Hadithet e dobëta dhe të trilluara dhe dëmi i tyre në mesin e muslimanëve

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 5 minuta lexim

timthumb.php

Hadithet e dobëta dhe të trilluara dhe dëmi i tyre në mesin e muslimanëve

Nga hoxhë Mustafa Tërniqi

Allahu i Madhëruar e plotësoi fenë islame me shpalljen hyjnore, e cila përfshin Kuranin dhe Sunetin, traditën profetike. Ne si besimtarë musliman besojmë, se as Kurani dhe as Feja Islame nuk mund të shpjegohen pa hadithet e Profetit Muhamed (alejhis-salatu ues-selam). Është e rëndësishme të vihet në dukje se hadithet e transmetuara ndahen në hadithe të sakta/autentike (sahih) dhe të pasakta/joautentike (daife). Kjo do të thotë se jo çdo hadith, që e dëgjojmë apo e lexojmë e ka thënë me të vërtetë Profeti (alejhis-salatu ues-selam). Shumë hadithe janë të sajuara e të trilluara nga gënjeshtarë të ndryshëm gjatë shekujve dhe shumë të tjera janë të dobëta, sepse nuk plotësojnë kushtet që kanë vënë dijetarët e hadithit, për të dalluar hadithin e saktë nga i pasakti.

Pra, sipas rregullave bazë të shkencës së hadithit nuk vërtetohet autenticiteti i tyre dhe për pasojë, nuk lejohet argumentimi me to, sidomos në lëmin e Akides dhe Fikhut. Muhadithinët dhe dijetarët e mëdhenj të shkencës së hadithit kanë bërë një punë kolosale në këtë disiplinë delikate dhe iu kanë lënë brezave të mëvonshëm një trashëgimi të madhe me librat ku janë shënuar hadithet e sakta dhe ato të pasakta. Një kontribut shumë të vyer në këtë fushë kanë dhënë edhe dijetarët e shquar shqiptarë: Muhamed Nasirudin Albani, Abdulkadir Arnauti dhe Shuajb Arnauti, të cilët u kanë lënë botës islame mbi 500 vëllime libra, ku kanë treguar dhe klasifikuar hadithet e sakta nga ato të pasakta.

Muslimani duhet të jetë i kujdesshëm, që të mos përdorë hadithe të dobëta dhe të trilluara, sepse nëpërmjet tyre mund të kuptojë gabim shumë çështje të fesë. Sa herë që dëgjon një hadith që nuk e di, le të pyesë dikë më të dijshëm për t’u siguruar. Enes ibn Maliku, njëri prej sahabëve të nderuar thoshte: “Unë hezitoj t’ju tregoj juve shumë hadithe, sepse i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush tregon me qëllim gënjeshtra në emrin tim, le ta përgatisë vetë vendin e Tij në zjarr.” Buhariu dhe Muslimi.

Duke u bazuar në thënien e Enesit dhe hadithin e Pejgamberit (alejhis-salatu ues-selam), dijetarët shpjegojnë, se çdo njeri që neglizhon në çështjen e haditheve dhe nuk u jep rëndësi atyre, nëse janë të sakta apo të dobëta, ai është përgjegjës për atë gjë. Kjo është argumentuar edhe me një hadith tjetër ku Profeti (alejhis-salatu ues-selam) thotë: “Njeriu mjafton që të quhet gënjeshtar, nëse ai tregon gjithçka që dëgjon.” Muslimi.

Këtu mund të përmendim edhe përhapjen e këtyre haditheve ne libra të ndryshëm. Vetëm në literaturën islame shqipe qarkullojnë mbi 4,000 hadithe të dobëta dhe të trilluara. Njerëzit nuk dinë t’i dallojnë këto hadithe, sepse ato nuk janë të klasifikuara. Rreziku i tyre është i madh, sepse njeriu lexon dhe ndërton shumë çështje të fesë duke u argumetuar me hadithe të pavërteta. Shumë rryma fetare dhe sekte të devijuara, si dhe risi (bidate) të ndryshme kanë lindur dhe kanë lulëzuar pikërisht, se iu janë mbështetur këtyre haditheve të dobëta e të trilluara. Allahu e ka ruajtur fenë e Tij dhe hadithet e sakta, prandaj edhe kërkohet prej nesh që të pyesim e të informohemi rreth haditheve të pasakta e të trilluara e të mjaftohemi veç me hadithet e sakta, mbi të cilat është ndërtuar Feja Islame. Për këtë arsye redaksia e kësaj gazete ka vendosur që në numrat e ardhshëm të përmenden hadithe të dobëta në literaturën islame shqipe për të hequr sado pak përgjegjësinë fetare, që bie mbi ne në këtë drejtim, si dhe të paralajmërojmë për rrezikun e tyre.