A ka vërtetësi cështja e natës së Regaibit?
Pyetje:
A ka vërtetësi cështja e natës së Regaibit që thuhet se është natë e mirëdhe a duhet të ngritemi për adhurime dhe të agjërojmë?
Përgjigje:
Të gjithë ata që argumentohen për vlerën e Natës së Mirë të Regaibit mbështeten në disa hadithe të trilluara. Dy më të njohurat janë:
– “Kujdes, përpiqu të rrish zgjuar natën e xhumasë së parë të muajit Rexhep, të mos e kalosh atë në shkujdesje, sepse engjëjt asaj nate ia kanë vënë emrin Regaib!”
– “Ai që e vlerëson natën e xhumasë së parë të muajit Rexhep (Nata e Regaibit), Allahu i madhëruar nuk e dënon në varr”
Edhe pse qarkullojnë si të ndara të dyja tekstet janë pjesë e një hadithi të gjatë që e transmeton Gauth-thekalejn në librin e tij “Gunjetuttalibin”, Ebu Muhamed Abdul-Aziz el-Kinani në librin e tij “Fadlu Rexheb” dhe Ebu Musa El-Medini në “Vedhaiful-lejali”.
Imam Lekneviu në përmbledhjen e tij të haditheve të trilluara “El-athar el-merfuah fil-ahbar el-meuduah” 1/62 thotë: “Ky hadith është i shpikur dhe i trilluar dhe për këtë kanë rënë dakort të gjithë muhaddithinët (shkenctarët e hadithit)., sepse shumica e transmetuesve në zinxhirin e tij nuk njihen dhe disa transmetues të tjerë janë gënjeshtarë.” Të njëjtin gjykim për këtë hadith e citon imam Bejhekiu, Ibnul Xheuzi, Dhehebiu, Askalani, Mulla Alij El-Karijj el-hanefi, Hafidh El-Iraki, El-Fiteni, El-Axhluni, Esh-Sheukani etj. Gjithashtu imam Lekneviu sqaron se shpikësi dhe trilluesi i namazit të natës Regaib është Ali ibn Abdil-lah ibn Xhehdam, prijësi i sufistëve në kohën e tij, i cili ka vdekur në vitin 414 sipas hixhretit. Kjo do të thotë se ky adhurim dhe madhërimi i kësaj nate jo vetëm që është i shpikur, por mbi të gjitha është është shfaqur 4 shekuj pas. Prandaj shikojmë se kjo gjë nuk ka qenë e njohur aspak te brezi i sahabëve, tabiinëve dhe pasuesit e tyre dhe te katër medh’hebet e njohura islame.
Ndërkohë imam Neveviu në shpjegimin e Muslimit 8/20 kur tregon për natën e Regaibit dhe veçimin e natës së xhumasë me adhurime thotë: “Të gjithë (ulematë) kanë rënë dakort se kjo gjë është diçka e urryer që e bëjnë bidatçitë. Allahu e shkatërroftë atë që e ka shpikur këtë lloj namazi në këtë natë, sepse ajo është njëra prej bidateve të urryera dhe të humbura që vijnë nga injorantët. Shumë prej imamëve kanë shkruar libra të çmuara për këtë çështje ku kanë treguar sa e shëmtuar është kjo vepër dhe sa të humbur janë ata që e zbatojnë këtë gjë.”
Edhe ajo që përmendet se gjoja Amineja, nëna e Profetit (alejhissalatu uesselam) ka mbetur shtatzënë në këtë natë, ose ka kuptuar se është shtatzënë pikërisht në këtë natë janë pretendime të sajuara dhe të shpikura që nuk kanë asnjë argumentim nga feja dhe as mbështetje logjike.
Po ashtu duhet te theksojmë se përveç natës së Regaibit që mbështetet në hadithe të trilluara, edhe hadithet që flasin për muajin Rexheb ku ndodhet kjo natë gjithashtu janë të dobta dhe të shpikura. Në ato hadithe përmendet se vlera e muajit Rexhepit nga muajt e tjerë është si vlera e Kuranit nga fjalët e tjera dhe kush agjëron një ditë nga Rexhepi do të pijë ujë Ditën e Gjykimit nga një lumë që quhet Rexhep. Kush agjëron një ditë nga Rexhepi është sikur ka agjëruar gjithë vitin, kush agjëron shtatë ditë nga Rexhepi do t’i mbyllen shtatë dyert e Xhehenemit, kush agjëron tetë ditë nga Rexhepi do t’i hapen tetë dyert e Xhenetit dhe kush agjëron pesëmbëdhjetë ditë nga Rexhepi do t’i falen të gjitha mëkatet e mëparshme. Kush agjëron të enjten e parë të muajit Rexhep dhe kalon me adhurime natën e Xhumasë së parë të këtij muaji do t’i falen të gjitha gabimet dhe do të ketë të drejtë të ndërmjetësojë për 70 vetë nga familja e tij Ditën e Gjykimit. Dijetarët islamë nga ata që përmendëm më sipër si dhe Imam Ibn Rexhepi, Imam Ibn Tejmije, hafidh Ebu Ismail El Herauij” e plot të tjerë kanë sqaruar se këto hadithe e të tjera që flasin për Muajin Rexhep janë hadithe të rëna, të përjashtuara dhe të trilluara në të cilat nuk mund të mbështetesh për të punuar diçka me vlerë.
E pra, madhërimi i muajve ose i netëve të veçanta nuk bëhet sipas dëshirës së askujt dhe as sipas logjikës së njerëzve. Duhet të rikujtojmë besimtarëve se adhurimet në fenë islame bëhen ashtu siç na ka mësuar Allahu i Madhëruar dhe i Dërguari i Tij Muhamedi (alejhi salatu ue selam) dhe jo sipas mendimit, dëshirës apo traditës së njerëzve, sepse siç na ka treguar Profeti (alejhissalatu uesselam) çdo risi në fe të çon në humbje. Ndërsa sahabiu i nderuar Hudhejfe ibnul Jeman thotë: « Çdo adhurim të cilin nuk e kanë praktikuar shokët e ndershëm të Profetit a.s mos e praktikoni as ju, sepse të parët nuk kanë lënë gjë për thënë për ata që vijnë më pas. Ndërsa Abdullah Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) thotë: “Çdo bidat është në humbje edhe sikur njerëzit ta shohin atë si të mirë.”
Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH