Nga hoxhë Mustafa Tërniqi
Falënderimet dhe lëvdatat e panumërta i takojnë Allahut të Gjithëdijshëm, i cili na krijoi dhe e përsosi krijimin tonë, na furnizoi dhe na dha aq shumë mirësi e begati, sa njeriu nuk mundet t’i numërojë, na mëshiroi duke kërkuar prej nesh shumë më pak nga ajo çfarë kemi mundësi të veprojmë dhe na ka premtuar, që edhe me kaq pak adhurime, nëse jemi të sinqertë do të na shpërblejë me mirësitë e pafundme në botën e përjetësisë, në Xhenetin Firdeus.
Nëse Zoti me dijen dhe urtësinë e Tij të pakufishme na përsosi në krijim do të thotë se nuk jemi krijuar kot pa asnjë qëllim, por që ta njohim Atë, ta falënderojmë dhe adhurojmë duke mos i shoqëruar shok dhe ortak, dhe për këtë do të pyetemi në Ditën e Gjykimit, siç na tregon Kurani Famëlartë, ku Allahu i Lartësuar thotë: “Mos vallë, keni menduar që Ne ju kemi krijuar kot dhe që nuk do të ktheheshit te Ne (për t’ju gjykuar)?!” Muminun 115.
Gjithashtu duhet të jemi të vetëdijshëm, se si krijesa nuk mund të arrijmë të falënderojmë dhe adhurojmë në mënyrën më të mirë e më të plotë Allahun, prandaj përcaktimi i adhurimeve ka ardhur nga vetë Zoti. Kësisoj shikojmë se me përcaktimin e llojeve të ndryshme të adhurimeve, Allahu kërkon që ta adhurojmë Atë me të gjithë qënien tonë, me mendje, me trup, me zemër dhe me shpirt. Gjithashtu vërejmë se me praktimin e shtyllave të Islamit, namazit, zekatit, agjërimit dhe haxhit njeriu arrin përsosjen e tij në aspektin moral, social dhe shoqëror. Arrin në një stad tepërt të lartë devocioni dhe bëhet shembull për njerëzit e tjerë.
Nëse do të ndalemi te haxhi, vetë fakti se është një nga pesë shtyllat themelore të Islamit, do të shikojmë se urtësitë e këtij adhurimi janë shumëdimensionale. Haxhi është një tubim madhështor, një kongres shpirtëror dhe fizik që mbledh besimtarët nga të gjitha skajet e botës. Haxhi është një institucuon i vërtetë edukimi gjithëpërshirës për besimtarin me vlera të larta shoqërore. Aty manifestohet shembulli më i lartë i adhurimit, përkushtimit, durimit dhe sakrificës. Aty manifestohet shembulli me i qartë i thjeshtësisë, tolerancës, mëshirës, përulësisë dhe mbi të gjitha barazisë mes njerëzve pa dallim race, ngjyre, vendi, posti apo pozite. Të gjithë të veshur me një uniformë zbatojnë të njëjtat rregulla dhe rite. Bota nuk ka mundur të gjejë ndonjë mekanizëm që i bën disa miliona njerëz të bashkohen dhe sistemohen vetvetiu në atë formë sikur e shohim në haxh. Paradat më të mëdha ushtarake ose kulturore në botë realizohen me një numër të kufizuar njerëzish pas një përgatitje intensive disamujore, ndërkohë ata janë njerëz të zgjedhur që kanë gjuhë dhe kulturë të përbashkët. Kurse tre apo katër milionë haxhinj nga e gjithë bota, më gjuhë dhe kultura nga më të ndryshmet, të papërgatitur dhe të panjohur më parë me njëri-tjetrin, udhëhiqen nga ana shpirtërore dhe nga rregullat dhe normat hyjnore të përcaktuara nga i madhi Zot. Shpirtrat dhe fizikun e tyre i bashkon Teuhidi (njësimi) dhe adhurimi i Krijuesit të Plotfuqishëm. Prandaj shikojmë besimtarët në haxh të recitojnë të gjithë së bashku lutjen e njohur ndryshe si Telbija: “Lebbejkell-llahumme ue lebbejk. Lebbejke la sherike leke lebbejk. Innel-hamde uenni’mete leke uel mulk la sherike lek”, që do të thotë: “Të përgjigjem Ty, o Allah, të përgjigjem. Të përgjigjem e Ti nuk ke, as shok, as ortak. Vërtet të gjitha falënderimet janë për ty. Mirësitë dhe sundimi janë të Tuat. Ti je i pashoq.”
Nga ana tjetër, haxhi kërkon durim, përkushtim dhe mund. Askush nuk mund ta kryejë atë pa lodhje dhe mundim, mirëpo në të njëjtën kohë lodhja dhe mundimi kthehen në kënaqësi shpirtërore dhe rritje besimi të papërshkrueshme, që le një ndikim tepër të thellë në shpirtin e besimtarit. Ky ndikim shpirtëror dhe kjo kënaqësi e veçantë ripërtërijnë jetën e besimtarit. Pikërisht për këtë Profeti (alejhis-salatu ues-selam) thotë: “Kush e kryen haxhin duke mos u marrë me fjalë dhe vepra të pahijshme do të kthehet sikur në ditën që e lindi nëna.” Buhariu dhe Muslimi. Pra, me gjynahe të falura dhe me natyrë dhe shpirt të pastër.
Po të ndalemi në itinerarin e riteve të haxhit do të shikojmë dhe prekim fare qartë urtësitë e shumta të tij.
Udhëtimi për në Mekë nga e gjithë bota simbolizon udhëtimin e njeriut nga kjo botë në tjetrën.
Vetë Qabeja është simbol i vetë adhurimit, sepse besimtarët kudo në botë drejtohen pikërisht në drejtim të saj, madje namazi nuk vlen ndryshe. Për këtë arsye Qabeja quhet Kibla (drejtimi) e muslimanëve anembanë botës dhe kjo është arsyeja kryesore përse besimtarët muslimanë e kanë zemrën e tyre të lidhur ngushtë me qytetin e bekuar të Mekës në përgjithësi dhe me Qaben në veçanti. Ajo është faltorja që tërheq në formë magnetike të gjitha zemrat dhe shpirtrat e besimtarëve kudo qofshin ata. Të gjithë muslimanët kanë një dashuri të zjarrtë për ta vizituar atë vend për tek i cili ata drejtohen pesë herë në ditë gjatë faljes së namazit. Prandaj, kur vjen dita dhe besimtari qëndron përpara kësaj shtëpie të shenjtë, adhurimi merr përmasa dhe dimensione të tjera përjetimi.
Veshja e ihramit të bardhë, pa mëngë dhe qepje, tregon për përulësinë dhe robërinë para Allahut të Plotfuqishëm, si dhe barazinë mes njerëzve të cilët me të njëjtën pamje realizojnë të njëjtat rite pa dallim mes të dobtit dhe të fortit, mes të varfrit dhe të pasurit, mes të bardhit dhe të ziut, mes punëtorit dhe padronit, mes popullit dhe pushtetarit. Gjithashtu ihrami i bardhë simbolizon veshjen e qefinit dhe daljen nga kjo botë pa marrë gjë me vete, sepse në botën tjetër, përveç punëve të mira nuk vlen më asgjë.
Tavafi rrotullimi rreth Qabes simbolizon nënshtrimin ndaj Krijuesit Suprem, ashtu sikur i gjithë universi me gjithë trupat qiellorë janë vënë në lëvizje në shenjë nështrimi dhe dorëzimi.
Mbledhja dhe tubimi i të gjithë haxhinjve në Arafat simbolizon përulësinë e krijesave para Krijuesit, lutjet përgjëruese, paraqitjen e nevojave dhe halleve, si dhe paraqitjen tonë para Allahut Fuqiplotë në Ditën e Gjykimit, ku do të japim llogari për gjithçka që kemi vepruar.
Vatja dhe qëndrimi gjatë natës në Muzdelife pas perëdimit të diellit në ditën e Arafatit duke bërë istigfar dhe duke përmendur Allahun (duke bërë dhikër), tregon se nëse e përmendim Zotin tonë dhe Ai do të na përmendë, siآç na tregon vetë Kurani, ku Allahu thotë: “Më kujtoni Mua që Unë t’ju kujtoj juve…” Bekare 152. Gjithashtu tregon për nevojën e madhe që kemi për mëshirën e gjerë të Mëshiruesit dhe se nëse Ai nuk na mëshiron jemi vërtet të humbur.
Vajtja në Mina, qëndrimi atje dhe hedhja e guralecëve në vendet e caktuara dhe bërja e kurbanit tregojnë për përkushtimin e besimtarit për të adhuruar Allahun ashtu siç do Ai, dhe ndjekjen me përpikmëri të traditës profetike, si dhe ringjalljen e sakrificës së Profetit Ibrahim, i cili ishte i gatshëm të flijonte birin e tij të vetëm për të çuar në vend urdhrin e Zotit.
E pra, në çdo detaj të riteve të haxhit, besimtari adhuron, mëson, përkujtohet, edukohet, disiplinohet, vëllazërohet dhe pastrohet në të gjithë qenien e tij. Falënderimet i takojnë Allahut të Gjithëdijshëm, që na mëshiroi dhe na begatoi duke na bërë të mundur ta njohim dhe ta adhurojmë Atë.