Gjykimi rreth abortit

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 6 minuta lexim

Pyetje:

Cili është gjykimi rreth abortit? A lejohet apo është i ndaluar kategorikisht? Po nëse shtatzania përbën rrezik për jetën e nënës?

Përgjigje:

Dijetarët dhe juristët islamë kanë mendime të ndryshme rreth fazave dhe etapave në të cilat lejohet apo ndalohet aborti. Dijetarët kanë rënë dakord unanimisht, se nëse aborti kryhet pasi është futur shpirti është e ndaluar në mënyrë kategorike dhe sipas shumicës së dijetarëve shpirti futet pasi janë plotësuar 120 ditë, pra pas plotësimit të tre etapave të përmendura në Kuran dhe në hadithin profetik, pikë uji, droçkë gjaku dhe copë mishi e përtypur, secila nga 40 ditë. Shiko ajetin 5 të sures Haxh dhe hadithin nr. 3208 te Buhariu dhe nr. 2643 te Muslimi.

Aborti pas futjes së shpirtit konsiderohet krim, sepse tashmë kemi të bëjmë me një gjallesë, pa marrë parasysh se është akoma pa lindur. Profeti (alejhis-salatu ues-selam), kur mori vesh, se një grua kishte goditur një grua tjetër shtazënë dhe për pasojë kjo e fundit kishte dështuar fëmijën gjykoi për shpagimin e fëmijës (edhe pse vetëm me 5 deve nga 100 deve, të cilat janë masë shpagimi për vrasjen jo me dashje të një njeriu normal). Transmetuan Buhariu nr. 5759 dhe Muslimi nr. 1681. Kjo masë shpagimi, sipas juristëve dhe dijetarëve islamë vlen edhe kur femra aborton pa arsye fëmijën e vet.  Gjithashtu Profeti (alejhis-salatu ues-selam)  nuk pranoi të ekzekutohej gruaja, që pranoi fajin e saj për imoralitet (zina) përderisa ajo ishte shtatzënë. Muslimi nr. 1695.

Ndërsa për sa i përket abortit të fëmijës para se të futet shpirti, pra pa plotësuar 120 ditë ka mendime të ndryshme të dijetarëve.

– Medh’hebi Maliki dhe disa mendime të dijetarëve të medh’hebeve të tjera e ndalojnë abortin dhe e konsiderojnë mëkat në të gjitha etapat para futjes së shpirtit. I këtij mendimi është edhe imam Gazaliu (nga dijetarët Shafiij), i cili në Ihja Ulum ed-Din 2/51  shpjegon, se përderisa ka filluar procesi i krijimit, edhe pse nuk është futur shpirti akoma është i ndaluar aborti. Ndërsa gjynahu rritet më shumë për çdo etapë të mëvonshme.

– Medh’hebi Hanbeli dhe ai Shafi dhe disa mendime të dijetarëve të medh’hebeve të tjera e lejojnë abortin para se të jetë futur shpirti.

– Medh’hebi Hanefi është i mendimit, se aborti para se të futet shpirti lejohet vetëm në rast nevoje, kur është duke u formuar keq apo përbën rrezik për jetën e nënës dhe nuk lejohet pa arsye. Të këtij mendimi janë dhe disa dijetarë të medh’hebeve të tjera. Ndërkohë që ka edhe mendime të dijetarëve të ndryshëm të medh’hebeve, të cilët mendojnë, se aborti para futjes së shpirtit është mekruh (i papëlqyeshëm), por jo haram.

Kurse në rastin kur etapat e embrionit kanë mbushur 120 ditë, pra pas kësaj etape është futur shpirti dhe fëmija përbën rrezik për shëndetin apo jetën e nënës ka dijetarë, që nuk e lejojnë abortin. Për këtë dijetari i shquar hanefi Ibn Abidini (Hashiejtu Ibn Abidin 1/602) shpjegon, se rreziku për jetën e nënës nuk është i sigurtë dhe kryerja e një krimi për diçka për të cilën nuk je i sigurtë (por ke shpresë) nuk lejohet.

Mirëpo Ibn Abdidini e arsyeton këtë mendim, duke u bazuar se nuk mund ta vërtetojë dot, sepse kushtet mjekësore dhe teknologjia në atë kohë nuk ishte e zhvilluar për të parë në detaje fazat dhe mënyrën e zhvillimit të fëmijës. Kurse dijetarët bashkëkohorë shumica e tyre,  duke u mbështetur te eksperienca mjekësore dhe teknologjia e përparuar thonë, se nëqoftëse kuptohet dhe vërtetohet, se fëmija përbën rrezik serioz për jetën e nënës lejohet aborti.

Pikërisht për këtë Akademia e Fikhut Islam për arsyet se kur lejohet ose jo aborti, në sesionin e vet të 12 mbledhur më 10/02/1990 në godinën e Ligës Botërore Islame në Mekë, ku pas shqyrtimeve sheriatike dhe mjekësore nga mjekë dhe specialistë  dolën në këtë përfundim:

Nëse foshnja ka mbushur 120 ditë nuk lejohet aborti vetëm se në rastin, kur fëmija përbën rrezik të drejpërdrejtë për jetën e nënës së vet dhe jo thjesht problem shëndetësor për të. Në këtë rast lejohet aborti duke iu shmangur dëmit më të madh.

Ndërsa në rastin kur fëmija ka probleme fizike serioze dhe deformime në formim, nëse një ekpip mjekësh të besuar e të specializuar e faktojnë këtë gjë dhe dalin në përfundimin, se ky fëmijë do të ketë shqetësime dhe dhimbje për veten dhe familjen, dhe ato probleme nuk mund të kurohen lejohet abortimi. A nëse ka mbushur 120 ditë të plota, nuk lejohet më aborti, edhe pse mund të ketë probleme të tilla.

Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH