të talentuar ishin shumë te çmuar dhe te vlerësuar. Por, kur Muhamedi s.a.v.s., erdhi me Kur’anin dhe nisi t’u mësojë atyre dhe t’ua lexoj, para madhështisë dhe natyrshmërisë së tij, u shtangën poetët më të mëdhenj dhe dashamirët e fjalëve të bukura, kështu që njëri nga udhëheqësit e kurejshëve, Velid ibn Mugire, u betua në Latin dhe Uzanë, se Kur’ani ka një bukuri dhe ëmbëlsi të mahnitshme që tejkalon çdo fjalim, kurse atë asgjë nuk mund të tejkalojë.
Kur’ani i është drejtuar dhe dërguar njeriut si të tillë edhe në Kur’an, në bazë të marrëdhënieve të tilla burimore njerëzore, njeriu për njeriun është vëlla. Pra, nuk është çudi që Kur’ani edhe kundërshtaret e Pejgamberit s.a.v.s. i thërret si vëllezërit e tyre, si në ajetin: “Edhe populli i Nuhut mohuan të dërguarit. Kur vëllai i tyre Nuhu u tha: “Si mund të mos jeni të drejtë?” (Shuara, 105)
Rregulli Kur’anor thotë: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat), e All-llahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë. “(El-Huxhurat 13)
Kur iu drejtohet idhujtarëve te Mekës, Kur’ani iu drejtohet me fjalët “o popull” e jo ” e jo mushrik”, gjë e cila është një konfirmim i Kur’anit për respektin e personalitetit njerëzor.
Kur’ ani nuk e lë pas dore dynjanë e as ahiretin, por secilës prej tyre i jep vëmendje aq sa meriton. Në këtë kuptim, Kur’ani thotë: “O Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe na ruaj prej dënimit të zjarrit” (El-Bekare, 201)
Ibn Asakiri transmeton hadithin e Enesit, r.a., në të cilin Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: “Nuk është i mirë prej jush ai i cili e lë dynjanë për botën e ardhshme, as boten e ardhshme për dynjanë, dhe pastaj i humbet të dy botët”
Kur’ani një vëmendje te veçantë ia ka kushtuar diturisë dhe arsyes dhe ndalon pasimin e verbër. Disa dijetarë kanë thënë se me shpalljen e fjalës “Ikre” – “lexo”, filloi një epokë e re e njerëzimit, dhe se ideja e Platonit në lidhje me udhëheqjen e shtetit nga më të mirët dhe me te zgjuarit , u realizua vetëm në kohën e Pejgamberit a.s., dhe te katër kalifëve te drejte.
Bazuar në Kur’an, gjeneratat e para te muslimanëve kanë ndërtuar një qytetërim të shquar, gjurmët e të cilit po ndihen në të gjitha pjesët e botës. Civilizim i mbështetur në teuhid (monoteizem), akide dhe besim të qartë në të gjithë Librat e Allahut, qytetërim që është i bazuar në mësim dhe shkencë, e cila afirmon njohuri të dobishme, qytetërim në bazë të moralit dhe vlerave morale dhe bënë thirrje në bamirësi dhe mirëbërje për të gjithë njerëzit .
Kur’ani ka ndërtuar një gjeneratë të njerëzve që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë dhe kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në histori dhe shembullin me te mirë te sjelljes dhe qëndrimit ndaj jetës islame. Një prej këtyre shembujve është gjithsesi sahabiu – shoku i njohur, Abdullah ibn Mes’ud, i cili ishte dhe është shembull i Kur’anit që “ec” në toke.
NJERËZIT TË CILËT ISHIN KUR’AN QË ECËN MBI TOKË
Abdullah ibn Mes’udi ishte njeri i varfër, bari i cili ruante delet e mekasëve të pasur dhe ishte i njohur sidomos si bari i Ukbe ibn Ebi Muajta. Megjithatë, ai ishte njeriu i gjashtë me radhe, i cili përqafoi Islamin. Ne një rast duke ruajtur delet në vapë, ai u takua me Pejgamberin s.a.v.s. dhe Ebu Bekrin, ku i kërkuan qumësht, e ai u tha atyre se ai ishte bari besnik dhe se nuk mund t’u jepte qumësht nga dora e tij. Ishin të habitur me besimin dhe ndershmërinë e tij, Pejgamberi s.a.v.s. kërkoi që t’ia sjellë një qengj femër, e cila nuk milet fare. Ibn Mes’ udi u befasua me një kërkesë të tillë, dhe pyeti çfarë i duhet qengji femër që nuk milet?! Pasi që ia solli, Pejgamberi s.a.v.s., mori qengjin dhe dorën e tij te bekuar e vendosi ne gjinjtë ende të formuar dhe qumështi filloi të rrjedhë. Ibn Mes’udi u shtang nga kjo skenë dhe kjo e çoi për të lënë punën e bariut, ta pranoi Islamin dhe t’i bashkëngjitet Muhamedit s.a.v.s. Që atëherë, donte t’i shërbente vetëm Pejgamberit s.a.v.s., dhe jo vetëm kaq, por ai u bë aq i afërt me të sa që Ebu Musa el-Esh’ ari ka thënë: “Ne e kemi konsideruar Ibn Mes’udin pjesë të familjes së Pejgamberit s.a.v.s.” Mësoi nga Pejgamberi Muhamed s.a.v.s., virtytet më të mira: ndershmërinë, kurajën, modestinë, bujarinë, urtësinë në thirrjen e njerëzve në Islam, dashurinë për njerëzit, të mësuarit e kështu me radhë.
Kështu ish bariu dhe shërbëtori, Ibn Mes’ udi r.a., përshkroi devotshmërinë e tij dhe frikën e mëkatit: “Besimtar i vërtetë mëkatin e tij të vogël e sheh si një bjeshkë e cila do të shembet mbi të, përderisa hipokriti këmbëngul në mëkatim e tij dhe mëkatet e mëdha të tij i sheh si një mizë që i ka rënë në hundë dhe me një lëvizje të vogël të dorës e largon”. Plotësisht e ka kuptuar esencën e jetës dhe vlerën e kohës, dhe tha: “Me se shumti e urrej të shohë njeriun e papunë, ose duke bërë diçka për dynjallëk, e asgjë për botën tjetër ”
Ai dhe të ngjashëm me të kanë arritur të bëjnë për disa vite, atë që kombe të tëra nuk kanë mundur të bëjnë për disa shekuj. Këta janë njerëzit të cilët i edukoi Kur’ani dhe për ta nuk kishte pengesa. Ahlaku i bukur dhe devotshmëria u treguan në çdo situatë, udhëzimi Kur’anor, organikisht ishte bërë pjesë e tyre, e njëjtë si të ishin të pasur apo të varfër, sundues apo barinj. Nuk ishin të nënshtruar e as të përulur si të dobët dhe të varfër, as arrogantë si sundimtarët, siç është tani rasti me shumë muslimanë.
Një rast, halifi Umer ibn Hatabi, r.a., u nis për të kryer Umren, dhe në rrugë për në Mekkë, u takua me Amr ibn Nafiun, guvernatorin e Mekkës, dhe e pyeti: “Kënd e ke lënë, guvernator të Mekkës?” Iu përgjigj: “E kam lëne Ibn Ebzu”. “E kush është ai?” pyeti Omeri. “Njëri nga skllevërit e liruar”, u përgjigj Amri. Pastaj Omeri e pyeti: “Si është e mundur që një njeri të tillë ta caktosh zëvendës tëndin?” Amri u përgjigj: “Po, është e mundur, pasha Allahun, sepse ai e njeh mirë Librin e Allahut dhe rregullat e tij”. Pastaj Omeri tha: “Pasha Allahun, kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, s.a.v.s., kur ka thënë:. ‘Allahu i lartëson disa njerëz me Kur’an dhe disa i përul – poshtëron”. Ibn Ebza ishte rob i liruar, Ibn Mes’ udi ishte bari, por Kur’ani i ngriti atëherë kur me të vërtetë e deshën, e mësuan dhe e praktikuan.
Këto janë shembuj të njerëzve të cilët e kanë barturr Kur’anin në zemrat dhe jetën e tyre, dhe jo si shembuj të atyre të cilët Islamin dhe Kur’anin e kane vetëm në gjuhë.
Musa ibn Nusajr e pushtoi Magribin dhe ishte udhëheqës më i madh ushtarak në Andaluzi. Kur i dërguari i tij Ali ibn Rebbah erdhi te halifi Velid, i tha: “Musa Ibn Nusajr e ka pushtuar Andaluzinë dhe gjithçka që kishte për t’u pushtuar. All-llahu xh.sh. në tërësi ia ka hapur dyert e fitores. Disa nga bashkëpunëtoret e tij i thanë: “Deri kur më, ku po na qon, a nuk është e mjaftueshme, do të humbasësh ushtrinë?!” Iu përgjigj: “Pasha Allahun, nëse armiqtë tanë do të kishin ikur në Romë, unë besoj se Allahu do të ma mundësonte për t’i kapur dhe për t’i mbytur.”
U takua një herë me halifin Sulejman ibn Abdulmelikun dhe filluan bisedën. Kalifi Sulejman e pyeti Musa ibn Nusajrin: “Çfarë është ajo që ke kërkuar ngushëllim dhe strehim gjatë planifikimit të luftimeve dhe aq shumë betejave?” Ai u përgjigj: “Mbështetja në Allahun dhe dërgimi i lutjeve vetëm Atij.” Halifi pastaj e pyeti: “ti si komandant, a ishe në kala – fortifikate, në ndonjë vend te fshehur komandues, apo ishe në luftë”. Ai u përgjigj: ” Unë në luftë kam qenë i pari dhe kam udhëhequr ushtrinë, dhe nuk jam fshehur për ta shpëtuar jetën time. Kamë ditur se çfarë mund të bëj me shpatën time dhe kërkova ndihmë prej Allahut, dhe nuk kisha asnjë frikë dhe asnjë brengë”. Në fund, halifi Sulejman kërkoi t’ia përshkruaj bizantinët, e Musa ibn Nusajr i tha: “Ata janë luanë në kalatë e tyre, shqiponja të zeza mbi kuaj të tyre, dhe gra të vërteta në anijet e tyre. Sa herë që kapin mundësinë për të përfituar nga sulmi i papritur, sulmojnë dhe e shfrytëzojnë, e kur e shohin se ata do të mposhten shpejt ikin në male dhe në këtë nuk e shohin turpin.”
SI TË SILLEMI NDAJ KUR’ANIT?
Roli i Kuranit në jetën e muslimanit është “që të jetë paralajmërim për të gjithë ata që janë te gjallë” (Li jundhire men kane hajjen). Pse? Sepse të mendojnë për ajetet e tij (Lijeddebberu ajatih) dhe të jetojnë në përputhje me udhëzimet e tij, jo për ta mbajtur Kur’anin për bereqet, në një vend të veçantë në shtëpi, në një kuti të artë, të mbështjellur me peshqir ngjyrë ari, e as që t’ua lexojmë vetëm të vdekurve .
Kur Pejgamberi s.a.v.s., lexonte Kur’anin, siç transmetohet nga Aishja r.a. dëgjohej diçka sikur gumëzhinë e bletëve, dhe kur i lexonte ajtetet rreth mëshirës, e luste Allahun për mëshirë, dhe kur i lexonte ajetet e dënimeve, e luste Allahun që ta ruaj prej dënimit. Pra, ka pushuar pas çdo ajeti, duke menduar rreth tij dhe në atë ka ndier kënaqësi, sepse ajo është adhurim.
Tregohet se si një njeri nga Jemeni erdhi te Pejgamberi s.a.v.s., për të mësuar Islamin, dhe Muhamedi s.a.v.s. e urdhëroi sahabiun Ebu Dherrin, r.a., për t’ia mësuar bazat e Islamit. Ebu Dherri r.a. u ul me të dhe ia mësoi kaptinën El – Zelzele, dhe kur erdhi te ajeti: ” E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë.” njeriu filloi të qajë dhe tha: “Më mjafton kjo që dëgjova. A thua Zoti ynë do t’i vejë në peshojë veprat të cilat peshojnë sa një grimcë?! ”
Ky njeri posa erdhi të njihet me Islamin, menjëherë, pas leximit të disa ajeteve, kuptoi thelbin e besimit. Këto janë ato gjeneratat e para të muslimanëve të cilët menduan për kuptimet e Kur’anit dhe mesazhin, dhe nuk e lexuan thjeshtë për muzikalitet. Për këtë shkak Allahu xh.sh. i bëri udhëheqës të njerëzimit.
Imam Hasani b. Ali, r.a. ka thënë: “Gjenerata e parë të muslimanëve Kur’anin e kanë shikuar si një letër që ua ka dërguar Zoti i tyre, dhe për këtë shkak u treguan të kujdesshëm, rreth tyre kanë menduar natën dhe u kanë humbur gjatë ditës.” (Imam – Neveviu, El-Tibjan, f. 28)
Ibnul-Kajjim el-Xhaziu ka thënë: “Kushdo që e dëgjon leximin e Kur’ anit, le të mendoj se është duke e dëgjuar drejtpërdrejt dhe direkt nga Allahu” (Ibnul-Kajjim el-Xhavziu, Medarixhul-Salikin, I / 504 .)
Le të shërbejnë këta shembuj si frymëzim i vërtetë dhe inkurajim që t’i kushtojmë kujdes leximit dhe studimit të Kur’anit, duke menduar për porositë e tij dhe zbatimin e rregullave të tij dhe të jetë udhëzim në jetën tonë ashtu që të arrijmë ringjallje të vërtetë dhe sukses në të dy botët.
Dijetari islam Sirhindi, ka thënë: “Ramazani është muaji i Kur’anit dhe për këtë arsye është shpallur në të . Ai në vetvete i ka mbledhur të gjitha të mirat dhe begatit, dhe çdo e mirë, begati që u vjen njerëzve gjatë vitit janë vetëm pika nga detit i muajit të Ramazanit, shumë të mira në të janë shkak i një numri të mirave në ditët tjera. Kush bën vepra të mira në këtë muaj, atë do të përcjellë udhëzimi për punë të mira gjatë gjithë vitit, e kujt i kalon ky muaj në papunësi dhe mëkat, i tillë do të jetë i gjithë viti i tij. ”
E Ibn Mes’udi, r.a., ka thënë: “Ai që e do Kur’anin – Ai e do Allahun dhe të Dërguarin të Tij” (Taberaniu)
Allahu na bëftë prej tyre Amin.
Autori: Abdusamed Nasuf Bushatliq
Perktheu: Esat Rexha