Hoxhallaret.al dhe revista Kibla, dy projekte ambicioze
Dy projektet më ambicioze të LHSH-së portali hoxhallaret.al dhe revista tremujore Kibla u prezantuan përpara publikut të gjerë. Me një veprimtari promovuese këto dy projekte u prezantuan imtësisht mbi objektivat dhe qëllimet nga anëtarët e redaksisë dhe bashkëpunëtorët e saj. Tashmë është viti i tretë i botimit të revistës Kibla dhe revista me strukturën e vet të rubrikave të larmishme e ka tërhequr vëmendjen e lexuesit. Revista tashmë shpërndahet në të gjithë Shqipërinë, Kosovën dhe në Evropë. Kryetari i LHSH-së hoxhë Justinian Topulli bëri një paraqitje të përgjithshme të punës së dhe të objektivave të këtyre dy projekteve, si dhe bëri një përmbledhje të diskutimeve të para kur do të ngrihej redaksia e revistës Kibla. Një nga vështirësitë më të mëdha të kësaj kohe është leximi, dhe jo vetëm të shkruash e të përgatitësh një revistë.
Projekti i revistës Kibla u paraqit nga kryredaktori i saj hoxhë Mustafa Tërniqi, që ndër të tjera theksoi, se ky është një projekt i vënë në dispozicion për të gjithë, ku në shkrimet e botuara kërkohet një punim serioz dhe akademik, i pajisur me referencat e nevojshme, sidomos në rubrikat e komentit të ajetit kuranor dhe të hadithit. Gjithashtu dha shpjegime të hollësishme edhe për rubrikën e fetvasë, e cila është një produkt i Komisionit të Fetvasë, që funksionon pranë Lidhjes së Hoxhallarëve. Ky komision përbëhet nga 8 anëtarë, të cilët diskutojnë me seriozitetin maksimal pyetjet që i paraqiten këtij komisioni dhe këto më pas publikohen në faqen zyrtare dhe në revistën Kibla. Rubrika Histori është një nga më të lëvruarat dhe përmbi historinë e muslimanëve të këtij vendi. Mbi nevojën dhe domosdoshmërinë e historisë dhe të regjistrimit të saj kanë një rol edhe revistat e ndryshme të botuara qysh nga Pavarësia e deri më sot, theksoi historiani Edmond Sharka njëherazi edhe bashkëpunëtor i revistës me shkrimet e tij.
Projekti i dytë i këtij takimi që u prezantua ishte portali hoxhallaret.al, që u prezantua nga editori i kësaj faqeje Roald Hysa. Tashmë që kjo faqe është on line do të përmbledhi nëpërmjet rubrikave të saj kontributet thelbësore të dhëna nga hoxhallarët shqiptarë për këtë vend. Në këtë faqe do të ketë info nga më të ndryshme nga jeta e hoxhallarëve të shquar, kontributi i tyre, studime për ta, librat që kanë botuar, persekutimi politik që vuajtën gjatë regjimit komunist etj.
Ndërsa arkitekti dhe designeri Migen Qeraxhi në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh për domosdoshmërinë e informimit të të rinjve me atë që ka ndodhur gjatë diktaturës komuniste. Faqja on line hoxhallaret.al do të shërbejë si një mjet i mirë informues për atë kohë të errët. Teknologjia e fundit e komunikimit me imazhet dhe shpejtësinë e vënies në dispozicion të këtyre informacioneve që jepen në këtë faqe do të ndihmojnë shumë në këtë drejtim.
Numri i fundit i revistës Kibla i dedikohet me një dosier interesant rigjallërimit fetar islam, në disa nga qytetet kryesore të Shqipërisë, ndërsa në faqen on line është botuar një listë prej 105 figurash hoxhallarësh dhe besimtarësh të bashkësisë muslimane që u vranë apo vuajtën persekutimet e ndryshme nga regjimit komunist.