Ligji i birësimeve dhe interesi i jetimit ishin në qendër të vëmendjes së një takimi të organizuar nga Lidhja e Hoxhallarëve, ku u diskutua gjerësisht rreth zhvillimeve më të fundit. Në këtë takim ku merrnin pjesë shumë hoxhallarë ishin të ftuar edhe Fisnik Kruja, kryetar i Forumit Musliman të Shqipërisë, si dhe juristi Gentian Sejrani një figurë e njohur në fushën e çështjeve civile. Takimin e hapi hoxhë Sokol Kondakçiu, i cili pasi bëri për të pranishmit një përmbledhje mbi argumentet fetare për familjen, nënën, babain, jetimin përcolli edhe qëndrimin e marrë nga LHSH për ligjin në fjalë. “Jetimi apo fëmija, i cili për një arsye apo tjetër i ka humbur njërin-apo të dy prindërit, nuk mundet t’i besohet përsëri një personi të vetëm mashkull apo femër, i cili sapo mund të ketë mbushur moshën madhore dhe akoma nuk e ka fituar përvojën e duhur jetësore për të mbajtur një familje dhe për të marrë përgjegjësitë e plota familjare, morale, komunitare e ligjore. Tashmë vështirësitë që po përjetojmë në vendin tonë e rrisin edhe më tej këtë problem, gjë e cila na e shton numrin e problemeve dhe e vendos shoqërinë tonë para një pamundësie tjetër. Kategoria e jetimëve është një kategori shumë e ndjeshme për të gjithë ne dhe komunitetin tonë, një përgjegjësi e madhe shoqërore nga e cila nuk mund të lirohemi kollaj.” Ndërsa kryetari i FMSH-së Fisnik Kruja i përditësoi të pranishmit mbi hapat ligjore dhe takimet e bëra më presidentin Ilir Meta, si dhe kryetarin e grupit parlamentar të PS Taulant Balla dhe kryetarin e grupit parlamentar të PD Alfred Rushaj në kuadër të Koalicionit Shqiptar Pro Familjes & Pro Jetës. Avokati Genti Sejrani bëri një përmbledhje të ndryshimeve ligjore, që po kërkohen të bëhen dhe që nuk i përkasin vetëm ligjit të birësimeve, por edhe Kodit të Familjes.
Nga bashkëbisedimi me hoxhallarët e pranishëm u bë e qartë pse po i kërkohet Parlamentit Shqiptar: “heqjen e mundësisë ligjore që: i mituri të birësohet nga një person i vetëm.” Gjithashtu hoxhallarët e pranishëm bënë sugjerimet e tyre se si mund të sensibilizohet opinioni publik dhe aktorët civilë për problemet e ndryshme dhe pasojat e këtij ligji.