Kënaqësia e Allahut

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 22 minuta lexim

Mirësitë e Xhenetit nuk mund të përshkruhen. Kur besimtarët të hyjnë në Xhenet, do t’i thonë Allahut : “O Zoti ynë, na ke dhënë begati të shumta, të cilat nuk ia ke dhuruar askujt prej krijesave te Tua!”  Allahu u thotë: “Për ju kam përgatitur diçka  më të mirë se këto.” “E çfarë mund të jetë më e mirë se këto begati që po përjetojmë, o Zoti ynë? – thonë banorët e Xhenetit.” Më në fund Allahu i përgëzon, duke u thënë: “(Ju keni fituar) kënaqësinë Time! Kurrë nuk do të zemërohem me ju!”

Nuk ka gjë më madhështore, më të vyer e më të mrekullueshme në këtë botë dhe në tjetrën sesa kënaqësia e Allahut. Nese ke arritur të fitosh kënaqësinë e Allahut, je fatlum. Allahu të begatoftë!

Po çfarë duhet të bëjë secili prej nesh që kërkon të fitojë kënaqësinë e Allahut?

Fillimisht, duhet të dimë se a është Allahu i kënaqur me ne apo jo? Një pjesë e madhe njerëzve i konsiderojnë begatitë e kësaj botë shprehje e kënaqësisë së Allahut. Kur shohin dikë që posedon pasuri apo është njeri me pozitë, thonë: “Më siguri, Zoti e do këtë njeri!” Edhe kur shpëton nga ndonjë sëmundje e rëndë apo aksident i rrezikshëm, njerëzit thonë: “Filani shpëtoi mrekullisht dhe kjo do të thotë se Zoti e do atë….” Po ç’lidhje ka dynjaja me fitimin e kënaqësisë se Allahut?! Nese begatitë e kësaj bote do të ishin tregues i kënaqësisë së Allahut, atëhere i Dërguari (a.s.) nuk do të flinte në rrogoz, nuk do t’i arnonte rrobat, nuk do të ushqehej 3 muaj rresht me hurma dhe me ujë, nuk do të vendoste (lidhte) gur në bark për të lehtësuar dhimbjet e urisë…

Kështu pra, të mirat materiale që gëzon njeriu në këtë botë nuk janë kriteri kryesor, për të përcaktuar që Allahu është i kënaqur me të. Përkundrazi, ka një shenjë tjetër shumë të rëndësishme që tregon realitetin e kënaqësisë së Allahut. Po cila është kjo? Dije se kur Allahu ta lehtëson kryerjen e adhurimeve dhe braktisjen e gjynaheve, kur besimi yt shtohet përditë dhe ti afrohesh gjithmonë e më shumë te Allahu përmes veprave të mira, pikërisht, ky është argumenti më i fortë që tregon se Allahu është i kënaqur me ty. Pra, çështja është shumë e thjeshtë: nëse ti i bindesh Allahut, Ai është i kënaqur me ty.

Duke qenë në këtë gjendje, ti duhet të plotësosh edhe një kusht tjetër që ta ruash këtë mirësi: ta adhurosh Allahun duke shpresuar në mëshirën e Tij dhe jo të të hyjë vetja në qejf. Një pjesë e njerëzve, pasi bëjnë vepra të mira, bien në vetëkënaqësi, u hyn vetja në qejf. Mendojnë se e meritojnë Xhenetin me veprat e tyre dhe  ndihen të sigurt sikur të jenë prej të shpëtuarve, sikur të kenë marrë ndonjë premtim a garanci se në botën tjetër do të jenë prej banoreve të Xhenetit. Këta i shohin njerëzit me mospërfillje, ndërsa për vete mendojnë se janë prej të zgjedhurve dhe se kanë arritur kulmin e përsosmerisë, përkushtimit e devotshmërisë. Ndoshta këto ide nuk i shprehin, por ashtu ndihen në veten e tyre. Të tillë njerëz janë egoistë dhe të vetëmashtruar. Allahu i Lartësuar thotë:

یَـٰۤأَ یُّهَا ٱلۡإِنسَـٰنُ مَا غَرَّكَ بِرَبِّكَ ٱلۡكَرِیمِ

“O njeri, ç’të mashtroi ty kundrejt Zotit bujar?!” (El-Infitar: 6)  Ebu Hurejra (r.a) na tregon se ka dëgjuar të Dërguarin e  Allahut (a.s.) që ka thënë: “Ndër bijtë e Izraelit ishin dy burra si vëllezër. Njëri prej tyre ishte gjynahqar dhe tjetri i zellshëm në adhurime. Sa herë që i devotshmi e shikonte tjetrin duke bërë gjynahe i thoshte: “Hiq dorë!” Derisa një ditë, kur e pa në faj, i tha (përsëri): “Hiq dorë!” Ndërsa ai i tha: “Më lër rahat! Punët e mia i di Zoti. A mos je mbikëqyrësi im?” Ai tha: “Betohem për Allahun, se Allahu nuk të fal (ose: nuk do të të futë në Xhenet).” Pasi ata të dy ndërruan jetë dhe dolën para Zotit të gjithësisë, Allahu i tha atij  që ishte i zellshëm në adhurime: “Ku e dije ti se nuk do ta falja atë (gjynahqarin)?! A ishte në dorë tënde falja e mëshira?!” Pastaj i tha gjynahqarit: “Hyr në Xhenet me mëshirën Time.” Ndërsa tjetrit i tha: “Shko në Zjarr.”

 Ebu Hurejra (r.a) pohoi: “Për Atë në dorë të të Cilit është shpirti im, ai tha një fjalë nëpërmjet të cilës e shkatërroi veten në të dyja botët.”  (Sahihu El-Xhamiu nr.4455)

Prandaj, prej nesh kërkohet që t’ia atribuojmë Allahut  mirësinë e bindjes e përkushtimit ndaj Tij. Sepse është Allahu Ai që jep sukses për kryerjen adhurimeve. Me pak fjalë: ne e fitojmë kënaqësinë e Allahut në sajë të mirësisë së Tij, dhe jo për shkak të aftësive tona. Allahu i Lartësuar thotë:

یَمُنُّونَ عَلَیۡكَ أَنۡ أَسۡلَمُوا۟ۖ قُل لَّا تَمُنُّوا۟ عَلَیَّ إِسۡلَـٰمَكُمۖ بَلِ ٱللَّهُ یَمُنُّ عَلَیۡكُمۡ أَنۡ هَدَىٰكُمۡ لِلۡإِیمَـٰنِ إِن كُنتُمۡ صَـٰدِقِینَ

Ata e quajnë si favor për ty që kanë pranuar Islamin. Thuaju: “Mos e quani si favor për mua se keni pranuar Islamin; përkundrazi, Allahu ju ka dhuruar mirësi dhe ju ka udhëzuar në besim, nëse ajo që thoni është e vërtetë!”

(El-Huxhurat: 17)

Vëllezër besimtarë! Kënaqësinë e Allahut mund ta fitojmë   lehtë, sepse Allahu kënaqet shumë shpejt, ngaqë është Bujar dhe i Mëshirshëm. Por e vështirë është ruajtja e arritjeve. Pasi e fiton kënaqësinë e Allahut, është vështirë ta ruash atë. Kjo kërkon vendosmëri dhe këmbënguljë deri në fund të jetës:

I Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “…Betohem në Atë, përveç të Cilit askush nuk meriton të  adhurohet,  se ka prej  jush  të  atillë  që, do të kryejnë vepra  si  xhenetlinj, saqë  vetëm  një kut i ndan  nga  Xheneti. Por, pastaj i mund ajo që është shkruar, kështu  që punojnë vepra të banorëve  të Zjarrit, dhe rrjedhimisht  hyjnë  në të…” (Buhariu & Muslimi)

E lusim Allahun të na mbajë dhe të na forcojë në fenë e Tij derisa ta takojmë dhe Ai të jetë i kënaqur me ne. Allahu i Lartësuar ka thënë:

یُثَبِّتُ ٱللَّهُ ٱلَّذِینَ ءَامَنُوا۟ بِٱلۡقَوۡلِ ٱلثَّابِتِ فِی ٱلۡحَیَوٰةِ ٱلدُّنۡیَا وَفِی ٱلۡـَٔاخِرَةِۖ وَیُضِلُّ ٱللَّهُ ٱلظَّـٰلِمِینَۚ وَیَفۡعَلُ ٱللَّهُ مَا یَشَاۤءُ

“Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse keqbërësit i shpie në humbje; Allahu bën ç’të dojë.” (Ibrahim: 27)

Atëhere, çfarë të bëjmë që Allahu të jetë i kënaqur me ne? Në radhë të parë, ne duhet ta shprehim dashurinë tonë për Allahu, të pohojmë që jemi të kënaqur me Allahun, sikurse Ai është i kënaqur me ne. Allahu ka thënë për besimtarët:

رَّضِیَ ٱللَّهُ عَنۡهُمۡ وَرَضُوا۟ عَنۡهُ

“…Allahu është i kënaqur me ata, por dhe ata janë të kënaqur me Atë…” (El-Bejjine: 8)

Ne jemi të kënaqur që Allahu është Zoti ynë, i Adhuruari ynë i Vetëm; ne jemi të kënaqur që Allahu na udhëzoi në Islam, në fenë e Tij të mrekullueshme; ne jemi të kënaqur që Allahu dërgoi te ne Profetin më të mirë, vulën e profetëve, Muhamedin (a.s.)

I Dërguari i Allahut (a.s.): “Allahu i ka vënë detyrë Vetes që t’a kënaqë Ditën e Kiametit këdo që thotë tre herë kur  gdhihet dhe tre herë kur ngryset:

رضيت بالله ربا، و بالاسلام دينا، و بمحمد (صلى الله عليه و سلم) نبيا

“Jam i kënaqur me Allahun si Zot, me Islamin si fe dhe me Muhamedin (a.s.) si Pejgamber)!” Pra, nëse e pohon këtë me gjithë zemër, Allahu do të jetë i kënaqur me ty dhe në Ditën e Kiametit do të futë në Xhenet.

Me fjalë të tjera, thuaji Allahut: “Unë  jam i kënaqur me obligimet që më ke ngarkuar dhe kam vullnetin e mirë t’i kryej ato me përpikmëri; jam i gatshëm të largohem nga çdo gjë që më ke ndaluar dhe të bëj durim në çdo vështirësi. Ajo që të kënaq Ty, o Zoti im, më kënaq edhe mua; ajo që të pëlqen Ty, më pëlqen edhe mua….” Por, nuk mjaftojnë vetëm fjala. Besimi yt vihet në prove, përmes urdhëresave, ndalesave dhe fatkeqësive. Në të gjitha rastet duhet durim. Të durosh gjatë kryerjes së adhurimeve; ta bësh durim ndaj gjërave të ndaluara dhe tregohesh durimtar në momentet e vështira të jetës, kur të godet ndonjë fatkeqësi. Njerëzit në dynja durojnë shumë. Ndërkaq, durimi për hir të Allahut është një ndër adhurimet më madhështore. Gjithashtu të jesh i kënaqur me gjithçka që të ka dhuruar Allahu: me gjendjen ekonomike e financiare, me femijët, familjen, vendbanimin, nivelin e jetesës etj. Ibën Kajjimi thotë: “Kur njeriu kënaqet me pak rrizk (furnizim) që i jep Allahu, Allahu do jetë i  kënaqur me të, edhe pse ai kryen pak vepra të mira.” Pra, ky person e fiton Xhenetin me pak vepra të mira, sepse Allahu është i kënaqur me të. Njeriut i vjen shpërblimi sipas llojit të punës që bën.

Kënaqësia me caktimin e Allahut është ndër adhurimet më të rëndësishme të zemrës. Dije se veprat e zemrës janë më të vlefshme se veprat e gjymtyrëve. Në fakt, që të dyja janë domosdoshmëri për besimin. Njeriu nuk mund ta arrijë kënaqësinë shpirtërore pa harmonizuar punët e zemrës me ato të gjymtyrëve, në mënyrë të atillë që të përputhet e jashtmja me të brendshmen, ajo që shfaqet me atë që fshihet. Gëzimi dhe lumturia që njeriu ndjen kur lidhet me Allahun është shprehje e kësaj kënaqësie.

Ilustrim praktik

  • Do flasim pak për Ibrahimin (a.s.) dhe bashkëshorten e tij, Haxheren. Për shkak të një konflikti në familjen e Ibrahimit (a.s.) dhe të një urtësie të madhe, Allahu e sprovoi Ibrahimin (a.s.) duke e urdhëruar që të merrte Haxheren dhe djalin e tij të vetëm, Ismailin, dhe t’i vendoste në luginën e Paranit, ose në luginën e Mekës së sotme. Ajo ishte një luginë e shkretë: pa ujë, pa pemë e pa bimësi; as njerëz nuk kishte.

Ibrahimi (a.s.) e shoqëroi Haxheren dhe djalin derisa i vendosi në mes të luginës, pastaj qëndroi për pak çaste atje dhe i tha: “Tani më duhet të largohem!” Haxherja e la djalin aty dhe e shoqëroi burrin e saj. Në momentin që u bind se me të vërtetë do t’i linte në atë luginë të shkretë, i tha: “O Ibrahim, ku po më lë?!” Ibrahimi nuk u përgjigj. Pasi ia bëri këtë pyetje disa herë dhe nuk mori përgjigje, e ndryshoi pyetjen: “Allahu të ka urdhëruar të veprosh kështu?”  Ibrahimi (a.s.) u përgjigj: “Po, Allahu.” Ajo tha: “Atëherë do të kujdeset Ai për ne. Udhë të mbarë Ibrahim! Es-Selamu alejkum!”

Gjeja më domethënëse në këtë ngjarje është fakti se kur Haxherja mori vesh se ky ishte urdhri i Allahut, ajo u qetësua, sepse shpresonte te mëshira dhe mirësia e Tij.

Ajo besonte se Allahu është më i mëshirshëmi, më i buti, më i dhembshuri dhe më i dashuri me krijesat e Tij. Përderisa ky ishte vendimi i Allahut, atëherë ajo ishte e kënaqur me vendimin dhe caktimin e Tij. Ndërsa bashkëshortit i tha: “Udhë të mbarë, Ibrahim! Paqja e shpëtimi i Allahut qoftë mbi ty!” Ja pra, kjo është kënaqësia absolute ndaj gjykimit dhe caktimit të Allahut

  • Kur Profetin (paqja qoftë me të) e nxorën nga Meka, para se të nisej drejt Medinës, tha: “O Zoti im, Ti e di shumë mirë se kjo është toka më e dashur për mua. Sikur njerëzit të mos më kishin nxjerrë, nuk do ta lija kurrë këtë vend. Mjafton që Ti të jesh i kënaqur me mua!
  • Kur e gjuajtën me gurë në Taif dhe i doli gjak nga trupi i tij i nderuar, Profeti (a.s.) drejtoi duart drejt qiellit dhe u lut gjatë. Midis të tjerash, tha: O Zot, në qoftë se Ti nuk je i zemëruar me mua, unë nuk dua t’ia di për këtë që më ka ndodhur! E rëndësishme është që Ti të jesh i kënaqur prej meje!
  • Lufta e Uhudit i lëndoi shumë muslimanët. Mes tyre pati afërsisht 70 të vrarë. Pas përfundimit të luftës, Profeti (paqja qoftë me të) i mblodhi sahabët për të falur namazin e xhenazes së këtyre martirëve, dhe u tha: Reshtohuni pas meje të falemi së bashku, sepse dua ta falënderoj Zotin tim!
  • Imran ibn Husejni (r.a.) ishte prej evlijave të Allahut, besimtar shumë i devotshëm, dhe natyrisht që edhe sprovat i kishte të mëdha. Një prej sprovave të tij më të mëdha ishte dhe një sëmundje e rëndë, që e kishte gozhduar në shtrat për pothuaj 30 vjet. Kur e vizitoi një mik, ky i fundit nuk e përmbajti dot veten dhe qau para tij. Ndërsa Imrani i tha: “Jam i kënaqur me gjithçka që ka shkruar Allahu për mua!”

Në një version tjetër thuhet se ai i është drejtuar njërit prej tabiinëve me këto fjalë: “Gjatë gjithë këtyre viteve më kanë ardhur dhe më kanë përshëndetur engjëjt e Zotit.

Shiko se çfarë shpërblimi i ka dhuruar Zoti këtij sahabiu të nderuar që ishte i kënaqur me caktimin e Tij.

  • Sa’d ibn Ebi Uekasi (r.a.), të cilit i pranohej lutja, kur shkonte në Mekë, njerëzit mblidheshin rreth tij dhe i kërkonin që të lutej për ta. Mes tyre ishte një djalë mekas, lexues i mirë i Kuranit, por disi i papjekur. Ai i tha: “O sahabi i nderuar, meqë Zoti t’i plotëson lutjet, pse nuk i lutesh që të ta kthejë shikimin?!” Sa’di ia ktheu: “Jam i kënaqur me atë që ka caktuar për mua!”
  • Njëherë, gruaja e Fet’hul Mousilit, teksa qëronte ca fruta, preu gishtin. Në atë moment ajo filloi të qeshte. Njerëzit e shtëpisë i thanë: “Nënë, pse qesh?!” Ajo tha: “Mendova për shpërblimin e Allahut dhe harrova dhimbjen e gishtit.”

Pra, kur njeriut i ndodh ndonjë fatkeqësi, duhet të durojë, sepse ajo është prej caktimit të Allahut. Natyrisht që kjo i sjell prehje e qetësi, saqë e bën të harrojë dhimbjen, stresin e fatkeqësinë që e ka goditur, sepse ai mendon më thellë: të fitojë kënaqësinë e Allahut dhe shpërblimin e Tij në Xhenet, si dhe – mbi të gjitha – mundësinë për ta takuar Atë.

II

   S’ka dyshim se fitimi i kënaqësisë së Allahut është qëllimi kryesor në jetën e besimtarit. Musai (a.s.) duke shpejtuar në kryerjen e veprave të mira thoshte:

وَعَجِلۡتُ إِلَیۡكَ رَبِّ لِتَرۡضَى

 “…e unë nxitova te Ti, o Zoti im, për të fituar kënaqësinë Tënde.”  (Ta Ha: 84) Musai (a.s.), njëri prej profetëve më të zgjedhur, nxitonte të fitonte kënaqësine e Allahut.

Prandaj edhe ti  mësoje çfarë dëshiron Allahu dhe cilat vepra e kënaqin Atë, pastaj kryeji ato menjëherë.

Shko te nëna dhe babai yt; sigurohu që ata të dy janë te kënaqur me ty, në mënyrë që të fitosh kënaqësinë e Allahut. I Derguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Kënaqësia e Allahut është në kënaqësinë e prindërve; dhe zemërimi i Allahut është në zemërimin e prindërve.” Gjithashtu sa herë që ha e pi falënderoje Allahun për këto mirësi. I Derguari i Allahut (a.s.) thotë: “Allahu kënaqet me atë person që ha diçka dhe pastaj e falënderon Allahun;  apo pi diçka dhe e falënderon Allahun…”  Kujdesu ta ruash këtë mirësi që ke fituar, sepse Allahu kënaqësinë e Tij nuk ia fal kujtdo. Kënaqësia e Allahut është më e vlefshme se i tërë Xheneti. Allahu thotë:

وَعَدَ ٱللَّهُ ٱلۡمُؤۡمِنِینَ وَٱلۡمُؤۡمِنَـٰتِ جَنَّـٰت تَجۡرِی مِن تَحۡتِهَا ٱلۡأَنۡهَـٰرُ خَـٰلِدِینَ فِیهَا وَمَسَـٰكِنَ طَیِّبَة فِی جَنَّـٰتِ عَدۡن وَرِضۡوَ ٰ⁠ن مِّنَ ٱللَّهِ أَكۡبَرُۚ ذَ ٰ⁠لِكَ هُوَ ٱلۡفَوۡزُ ٱلۡعَظِیمُ

“Allahu u ka premtuar besimtarëve dhe besimtareve kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përgjithmonë, si dhe pallate të mrekullueshme në Xhenetin e Adnit. Por kënaqësia prej Allahut është shpërblimi më i madh. Kjo është fitorja madhështore.” (Et-Teube: 72) Shiko se si Allahu ka përmendur në këtë ajet mirësitë e Xhenetit, ndërkaq thekson se fitimi i kënaqësisë së Tij është mirësi më e madhe se Xheneti.

Mos e lejo shejtanin të ta marrë këtë mirësi të paçmuar. Kur shejtani e merr vesh që Allahu është i kënaqur me ty, bëhet shumë xheloz, i shtohet inati dhe zilia. Ai është betuar se do t’i largojë njerezit nga rruga e Allahut. Dije se Allahu kënaqet me ty, kur ti e zemëron këtë armik të përbetuar.

Kastriot Bardhi