Kalon në amshim hoxhë Selim Tota

Lidhja e Hoxhallarëve
2 minuta lexim

Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi, dhe çdo shpirt një ditë do të takohet me Krijuesin.

Sot u shua zemra e butë dhe e ngrohtë e hoxhë Selim Tota – imamit të parë të xhamisë Dine Hoxha dhe babait të kolegut tonë hoxhës Irfan Tota-, njeriut që la gjurmë të pashlyera në ringjalljen e fesë në vendin tonë. Ai u largua nga kjo botë e përkohshme, duke ia dorëzuar shpirtin Allahut me gjithë veprat e tij të mira që e shoqërojnë.

Hoxhë Selimi ishte dritë në ditë të vështira, fjalë e urtë në kohë hutimi dhe shembull i përkushtimit të heshtur. Ishte ndër të parët që u përveshën punës për të ngritur themelet e dijes islame menjëherë pas rrëzimit të komunizmit, dhe breza të tërë sot e kujtojnë si mësuesin e parë që ua hapi derën e adhurimit dhe të të kuptuarit të fesë.

Ai jetoi thjesht, foli pak, punoi shumë dhe e la pas vetes një amanet të pastër: të duash fenë me zemër dhe ta shërbesh pa kërkuar asgjë në këmbim.

Lusim Allahun ta mbështjellë me mëshirën e Tij, t’i japë qetësi e dritë në varr, dhe ta nderojë me një vend në kopshtet e Xhenetit. Amin!

 

Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë i shpreh ngushëllimet më të thella kolegut të saj hoxhës Irfan Tota dhe të gjithë familjes Tota.