Jetimëria e dijes – Kur dija mbetet pa edukatë

Lidhja e Hoxhallarëve
7 minuta lexim

El-Ibrahimi ka thënë: “Dija që është e zhveshur nga edukimi, dëmton më shumë sesa dobi sjell. Muslimanët nuk e humbën krenarinë e tyre përveç ditës kur edukimi i mirë u nda nga dija. Sa të shkretë janë ata që kanë vetëm dije të thatë, pa edukatë, duke u shkatërruar vetë dhe duke shkatërruar edhe popujt e tyre!”

Lumturia nuk arrihet vetëm përmes dijes. Ajo kërkon që dija të shoqërohet me edukim. Bashkimi i edukimit me mësimdhënien është mision profetik, siç e përmend Allahui Madhëruar në Kuran:  “Ai është që dërgoi ndër analfabetët një të dërguar nga mesi i tyre, që t’u lexojë atyre ajetet e Tij, t’i pastrojë ata (shpirtërisht) dhe t’u mësojë Librin dhe urtësinë, ndonëse më parë ishin të humbur”

Fjalët e Ibrahimit nuk ishin të shkruara vetëm mbi letër, por ai sikur i kishte gdhendur mbi zjarrin e zemrës së tij. Ato na flasin sot, sikur po dalin nga varri i tij, duke thirrur: “O popull! Kur dijes i hiqet edukata, ajo kthehet në kufomë pa shpirt, armë në dorën e injorantit, me të cilën pengon udhëzimin, madje në emër të fesë!”

O nxënës dije:

Mos u bëj prej atyre që bartën dijen, por ajo u bë barrë për ta e jo dobi.
Zbatoje dijen në veten tënde. Edukoje shpirtin tënd me të. Kujto gjithmonë se Allahu ka thënë:

“… që t’ju pastrojë e t’ju mësojë Librin dhe urtësinë…”

Mbikqyr zemrën sa herë që ngjitet mendja.

Dija nuk mjafton vetë. Nevojitet edhe pastrimi i shpirtit, sjellje fisnike, dhe shoqëri me të devotshmit.
Mos lejo që mësimet të kalojnë pa ndikim në shpirtin tënd, dhe që diplomat të të mbushin me mendjemadhësi.

Le të ketë çdo informatë gjurmë tek ti, çdo ajet lot në sy, çdo hadith një ndalesë reflektimi.
Sepse kur edukimi ndahet nga mësimi, zemra paralizohet, edhe nëse mendja është e mbushur.

Mbaje mend:

Suksesi është dritë. Dija është armë. Por devotshmëria është udhëtimi për tek Allahu.

Kur ikën shpirti nga dija, ajo psherëtin nga një dhimbje e thellë.
Shumëkush është goditur në fenë e tij pa e ndier fare, sepse dija që mëson nuk pastron shpirtra, nuk rregullon sjellje, nuk e ndriçon rrugën e jetës.

* Ç’vlerë ka një dije që nuk sjell dobi?

* Pse ngjall krenari, mendjemadhësi e smirë në zemra?

* Ku është ndikimi i saj në sjellje?

Ka shumë që e dinë përmendësh Librin e Allahut, por nuk njohin qëllimet e tij përveç shkronjave.
Ka studentë që udhëheqin ndeja dijesh, por nuk janë zbutur nga një këshillë, nuk kanë qarë nga frika e Allahut!

Dija nuk e bën syrin të qajë, as zemrën të gjallë, e as sjelljen të rregullt kur ndahet nga edukata.

Kjo është kthesa e rrezikshme e kohës sonë:
Dija po shtohet, por ndikimi i saj po zvogëlohet.
Sepse edukata është zhdukur, nijeti është humbur, dhe vullneti është shuar.
Mendja ka dominuar mbi zemrën. Fjalët janë shtuar, por vepra është pakësuar.

O ti që mëson përmendësh librat:

Pyete veten: A e ruajte zemrën?
O ti që kërkon dije: A të solli ajo frikë ndaj Allahut?
Apo të çoi në grindje, krenari e përçmim të tjerëve?

Dija ka një arrogancë që vetëm adhurimi ndaj Allahut dhe lotët prej frikës së Tij e ndalojnë.
Kthesa e vërtetë në jetën e kërkuesit të dijes është kur ai kupton se qëllimi nuk është shumësia e librave, netët pa gjumë apo duartrokitjet e njerëzve, por:

Që Allahu të ndriçojë zemrën e tij, të përmirësojë sjelljen dhe të begatojë jetën.

Ka thënë Sufjan Theurij: “Dija kërkohet për t’u frikësuar ndaj Allahut. Nuk është vendosur për tjetër veçse për zbatim.”

Dhe ka thënë Imami Maliku: “Dija nuk është me shumësi të transmetimeve, por është një dritë që Allahu e hedh në zemër.”

Sikur të mos kishte ndikim dija në sjellje, nuk do ta kishim njohur Ebu Bekrin si më të butin në zemër, as Imamin Ahmedin si më të palëkundurin në sunet, as Ibën Mubarakun si më të moralshmin e më të përulurin, e as Ibën Tejmijen si më të durueshmin në sprova.

Bëje dijen anije që të çon, jo varr që të zhyt!

Bëji mësimet tuaja si faltore ku rritesh, jo si arenë ku zihesh.
Bëje kthesën më të rëndësishme në jetën tënde nga dije që rrëzon, në dije që edukon!

Kapu pas momenteve të edukimit dhe ndikimit shpirtëror, para se të mbledhësh thërrime fjalësh dhe të rrëshqitesh në detin e grindjeve akademike.

Ky mesazh është për çdo mësues e nxënës, për çdo hoxhë, kërkues dije, për çdo njeri që ka dëgjuar një të vërtetë.

O Allah! Na bëj prej atyre që dijen e shoqërojnë me frikë ndaj Teje, me devotshmëri në kuptim, dhe lartësi në vepra!
Mos lejo që këmbët tona të rrëshqasin pasi na i ke qëndruar, e mos e dobëso shpirtin tonë pasi na e ke forcuar!

Shkroi: Fehd El-Amarij
Gjykatës i Apelit në Mekkë

Përshtati:
Sefedin Mehani