بسم الله الرحمن الرحيم
Pyetje: Esselamu alejkum. Hoxhë i nderuar! Lus Allahun të jeni mirë. Unë punoj në bankë si pastruese, a më lejohet mua kjo punë?
Përgjigje: Punësimin në bankat me kamatë mund ta ndajmë në dy lloje:
- Në punë që ka të bëjë direkt me kontratat e kamatës. Dhe kjo nuk lejohet, sepse Profeti (alejhi salatu ue selam) e mallkoi ngrënësin (përfituesin) e kamatës, dhënësin (paguesin), shkruesin dhe dy dëshmitarët e saj, dhe tha: “Ata janë njësoj (në mëkat).” (Muslimi nr.1598)
2- Në punë ku nuk ka angazhim në transaksionet e ndaluara (haram) bankare, por ku shërbehet si pastrues, rojë, shofer etj.
Dijetarët ndajnë mendime të ndryshme në këtë çështje. Ka prej tyre që e bëjnë haram çdo lloj punësimi në banka; sepse punonjësi ndihmon në mirëmbajtjen e të tilla institucioneve, të cilat përhapin haramin. Allahu i Lartësuar thotë: “Bashkëpunoni me njëri-tjetrin në mirësi dhe devotshmëri, dhe mos bashkëpunoni në mëkat dhe armiqësi! Kini frikë Allahun; vërtet, Allahu është i ashpër në dënim.” (el-Maide: 2) Dhe punësimi në banka nënkupton pranimin e të tilla transaksioneve të ndaluara.
Ka disa dijetarë që e lejojnë punësimin në të tilla pozicione; sepse në to nuk ka ndihmë të drejtpërdrejtë në përhapjen e haramit dhe mëkateve, si dhe nuk ka pranim apo dakordësi për transaksione të ndaluara. Porse punonjësi kryen një detyrë të përcaktuar e cila në vetvete është e lejuar dhe nuk ka lidhje me transaksionet e ndaluara (haram).
Ne mendojmë se, në parim puna në bankë nuk lejohet, sepse puna në të ndihmon dhe i shërben sistemit bankar kamator, që fillim e mbarim mbahet gati në çdo shpenzim të saj nga përfitimet që nxirren nga kreditë kamatore apo transaksione të tjera të ndaluara, që ajo kryen. Edhe pse në rasatin në fjalë, personi nuk mund të përfshihet drejtpërdrejt në mallkimin që përmend hadithi, por përfshihet tek ajeti kuranor i mësipërm ku ndalohet bashkëpunimi në haram.
Por, nëse personi në fjalë, nuk ka asnjë burim tjetër financiar dhe të ardhurat mujore nga rroga që merr i ka jetike për familjen, atëherë duhet të kërkojë një punë tjetër që të mund të shkëputet nga aty. Jetojmë në një kohë kur bankat kanë marrë rol mbizotërues në marrëdhëniet financiare mes njerëzve dhe shmangia e tyre shpesh është gati e pamundur, megjithatë besimtari duhet të ruhet maksimalisht sa të mundet nga përfshirja në këto institucione.
Ne kërkojmë nga biznesmenët myslimanë, që të punojnë në hapjen e institucioneve financiare pa kamat, si një nevojë emergjente e myslimanëve në këtë vend. Këto praktika financiare të lejuara fetarisht, ekzistojnë në vendet myslimane, por edhe në disa vende evropiane, dhe vlejnë si model në përhapjen e financimeve të lejuara (hallall) dhe në pakësimin e kamatës.
Allahu e di më së miri!
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH
