Hoxhallarët e shquar në trojet shqiptare në Maqedoni

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 22 minuta lexim

Nga Shemsedin Rexhepi

 

Në trojet shqiptare në Maqedoni mbas okupimit të vitit 1912, nga okupatorë të ndryshëm, një numër i madh i Hoxhallarëve vepruan në mënyra të ndryshme. Ata me mençurinë dhe dijen e tyre e mbrojtën popullatën muslimane, shqiptare, turke dhe boshnjake nga devijimi fetar dhe kombëtar. Me veprimtarinë e tyre patriotike nëpërmjet medresesë MEDAH, organizatës NDSH, Xhemijetit dhe JUXHEL ata sakrifikuan gjithçka për ndalimin e eksodit masiv nga këta troje. Numri i tyre është shumë i madh, dhe me vështirësi të madhe zgjodhëm tre hoxhallarë si fillim për të cilët mendojmë, se publiku do të jetë i interesuar për jetën dhe kontributin e tyre në dobi të Shqiptarisë. Allahu i shpërbleftë me Xhenetin Firdeus të gjithë këta hoxhallarë, që vepruan dhe sakrifikuan për të ardhmen tonë.

 

Mulla Ataullah Efendi Kurtishi (1874-1946)

Ataulla ef. Kurtishi u lind në vitin 1874, në fshatin Studeniçan të Shkupit, nga babai Kurtishi dhe nëna Husnije. U lind nga dy prind të devotshëm, u rrit dhe u edukua në një familje ku mbretëronte atmosfera fetare. Në Mekteb ai mësoi shkrim-leximin e Kuranit Fisnik, dhe disa parime fillestare në lidhje me fenë Islame. Pasi bashkëfshatarët mësuan se Ataullahi dëshironte të vazhdojë shkollimin në Shkup, por mjetet financiare ishin brenga dhe pengesa për realizimin e kësaj dëshire të flakët, Allahu xh.sh. zbriti mëshirë në zemrat e tyre dhe ata vullnetarisht u organizuan dhe i ofruan ndihmë materiale Ataullahit dhe familjes së tij. Pas sigurimit të mjeteve materiale për vazhdimin e shkollimit, Ataullah ef. në moshën dhjetëvjeçare shkon në Shkup për të vazhduar mësimet në Medresetë e Shkupit. Ataullah ef. në Shkup, edhe pse i vogël në moshë diti ta shfrytëzojë mirë kohën dhe rastin për të mësuar te shumë dijetarë eminentë, por myderrizi kryesor, tek i cili kishte ndjekur mësimet ishte mualimi i njohur i asaj kohe Hoxhë Nabi Efendi Memishi. Pasi i mbaroi me sukses mësimet në Shkup, ai nuk u kënaq me këtë, por do t’i drejtohej kryeqendrës së diturisë së atëhershme, Stambollit.

Pas tejkalimit përsëri të pengesës për shkollimin e tij, që ishte mungesa e mjeteve financiare, gëzimi ishte i madh, sikur ai kishte lindur për së dyti herë, prandaj në vitin 1891 i drejtohet Stambollit, ku për t’i ndjekur mësimet regjistrohet në Medresenë Fatih, medrese kjo e cila ishte nga më të njohurat në atë kohë, jo vetëm në Stamboll, por në botën islame në përgjithësi. Në Stamboll mësoi te profesorët më të njohur të asaj periudhe, mirëpo krahas shumë hoxhallarëve nga të cilët kishte marrë dituri, ndër hoxhallarët e tij më të njohur ishin: Hafiz Husein Nexhmuddin Rodomiri, Abdulfetah ef. Dagistan Bahduri, Hafiz Qamil Efendi Istambolliu (Imam në Aksaraj), Thani Haki Bursaviu, Haxhi Hafiz Ismailhaki Efendi Manastiri etj. Ataullahi meqë kishte talent dhe mendjemprehtësi i mbaroi mësimet me sukses të shkëlqyer, ishte student i dalluar në të gjithë lëmitë, ku dhe për shkak të talentit, aftësive, njohurive dhe përgatitjeve profesionale, ai mori titullin Muderriz i përgjithshëm. Ishte njohës i mirë i lëndës së fikhut dhe usuli fikhut, tefsirit të Kuranit, hadithit, si dhe kishte njohuri të mira edhe mbi shkencat e tjera islame dhe ato shoqërore, si filozofia, logjika, politika etj. Si rezultat i përgatitjes së tij profesionale, pas mbarimit të kësaj medreseje, ai po në këtë medrese inkuadrohet si mësimdhënës -profesor. Çdo kush që kishte ixhazet-diplomë dhe dëshironte të inkuadrohet si mësimdhënës në medresenë Fatih, krahas Ixhazetit (diplomës) që duhej ta posedonte, ai ishte i detyruar t’i nënshtrohej edhe një provimi të veçantë, i cili organizohej nga Meshihati i Perandorisë në Stamboll. Ky provim, nuk ishte aspak formal, sepse kandidati i nënshtrohej një sistemi dhe komisioni shumë të rreptë dhe serioz, që ishte i formuar nga dijetarë eminentë. Ataullahi gëzonte një autoritet jashtëzakonisht të madh, jo vetëm në mesin e popullatës në Stamboll, por këtë autoritet ai e gëzonte edhe në mesin e kolegëve dhe dijetarëve të asaj kohe, dhe u njoh si dijetar dhe orator i spikatur. Pasi fitoi të drejtën e mësimdhënies në Medresenë Fatih të Stambollit ai u angazhua edhe në jetën politike të kryeqytetit perandorak. Ataullah ef. kur ishte larguar për në Stamboll, vendlindja ishte nën sundimin osman, kurse tani kur ai rikthehet në vendlindje kishte ndryshuar shumëçka. Kishte ndryshuar edhe sistemi politik dhe vendi ishte tani nën okupimin e mbretërisë serbe, e cila ushtronte pa mëshirshëm dhunë mbi popullatën muslimane, ushqente përçarjet mes myslimanëve, preferonte një popullatë të paarsimuar, tentonte me çdo kusht të lëshojë rrënjët në këto troje, duke përdorur të gjitha mënyrat e dinakërisë, forcës, politikës, diplomacisë etj. Me të arritur në vendlindje i vetëdijshëm për gjendjen e popullit të tij, ai menjëherë fillon aktivitetet e tij, për mbarëvajtjen e Islamit dhe myslimanëve të këtyre trevave.

Në këto rrethana të reja dhe në këtë sistem tanimë krejt ndryshe që hoxha i urtë gjithherë e trajtoi si të huajin, ndiente përgjegjësi si islame, morale po pse jo edhe kombëtare, që me çdo mënyrë të mundshme ta ndihmojë popullin e tij. Hapat e parë të tij ishin se ai kishte filluar që rreth vetes të mbledhë njerëz për t’u konsultuar dhe ngjeshur radhët e veta, për të ngritur vetëdijen e besimtarëve islamë, se ky sistem nuk është i yni, prandaj edhe duhet trajtuar si i huaj. Normalisht, edhe organet dhe institucionet e sistemit të mbretërisë serbe nuk ishin aq naive, që të mos ndiejnë rrezik nga ky njeri, kështu që kur hoxha kishte tubuar njerëz rreth vetes dhe kishte filluar të vendosë lidhjet në terren, dhe të punojë për rezistencë, në vitin 1919 organet e shërbimit serb e prangosën bashkë me disa shokë, dhe e dërguan në burgun e Kralevës. Pasi qëndroi një kohë lirohet nga burgu, ai sërish vazhdoi të angazhohet për avancimin e myslimanëve në të gjitha poret e jetës, si në: arsimim, edukim, politikë, davet (thirrje islame) etj. Ai kërkonte nga popullata, që secili të punojë me zell në punën ose zejtarinë e tij.

Pas viteve 1935, si duket mes Hoxhës dhe një grupi njerëzish të lidhur me shtetin kishte mosmarrëveshje në qëndrime, prandaj këta të fundit të cilët e konsideronin hoxhën si digë frenuese për realizimin e dëshirave të tyre, përmes metodave djallëzore dëshironin që ta diskreditonin hoxhën, ta njollosnin e pse jo edhe ta internonin diku larg jashtë shtetit, porse nuk ia dolën dot. Gjatë Luftës së Dytë Botërore këto vende u okupuan nga ushtria bullgare, dhe hoxha i nderuar vazhdoi me qëndrimet e tij, prandaj bullgarët e kuptuan se një nga gjeneratorët e rezistencës së myslimanëve të këtyre trojeve ishte ky hoxhë, andaj e arrestuan dhe e internuan në Sofje, që atje të vuante burgun. Ai qëndron atje afër një vit dhe pas lirimin të tij nga burgu, kthehet përsëri në Shkup dhe vazhdon veprimtarinë e tij.

Ataullah ef. ndërroi jetë më 25.11.1946. dhe u varros në varrezat në Gazi Babë në Shkup. Këta varreza në periudhën komuniste u dislokuan prej Gazi Babe në Butel, gjë që këta varreza tash janë të rrafshuara dhe nuk ekziston ndonjë gjurmë që tregon se në këto vende dikur kishte varreza myslimane.

 

 

Mulla Feta Efendi Raufi (1910-1963)

 

Feta Efendiu lindi në Shkup në vitin 1910 nga babai Raufi dhe nëna Rafija. Mësimet fetare i mori në medresenë Medah. Ishte në gjeneratën e parë të kësaj medreseje dhe nxënësi më i aftë dhe më  i suksesesshëm i të gjitha gjeneratave. Tregoi aftësi të mrekullueshme, nuk kishte nevojë asnjëherë që ndonjë njëesi mësimore ta përsëriste dy herë, i kuptonte dhe analizonte shkëlqyeshëm njësitë mësimore, prandaj siç transmetohet nga të gjithë hoxhallarët, kolegët dhe të tjerët, ai ishte nxënësi më i dalluar dhe më i dashur te hoxha i tij Ataullah Efendiu, sepse dallohej prej të gjithë nxënësve të tjerë të kësaj medreseje, si për nga aftësitë shkencore ashtu edhe për nga sjelljet morale.

Ataullah Efendiu e kishte zgjedhur atë për zëvendës dhe asistent të tij. Ai e zëvendësonte hoxhën në mungesën e tij, andaj me lejen e hoxhës ishte edhe myderrizi i medresesë Medah, mbante ligjërata, zhvillonte mësim për gjeneratat më të reja, veçanërisht prej gjeneratës së tretë më tej.

Mulla Besim Efendiu nga Hotla e Kumanovës dhe nxënës i medresesë Medah, tregonte se në vitet ’40-ta në fshatrat e Kumanovës shpeshherë sillej një hoxhë, i cili tentoi të përhapte idetë dhe mendimet e lëvizjes “Islahuddini-Reforma fetare” të reformatorit Xhemaludin Afgani. Pas debatit mes Fetah Efendiut dhe hoxhës nga Kosova, vizituesi i shpeshtë i këtyre fshatrave, u largua menjëherë dhe nuk u kthye kurrë më në këto fshatra për të propaganduar lëvizjen “Reforma fetare”.

Fetah Efendiu ishte orator dhe poet. Në bazë te pohimeve të shokëve të tij, ai ishte poet i lindur, poezinë e kishte dhunti prej Allahut të Madhërishëm. Shpesh herë kur pyetej për ndonjë çështje, siç dëshmonin shokët e tij ai përgjigjej në formë poezie. Ishte krenar, i guximshëm dhe i paluhatshëm në qëndrimet dhe parimet islame. Në periudhën kur u formua Komiteti i Lidhjes së Dytë të Prizrenit për qytetin e Shkupit, kryetar i komitetit u zgjodh Emin Beu, ndërsa njëri nga anëtarët e komitetit u zgjodh Fetah Efendiu. Konferenca për themelimin e komitetit për qytetin e Shkupit u mbajt në sallen e myftinisë së Shkupit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai nuk qëndroi duarlidhur, por u rreshtua në anën e liridashsve, në anën e Ballit Kombëtar.

E urreu komunizmin dhe e luftoi atë që nga bankat shkollore, duke e ditur se është ideologji e dëmshme për shqiptarët dhe për besimin islam. Pas mbarimit të luftës ishte veprimtar i ONDSH. Udhëhoqi grupin e anëtarëve të kësaj organizate, grup i quajtur “Grupi hoxhallarëve- Grupi i Ataullah hoxhës”, në mesin e të cilëve ishin nxënësit e medresesë Medah si Mehmet Efendiu, Mulla Ferati, Mulla Xhema, Mefail Grushina dhe nga xhemati Riza Xheladini dhe Menduh Qazimi. Këta veprimtarë mbanin takime, tubime dhe kontakte mes veti dhe me masën në terren për shqyrtimin e situatës. Ndërsa personi për kontakt për udhëheqesinë e lartë të Organizatës NDSH-së, respektivisht me profesor Ibrahim Haki Kelmendin (njëri nga krerët e ONDSH-së) ishte Fetah Efendiu. UDB-ja e atëhershme pasi i kishte rënë në gjurmë kësaj organizate arrestoi udhëheqësit e saj me në krye Halim Oranën dhe të tjerët. Në vitin 1947 vazhduan arrestimet, me ç’rast në mesin e të arrestuarve ishte edhe Fetah Efendiu me grupin e tij. Për aktivitetet e tij patriotike dhe atdhetare u dënua me 7 vjet burg dhe me punë të rënda. Hfz. Sali Efendi Idrisi, imam në xhaminë Kapuçi Hamza në Shkup, rrëfente një ngjarje, që kishte ndodhur pas Luftës së Dytë Botërore, atëherë kur në dorë pushtetin e kishin marrë komunistët. Afër xhamisë Jahja Pashë, në sallën e shkollës që gjendej afër xhamisë, paria komuniste kishte ftuar të gjithë hoxhallarët në një tubim. Në ate tubim të pranishëm ishin një numër i madh i personaliteteve të strukturave të ndryshme, në veçanti nga partia komuniste. Tubimi mbahej me rastin e mbylljes së mektebeve dhe medreseve. Fetah Efendiu e mori fjalën dhe mes tjerash tha: “Kur të gjithë të tjerët kanë të drejtë të mësojnë, pse edhe ne të mos kemi të drejtë të mësojmë?”.  Në këtë rast të pranishmit në sallë, në shenjë përkrahje i dhanë një duartrokitje të fortë dhe frenetike. Pas daljes së tij nga burgu u punësua në Arkivin e Republikës së Maqedonisë në Shkup, në sektorin për dokumentet turke dhe dorëshkrimet e vjetra. Në këtë detyrë qëndroi deri në vdekjen e tij më vitin 1963. Sipas shumë hoxhallarëve dhe xhematit ai i kishte të ndaluara kontaktet e shumta me popullin dhe përherë përcillej nga organet e sigurisë. Vdiq në vitin 1963 dhe u varros me nderime të larta nga popullata shqiptare dhe besimtarët në varrezat Butel të Shkupit

 

Xhemail Efendi Emini (1913-1997)

 

Hoxhë Xhemaili u lind më 06.05.1913 në fshatin Nikushtak të Kumanovës. Meqë Ramiz Efendiu mualimi i mektebit të fshatit kishte vërejtur te Xhemaili një talent të rallë, ai i sugjeroi familjes së tij, që ta dërgojnë për mësime të mëtejshme në medresenë e Kumanovës. Në medresen e Kumanovës, myderrizi i së cilës ishte Nuhi Efendiu, hoxha arriti rezultate dhe suksese të dalluara. Pas katër vjetëve mësim në medresenë e Kumanovës, ai kalon në medresenë Medah në Shkup. Xhemail Efendiu në këtë medrese për disa vjet mësimet i vijoi në mënyrë të rregullt dhe në fund mori ixhazetin. Kur ishte nxënës në medrese, ai tregoi talent dhe aftësi shkencore, ishte i përgatitur dhe i prirë në lëmin e vazës dhe davetit. Pas diplomimit, respektivisht pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore ushtroi detyrën e imam-mualimit në fshatin Rahmanli të Kumanovës. Ndërkaq pas një viti kalon imam mualim në fshatin Grushinë të Shkupit. Këtë detyrë ai kreu deri më vitin 1947, pikërisht kur në këtë vit arrestohet nga UDB-ja dhe vuan dënimin me burg deri në vitin 1953. Pas daljes nga burgu prapë kthehet imam në fshatin Grushinë në të cilin kreu detyrën e imamit-mualimit deri me 1963, kurse këtë vit ai shpërngulet në Kumanovë. Rëndësi të veçantë i kushtoi mësimit, së pari vetë ishte i arsimuar, njohës i mirë i shumë shkencave e në veçanti atyre islame, prandaj ai tentoi t’ua përcjellë edhe gjeneratave më të reja. Në Kumanovë edhe pse nuk kishte ndonjë detyrë zyrtare (imam-mualimi) ai e kishte shndërruar shtëpinë e tij në mekteb. Prej shtëpisë së tij dolën më shumë se 300 nxënës. Aktiviteti i tij vazhdimisht përcillej nga ana e pushtetit, andaj ai tentonte që kjo veprimtari të jetë larg syve të tyre, por një ditë UDB-ja në formë të organizuar e kontrolloi shtëpinë e hoxhës dhe gjetën një numër të konsideruar nxënësish, me ç’rast në mënyrë përbuzëse duke demonstruar se kinse ata ua duan të mirën shqiptarëve, i marrin nxënësit të rreshtuar dhe i dërgojnë në shkollë. Në këtë rast kontrollorët për ta shprehur mllefin dhe urrejtjen ndaj mësim besimit njëri prej tyre merr nga dora e një nxënësi Kuranin dhe me të i bie kokës. Kjo ditë do të ishte njëra nga ditët më të zeza në jetën e hoxhës. Ja se si shkruante dhe e cilësonte shtypi hoxhën e nderuar: “Kurse në qytet këtë mësim e përcjellin 200 fëmijë në xhaminë e qytetit, dhe mësim u jepte imami, i cili më parë për veprimtari armiqësore, ka qenë dënuar me 6 vjet burg.” Mulla Xhema u angazhua gjatë Luftës së Dytë Botërore në radhët e Ballit Kombëtar për ta kundërshtuar komunizmin. Po ashtu pas mbarimit të Luftës së Dytë Boterore ishte anëtar i organizatës NDSH. Gjatë dënimit me burg ai dhe shokët e tij të tjerë u keqtrajtuan dhe u terrorizuan tej mase. “Kur u arrestova dhe më hodhën në burg, kisha mbi 100 kg, por brenda 90 ditëve më kishin mbetur më pak se 50 kg”,- thoshte vetë hoxha. “Pas 90 ditëve të izoluara dhe i vetmuar në Gelincë burgut që gjendet pranë xhamisë Mustafa Pasha në Shkup, kur më nxorën prej qelisë për herë të parë e dëgjova ezanin, kjo ishte jashtë mase e bukur, kënaqësia e së cilës sot e kësaj dite më tingëllon,”- rrëfente hoxha i madh dhe i pathyer. Ai u dënua me gjashtë vjet heqje lirie, dhe në burg qëndroi plot gjashtë vjet e tetë ditë. Ditën kur do të lirohej nga burgu, përgjegjësit e burgut (UDB-ja) e pyetën: “A thua, nuk ndihesh në faj?”- “Jo nuk ndihem fajtor.”- “A e di se ky qëndrim dhe kjo kokëfortësi do të sjellë prapë në këtë vend?”- i tha inspektori!- “Këtë ia lemë kohës. Koha do të tregojë,-“ iu përgjigj hoxha. Në vitin 1986 me gjithë familjen e tij u shpërngul nga Kumanova në Shkup dhe u vendos në lagjen e Duqanxhikut, ku jetoi ditët e fundit të jetës së tij. Vdiq me 01.03.1997 dhe u varros në vendlindjen e tij në fshatin Nikushtakë të Kumanovës.