Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë
Në prill të vitit 2010, në qytetin e Kavajës, me iniciativën dhe mbështetjen e tri OJF-ve islame, përkatësisht shoqatave “Visare” “Agu” dhe “A.I.I.T.C”, u organizua një seminar me temë: “Daveti dhe Bashkëpunimi, Përgjegjësi Morale dhe Hyjnore”.
Në këtë takim morën pjesë një grup i madh hoxhallarësh nga e gjithë Shqipëria. Nga ligjëruesit në këtë seminar, ndër të tjera u theksua rëndësia e frymës së bashkëpunimit, të konsultimit, bashkimit dhe të organizimit mes hoxhallarëve të Shqipërisë. Seminari u prit shumë mirë nga të pranishmit dhe u kërkua që kjo frymë të mos ngelet vetëm në organizime të tilla takimesh, por të vazhdojë edhe më tej.
Ky grup diskutimi ra dakord parimisht për domosdoshmërinë e krijimit të një reference unike fetare për xhematet e Shqipërisë, ku do të unifikohen sa të jetë e mundur fetvatë dhe qëndrimet fetare, karshi problematikave madhore, me të cilat përballet feja islame në këto troje. Kjo erdhi pas konsultimeve akademike nën frymën e argumentit dhe realitetit që na rrethon. Me fjalë të tjera muslimanët në vendin tonë kanë nevojë të unifikojnë diskursin e tyre fetar, ose ndryshe ligjerimin e tyre publik të Islamit dhe kjo do të jetë një nga sfidat më të vështira dhe të vazhdueshme, me të cilën do të përballet Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë.
Një qëllim tjetër i themelimit të lidhjes së hoxhallarëve të shqipërisë ështe dhe ngritja e figurës së hoxhës, dhënia e tij vendin e merituar në shoqëri dhe kjo duke i ardhur në ndihmë me literaturën e duhur islame, me ndihmesën morale dhe materiale me qëllim që të mos jetë viktimë e vuajtjeve ekonomike, të cilat do ta detyronin të merrej me punë të tjera duke lënë pas dore joqëllimisht detyrën e tij fisnike, thirrjen islame.
Në Shtator të vitit 2010 Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë legalizohet me vendim të Gjykatës së rrethit Gjyqësor, Tiranë. Gjithashtu, Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë është grupimi më i madh që merret me hoxhallarët me shtrirje në të gjithë territorin e Shqipërisë. Deri tani Lidhja e Hoxhallarëve e ka përqëndruar punën e saj në hartimin e platformës strategjike të saj të konkretizuar në projekte të ndryshme afatshkurtër dhe afatgjatë, për të cilat shpreson të gjejë mbështetje të gjerë brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe të shkurtër janë marrë kontakte me anëtarë të saj në rrethe të ndryshme të vendit, duke u sqaruar atyre objektivat dhe synimet e saj. Gjatë kësaj periudhe është mbledhur një shumë modeste e sadakave dhe zekatit nga besimtarë të ndryshëm, të cilat u janë shpërndarë disa prej hoxhallarëve në nevojë. Dhe kjo është një nga qëllimet e themelimit të lidhjes së hoxhallarëve të shqpipërisë.
Me rastin e fatkeqësisë së përmbytjeve në Shkodër, është bërë një vizitë në Myftininë e këtij qyteti në shenjë ngushëllimi dhe solidariteti me zonat e përmbytyra dhe më pas është dhuruar një shumë e konsiderueshme e mbledhur nga kontributet e besimtarëve në ndihmë të xhamive dhe njerëzve të dëmtuar. Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë ka bërë një deklaratë publike, duke treguar qartë pozicion juridik islam rreth mbulesës islame. Kjo deklaratë është publikuar në shume media vendase dhe të huaja. Për nder të ketij obligimi madhor, lidhja ka organizuar një simpozium në qytetin e Kavajës me temë: “Mbulesa islame obligim dhe nder”. E gjithë kjo është një pjesë e vogël krahasuar me platformën dhe strategjitë tona dhe asaj që ne kemi marrë përsipër të realizojmë në dobi të islamit. Për këtë arsye, na nevojitet ndihma e sinqertë e të gjithë besimtarëve, duke filluar që nga lutjet e tyre, heqja e paragjykimeve dhe çdo kontribut tjetër në dobi të qëllimeve të shenjta islame.