Historiku dhe disa fakte interesante rreth Ezanit

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 17 minuta lexim

Falënderimi i takon Allahut, Madhështorit të Gjithëpushtetshmit, i Cili është Një i vetëm dhe pa shok, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi vulën e profetëve Muhamedin, familjen e tij të nderuar, shokët e tij besnik dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në ditën e gjykimit.

Ezani është thirrja që e dëgjojmë pesë here në ditë, i cili kumbon në zemrat tona, sjell jetë, dëbon dembelizmin dhe mbjell gjallëri. Për çdo ditë të re duket sikur ai thërritet dhe përhapet me një melodi të re, depërton në zemrat e besimtarëve para se të arrijë në veshët e tyre.

Fjalët e tij hyjnë në çdo shtëpi dhe shpirtrat e besimtarëve bekohen me të.

Ezani është slogani i Islamit dhe kryefjala e monoteizmit (Teuhidit), është zëri i së vërtetës, është thirrja drejt saj, “E kush flet më bukur se ai që i fton njerëzit drejt Allahut, bën vepra të mira dhe thotë: “Unë, me të vërtetë jam mysliman.” Fusilet: 33.

Por si erdhi tek ne? Si u bë slogan i kësaj feje? Si arritën muslimanët në këtë përfundim (në ezanin që dëgjojmë sot)? Të gjitha këto janë pyetje, përgjigjet e të cilave duhet t’i njohë çdo kush që e do këtë ezan, me të cilin Allahu na dalloi nga popujt e tjerë.

 

Historia e Ezanit

Abdullah bin Omeri -Allahu qoftë i kënaqur me të- thotë: “Kur muslimanët erdhën në Medinë, ata tuboheshin me vështirësi për faljen e namazit, sepse nuk thirrej për të. Ata një ditë diskutuan rreth kësaj dhe disa thanë të merrej një këmbanë ashtu siç vepronin të krishterët, ndërsa të tjerët sygjeruan, të merrej një buri (brir) ashtu siç vepronin hebrenjtë. Atëherë Umeri tha ‘Pse nuk e caktoni një njeri që të ftojë për në namaz’. Pastaj i Dërguari i Allahut -paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të-, tha: “O Bilal, ngrihu dhe thirr për namaz.” Buhariu

Në ditët e konsultimeve për mënyrën e lajmërimit të kohëve të faljes, Ebu Abdullah bin Zejdi kishte parë në ëndërr se një njeri sillej rreth tij me kambanë në dorë dhe ai e pyeti:

– O robi i Zotit, a do të ma shesësh mua atë kambanë?

– Ç’do të bësh me të? Pyeti ai.

– Duke i rënë kambanës, ne do të lajmërojmë për faljen e namazit me xhemat.

– A të tregoj diçka më të mirë se kjo? – tha ai.

– Sigurisht – u përgjigja.

Atëherë ai më shqiptoi: “Allahu ekber, katër herë; eshhedu en la ilahe ilallah, dy herë; eshhedu ene Muhameden resulullah, dy herë; haj ala sala –dy herë; haj alal felah, dy herë; Allahu ekber, një herë; La ilahe ilallah, një herë. Pastaj tha: “Kur të duash të falësh namazin, (bëhet fjalë për ikametin) këndo: “Allahu ekber” dy herë, fjalitë e tjera nga një herë dhe në fund “Allahu ekber” dy herë.

Të nesërmen Ebu Abdullah bin Zejdi ia tregoi Profetit -paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të-, ëndrrën e tij, e ai i tha “Ajo ëndërr, dashtë Allahu, do të jetë e vërtetë. Mësoji Bilalit atë që ke parë dhe ai ashtu do të këndojë ezanin, sepse ai ka zë më kumbues se ti.” Bilali pasi që e mësoi tekstin e lartpërmendur, e thirri ezanin. Kur Umer bin Hatabi dëgjoi ezanin në shtëpinë e tij, ai, me xhybe të hedhur krahëve, nxitoi për të ardhur në xhami dhe i tha Profetit -paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të-: “O i Dërguar i Allahut! Pasha Atë, i Cili të ka dërguar me të vërtetën, edhe unë kam parë në ëndërr një tekst të tillë.”

– Lavdi ai takon Allahut – tha Pejgamberi. Ahmedi, Tirmidhiu, Ibn Maxhe, Malik në Muveta

Në përmbledhjen e haditheve Ebu Daudit shtohet: I Dërguari i Allahut -paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të-, mendonte për mënyrën e thirrjes, që njerëzit të mblidheshin për faljen e namazit me xhemat. Disa sygjeruan nxjerrjen e flamurit, të tjerët për t’i rënë borisë dhe dikush për t’i rënë kambanës. I Dërguari i Allahut -paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të-, nuk e pëlqeu asnjë prej tyre. Në këtë diskutim i pranishëm ishte edhe Abdullah bin Zejdi, i cili gjithashtu mendonte për mënyrën e mbledhjes së myslimanëve për kohën e faljes. Ai nën ndikimin e këtyre mendimeve ra në gjumë, ku pa një ëndërr. Në këtë ëndërr iu tregua teksti i ezanit, të cilin të nesërmen ai ia tregoi Profetit -paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të-.

Umerit në të njëjtën mënyrë i ishte shfaqur teksti i ezanit para njëzet ditësh, por ai nuk ia tha askujt dhe kështu ia kaloi Abudullah bin Zejdi.

 

Disa fakte interesante rreth Ezanit

Allahu i Madhëruar thotë në Kuranin Famëlartë: “Ata duan ta shuajnë dritën e Allahut me gojën e tyre”.

Padyshim se sot, lufta kundër islamit në përgjithësi është përqendruar në luftën e fjalës dhe argumentit, ku mediat dhe podiumet e ndryshme përpiqen që nëpërmjet luftës së fjalës dhe komunikimit, të hedhin baltë mbi Islamin dhe të shuajnë dritën e tij.

Feja Islame gjatë historisë së saj është përballur me luftë duke i bërë ballë përplasjeve fizike që kanë ushtruar forca të ndryshme, që në fillimin e Islamit, pasuar me kryqëzatat dhe vazhduar me luftërat nën slloganin lufta kundër terrorizmit apo ekstreizmit. Megjithatë duhet theksuar se kjo luftë ka qënë në periudha të ndryshme dhe me ndërprerje, nërsa lufta e propagandës, përbaltjes, shuarjes së dritës së Islamit nëpërmjet gjuhëve, medias etj, nuk ka reshtur thuajse asnjë ditë.

Kështu që natyrshëm vjen pyetja: Si mund të parashikojë Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut mbi të) se do të vijë një kohë kur lufta kundër Islamit do të zhvillohet dhe fokusohet vetëm me gojë! Ata duan ta shuajnë dritën e Allahut me gojët e tyre, por Allahu ka vendosur që ta përsosë dritën e Vet, edhe sikur mohuesit ta urrejnë këtë gjë.

Ky varg na bën me dije ne si besimtarë, që të mos pikëllohemi, sepse kjo luftë do të jetë e vazhdueshme deri në ditën e fundit, por sërish Allahu do bëjë që ajo të dështojë.

Sipas qendrës së famshme Amerikane “Pure Search” dhe faqes numër një për statistikat rreth shkencëtarëve dhe studiuesve, pohohet se Islami është feja me përhapjen më të shpejtë në botë. Ka raste ku përhapja e Islamit në disa vende si Australia arrin shifra tejet mbresëlënëse e pasuar nga Kanadaja Amerika. Në Francë përhapja e Islamit gjithashtu është një trend në rritje, aq sa nëse vazhdon në këto shifra mund të kthehet në një kontinent islamik.

Përpara madhështisë së Islamit, padyshim mendjet mbetën të shtangura. Të gjithë këta njerëz në perëndim që kanë studiuar Islamin dhe e kanë pranuar atë nuk e kanë bërë në mënyrë të rastësishme, apo të pavullnetshme, a nuk kanë intelekt shkencor gjithë këta njerëz?!

Qarqe të caktuara përpiqen vazhdimisht që të bëjnë të pranueshme tezën se Islami është përhapur me forcë, por në ditët që ne po jetojmë a po përhapet Islami me shpatë dhe forcë?!

Ka një fakt interesant se feja Islame e ka forcën e saj në vetvete, pra ajo është e fuqishme në vetvete, ndaj ndodh që shpesh herë kur flet për Islamin do gjesh njerëz që i urrejnë dhe luftojnë ata që flasin për të, pra ata nuk luftojnë personin, por mësimet që ai bart dhe fton.

Një nga gjërat që urrejnë ateistët dhe islamofobët, është dhe ezani, sepse ai është përçimi i drejtpërdrejtë i davetit, ku muezini nëpërmjet ezanit fton çdo kënd që e dëgjon, ai shpalos madhështinë e Allahut, dhe deklaron me zë të lartë se Allahu është Zoti i vetëm dhe meritori për çdo adhurim, madhërim dhe përulje.

Ezani është thirrja e përhershme të cilin muslimanët e përçojnë nëpërmjet minareve të xhamive, në qytete dhe fshatra, kur janë në bashkësi apo vetëm, kur janë vendas dhe udhëtarë, pra ai është simbol tregues i Islamit dhe muslimanëve.

Por le të meditojmë disa çaste rreth ezanit për të zbuluar disa nga të veçantat dhe të fshehtat e tij.

Para së gjithash, duhet të pohojmë se Ezani është ligjëruar nëpërmjet inspirimit të cilin e ka pranuar dhe aprovuar Profeti salallahu alejhi ue selem, për të qënë kështu dizpozitë hyjnore. Pra ai është nga Allahu i Lartësuar.

Le të meditojmë së bashku rreth këtij teksti kaq të bukur, lidhjen që ka mes fjalëve të tij me kohën (muajt dhe vitin), pra ky ezan i cili nuk resht përgjatë gjithë vitit dhe i cili thërritet thuajse në çdo cep të globit.

Allahu Ekber, Allahu Ekber,

Allahu Ekber, Allahu Ekber, (Allahu është më i madhi).

Eshhedu en la ilahe ilallah, Eshhedu en la ilahe ilallah (dëshmoj se ska Zot tjetër veç Allahut)

Eshhedu ene Muhameden Resulullah, Eshhedu ene Muhameden Resulullah (Dëshmoj se Muhamedi është i dërguar i Allahut)

Haj ala Sala, Haj ala Sala (ejani në namaz)

Haj ala felah, Haj ala felah (ejani në shpëtim)

Allahu Ekber, Allahu Ekber

La ilahe ilallah (ska Zot tjetër veç Allahut)

Nëse shohim me kujdes, Ezani është i përbërë nga 12-të fraza, të cilat janë të barabarta me numrin e muajve të vitit.

Pra ky ezan thirret përgjatë këtyre dymbëdhjetë muajve që ka viti. Madje nëse shohim në frazën e fundit: La ilahe ilallah “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut” për të cilën Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:  “Fjala më e mirë që kam thënë unë dhe profetët para meje është: “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut”, gjejmë se edhe ajo përfundon me dymbëdhjetë shkronja.

Edhe fraza: Muhamed Resulullah “Muhamedi është i Dërguari i Zotit” përbëhet nga dymbëdhjetë shkronja, dhe çudia vazhdon se edhe fjala “muaj” është përmendur në Kuran veçmas dymbëdhjetë herë, pra njësoj sa muajt e vitit.

Për habi kjo nuk është e veçanta e vetme në ndërtimin strukturor të ezanit, madje ai ka një harmoni të jashtëzakonshëm me rekatet dhe namazet që falen si dhe me shumëfishimin e shpërblimit që fitohet prej tyre.

Le të shohim tablonë e mëposhtme për të zbuluar këto mrekulli dhe këto çudira që fshihen tek ezani.

Fjala edhan (me llojet e saj), përmendet në Kuran 5 herë. Fjala “edhene” përmendet dy herë, “muedhin” dy herë dhe “edhin” një herë, pra gjithsejt 5 herë, aq sa thirret ezani brenda një dite dhe një nate.

Nëse i numërojmë fjalët e ezanit në arabisht prej fillimit deri në fund do shohim se janë gjithsejt 50 fjalë. Ne e dimë se në fenë tonë një punë e mirë shpërblehet 10 fish. Ezani përsëritet 5 herë brenda 24 orëve, atëherë 5 x 10 = 50 sevape, pikërisht aq sa janë edhe fjalët e ezanit.

Aspekt tjetër. Ne e dimë se numri i rekateve të obliguara gjatë ditës dhe natës është 17 rekate (2 sabahu, 4 dreka, 4 ikindija, 3 akshami dhe 4 jacia), por edhe numri i shkronjave të përdorura në ezan është po 17-të shkronja -nga 28 që ka alfabeti arab-. Pra në ezan nuk gjenden të gjitha shkronjat e gjuhës arabe, por në të gjenden vetëm aq sa është numri i rekateve.

Dhe çudia vazhdon, sepse namazi për të cilin ezani është bërë thirrje dhe është i ndërtuar nga shtatëmbëdhjetë shkronja është obliguar në formën që njohim tani në natën e Isransë dhe surja Isra renditet e shtatëmbëdhjeta në Kuranin famëlartë.

Në ezan fjala më e përdorur është emri i Allahut, ashtu sikur edhe në Kuran fjala më e përdorur është emri Allah, pra ezani fillon me fjalën Allah (Allahu Ekber) dhe mbaron po me fjalën Allah (La ilahe ilallah).

Emri ALLAH, përbëhet prej tre bashkëtingëlloreve të gjuhës arabe, Elifit, Lamit dhe Hasë. Elifi në emrin ALLAH gjatë ezanit përmendet 47 herë, lami 45 dhe haja 20 që bëjnë gjithsejt 112 herë. Emri Allah përmendet për herë të parë në suren Fatiha dhe për herë të fundit në suren Ihlas. Numri i sureve prej Fatihas deri te Ihlasi është 112.

Pra Allahu i Madhëruar e ka ndërtuar këtë ezan me një strukturë të përsosur të në përputhje me kohën që therritet, të përshtatshëm me qëllimin e tij dhe me kuptimin e fjalëve që mban.

Sikurse e ka bërë atë një mrekulli me të cilën Allahu i Lartësuar sfumon luftën mediatike (të gjuhëve), për ta bërë kështu dritën e Tij (Islamin) të plotë dhe të përjetshme.

Për: Bledar Tefik Haxhiu