FETVAJA KUNDËR KAMATËS E KRYETARIT TË KOMUNITETIT MYSLIMAN, BEHXHET SHAPATI PAS HYRJES SË ITALIANËVE NË SHQIPËRI
Kryesia e Komunitetit Musliman të Shqipërisë
Tiranë, me 21-XI-1939
QARKORE
Të gjithë Kryemyftive, Myftive, N-Myftive, e Imametnive në Shqipni
Kemi pasur rastin të dëgjojmë se disa predikues kanë predikuar se të dhënët të holla me kamatë, tue përdorur atë sistemin e dredhisë (hile), që disa kësaj dredhije i kanë futur dhe shtuar dhe një bisht legjitim, është e lejueshme, d.m.th. ajo vepër e bën të lejueshme kamatën, që me fjalën e qartë dhe të preme të Perëndisë, u madhëroftë Emri i Tij (Ue harreme Rriba), që d.m.th. E ndaloi Kamatën, është kryekëput e ndaluar. Me predikimin e atij sistemi që do ta shpjegojmë më poshtë të bëhet e lejueshme (Halal), ky lloj predikimi ose shpjegimi është një gabim trashanik sepse duhet të kuptohet prej të gjithëvet që, në Kur’an gjendet e ndaluese me një argument të premë; me të vënit në veprim të tillë dredhi a hile, të bëhet e lejueshme s’është tjetër veçse një tronditje e urdhrave të Sheriatit, aq sa shkakton mosbesim ndaj urdhënave të Sheri Sherifit. E për të drejtuar këtë keqkuptim, ca më mirë absurd u shtrënguam të sqarojmë atë çështje a problem për t’i dhënë dritë, si opinionit ashtu dhe besnikëve të gabuar, si edhe t’u dëftejmë lartësinë plot logjikë të urdhrave Kuranore, e për me ia arritur kësaj pike do t’u rrëfejmë çështjen, si dhe logjikën e ndalimit:
Në kohën e parë, pre-islamike ose të injorancës, qe bërë zakon ndër arabë me dhënë të holla me kamatë: 100 franga ar për 110 franga me një kohë (afat) për një vit. Por kur vinte koha e pagimit dhe debitori nuk kishte të paguajë, në marrëveshjen e kreditorit me debitorin shtohej afati ashtu dhe kamata, kështu u përsëritte shumë herë dhe kohë mbas kohe aq sa kamata arrinte të kapërcejë kryegjënë (borxhin e marrë fillestar). Këtë vepër Islamizmi e ndaloi rreptësisht me dispozitat kuranore, ku urdhëron: Ue Harreme Rriba.
Arsyet dhe logjika e ndalimit
Feja Islame është themeluar mbi bazën e bujarisë, mbi parimin e ndihmës reciproke kundrejt njëri-tjetrit, mbi forcimin vëllazëror, duke punuar kolektivisht për zhvillimin e tregtisë, Industrisë, Bujqësisë, Zejtarisë e pa kundër-shpërblim dhe mos-marrje të pasurisë së tjetrit pa të drejtë.
Pra, kur të merret dhe të lejohet kamata shkatërrohen të gjitha ato që u thanë më lart, sepse një njeri po të mësohet me kamatë, dhe sheh se fiton dhe siguron ushqimin duke përdorur atë, ai largohet nga tregtia dhe formimi i shoqërisë për me bashkue kapitalet e me zhvillue shoqërira industriale, me zhvillue zejtarinë e me ngrehun fabrika të ndryshme, që kështu të gjithë njerëzit të përfitojnë. Kapitalistët duke lëvruar kapitalet, të vobektit duke punuar si punëtorë, në tregti e në fabrika industriale, në këtë mënyrë stabilizohet e sigurohet jetesa e të gjithëve dhe zhduken paudhësitë e kusëritë, grabitjet, ligësitë e të tjera dhe shtohet bujaria, dashuria dhe bashkëpunimi vëllazëror njëri me tjetrin.
Kamata meqë punohet dhe përdoret nga pasanikët dhe të vobektët, pra i pasuri a pasaniku me anë të kamatës shtyp të vobektin duke i marrë pasurinë atij pa të drejtë, kur Feja sigurimin e pasurisë e ka në një gradë me sigurinë e jetesës njerëzore.
Shihet në librat e Jurisprudencës (Fik-hut), se një dijetar ka treguar një sistem dredhie (hile) për lejimin dhe marrjen e kamatës, kështu:
Kur X i jep me kamatë Y 100 fr.ar dhe dëshiron të marrë për të 100 fr.ar kamatë, sipas godisë (marrëveshjes) që do të bëjnë, fr.ar 40%; në lidhjen e aktit i jep a i dorëzon në dorë 100 fr.ari dhe për këtë 40% fr.ar, dhënësi i shet marrësit një plaçkë – libër ose tjetër – për 40 fr.ari dhe mandej (marrësi i plaçkës) ky ia bën dhuratë këtë plaçkë dhënësit dhe akti bëhet për 140 fr.ari, 100 të marra hua dhe 40 të ardhura nga vlefta e shitjes së stipuluar (me detyrim) e kështu predikuesit këtë sistem e konsiderojnë një liri legale për kamatë. Por konsiderimi është i gabuar krejtësisht dhe kryekëput, sepse dijetari në fjalë nuk ka pasur kurrë për qëllim lirimin e kamatës së një gjëje, që ishte ndaluar me urdhër të prerë të Kur’anit, që nuk mund të ndryshohet kurrë, dhe se me një tillë predikim shkatërrohet – Zoti na ruajtë –mos besimi në dispozitat kuranore që bie një anarshi në Fenë Islame. Qëllimi i atij dijetari është ky:
Si dihet në Sheriat gjendet një dispozitë që thotë se: ajo gjë që është e ndaluar marrja është e ndaluar edhe dhënia. Pra, huamarrësi me kamatë ka të drejtë t’i drejtohet gjykatësit duke thënë, se sa do që unë me aktin e firmuar nga ana ime, kam pohuar se kam marrë 100 fr.ari hua e 40 fr.ari kam blerë një plaçkë edhe nuk i kam paguar e kështu e gjithë shuma figuron 140 fr.ari të detyruar për të paguar unë, por mbasi në realitet plaçkë s’kam marrë, të 40 fr.ari janë kamatë e për mos të figuruar kamatë është bërë ky stimulim dhe në bazë të dispozitës (marrja e një gjëje që është e ndaluar, edhe dhënia është e ndaluar), prandaj kërkoj të ndalohet huadhënësi nga kërkimi i 40 fr.ari, që figurojnë si vleftë e shitjes, ose të m’i kthejë në rast që i ka marrë huadhënësi. Gjykatësi këtë padi të huamarrësit nuk ia dëgjon me qenë që ka një pohim të qartë, që është debitor për fr.ari 140… e kështu e ndalon huamarrësin nga padia; por nuk duhet të kuptohet se me këtë sistem kamata bëhet e lejueshme e nuk ka mëkat, përkundrazi mëkati vazhdon edhe nuk falet kurrë. Si kjo është edhe çështja e Zeqatit, që tregohet në librat e Jurisprudencës (Fik-hut), ku thuhet se pa mbaruar vitii përdorimit të mallit të zeqatuem (që përmbush kushtet e zekatit) në dorë të pasanikut, ky një ditë më parë , pasuninë që i përket zeqatit ia bën dhuratë fëmijës, edhe shpëton nga zeqati me pretendim se nuk u plotësua i tërë vitit në dorë të tij. Kjo s’është tjetër veçse një vepër dredhake, që e ndalon tagrambledhësin nga kërkimi i zeqatit, edhe jo se shkarkohet i detyruari nga detyrimi i Zeqatit. Gjithnjë ky, si ai i kamatës janë përgjegjës e mëkatbërës.
Predikimet e bëra gjer sot i kanë hedhur një njollë, si dhe një përbuzje besimit kuranor, si edhe kanë shkaktuar thash e thëna në opinion kundër atij besimi. Pra, urdhërojmë shpjegimin e çështjes si më sipër dhe porosisim të gjithë predikuesit, që predikimet t’i bëjnë me studime t’imta e me gjykim logjik dhe mendor, në rast të kundërt do të jemi të shtrënguar me marrë masat e duhura kundër atyre që veprojnë kundra kësaj porosie. Veçanërisht Krye-Myftitë, Myftitë e Nën-Myftitë e kanë për detyrë të kontrolluarit e predikimeve të predikuesve e mos me i lënë të bëjnë predikime si më sipër absurde.
Kryetar i Komunitetit Musliman
Dr. Behxhet Shapati
Kultura Islame, nëntor 1939, nr. 3, fq. 118-121.
Shënim i Redaksisë:
Jo pa qëllim e botuam këtë fetva të kryetarit të KMSH-së dr. Behxhet Shapati, i cili me këmbëngulje iu drejtohet të gjithë predikuesve në shkallë vendi, që të kenë kujdes ndaj asaj çka predikojnë dhe pikërisht ndaj marrëveshjeve kamatore. Në thelb të kësaj fetvaje qëndron se fetvaja e kamatës, pra ndalimi kategorik i dhënies dhe i marrjes së kamatës nuk ndryshojnë pavarësisht rrethanave të krijuara. Kjo fetva ka vlera historike, po aq sa dhe aktuale për shkak se ne kemi kaluar në rrethana të reja ekonomike, ku në të njëjtat rrethana po përjetonte edhe asaj kohe populli shqiptar. Bëhet fjalë për nëntorin e vitit 1939, kohë kur pushtimi italian e kishte ndryshuar thellësisht situatën ekonomiko-sociale e politike. Qeveritarët italianë të bindur se do të instaloheshin për një kohë të gjatë në Shqipëri kishin vendosur ta aneksonin plotësisht Shqipërinë dhe ta kolonizonin. Për këtë kishin filluar një program të fuqishëm investimesh në infrastrukturën rrugore e ekonomike të vendit, të cilat do të sillnin për pasojë edhe ndryshime të reja sociale, e po ashtu edhe në marrëdhëniet tregtare. Hapja e degëve të bankave italiane si Banco di Napoli, Banco di Roma etj., futi në qarkullim edhe marrëveshjet kamatore. Me këtë këshillë dr. Behxhet Shapati iu tërheq vëmendjen predikuesve të kenë kujdes për marrëveshjet e reja, që nënshkruanin me njëri-tjetrin. Në një nga numrat në vijim të revistës Kultura Islame na përcillet një hytbe e hafiz Sheuqet Boriçit, i cili e kishte këshilluar xhematin e Shkodrës për dëmet e kamatës në bazë të frymës së dhënë nga fetvaja e qarkulluar në të gjithë vendin e dr. Behxhet Shapatit. Një tregues i mirë ky, që hoxhallarët tonë e kanë këshilluar popullin drejt së mirës, për ta larguar nga e keqja. E njëjta situatë paraqitet edhe sot. Neve na duhet të përdorim shërbimet e bankave konvencionale, ku terminologjia e re bankare përfshin brenda interesat e kamatën. “Kredi të buta, shitje me këste me interes, overdraft” etj., fshehin brenda interesin dhe kamatën, të cilën Allahu i Madhëruar e ka ndaluar përfundimisht në formë të prerë: Ue Harreme Rriba.