Këshilluese, nxitur nga tragjedia e një nëne dhe e tre fëmijëve të saj

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 5 minuta lexim

Hoxhë. Neki Kaloshi

 

Besimtarë dhe besimtare, vëllezër e motra, bashkëqytetarë!
Dhënia fund jetës nga një nënë dhe tre fëmijët e saj në Shkodër ka tronditur opinionin dhe ka rikthyer në skenë krizën e shoqërisë sonë. Mënyra e vetëflijimit e ka bërë ngjarjen shumë më tragjike, por në themel janë të njëjtat konvulsione që kanë prodhuar periodikisht fatkeqësi me natyrë të ngjashme.
Rasti – sado rutinore të duket shprehja – duhet të shërbejë si kambanë alarmi, për të zgjuar tek çdokush prej nesh vetëdijen për gjendjen ku gjendemi, për qenien në zgrip të greminës nga kaosi i jetëve tona dhe i parimeve morale të shpërfytyruara, nga shtrembërimi i konceptit të familjes dhe prishja e raporteve familjare.
Sa më shumë jepemi pas vetes dhe lëmë pas dore përgjegjësitë prej të rrituri, sa më tepër kërkojmë mirëqenien materiale dhe përmbushjen e kërkesave egoiste të unit tonë, sa më shumë rrekemi të mbushim barkun e të shpërfillim ushqimin e shpirtit, aq më të afërta dhe më të shpeshta bëhen fatkeqësi të këtilla.
Familjes, strehës familjare, kategorikisht institucionit më thelbësor në jetën tokësore të njeriut, po i bien muret, duke e lënë krijesën njerëzore të zbuluar ndaj egërsisë së sjellë nga rrënimi i vlerave të njëmendta dhe nën presionin për të kryer akte fatale në qorrsokakun e krijuar nga humbja e kuptimit të ekzistencës.
Në garën e shpjeguesve për t’i gjetur shkakun dhe domethënien vdekjes së nënës me tre fëmijë, po qëndroj jashtë saj, me mendimin se është e vlefshme, përtej ngjarjes dhe prej saj, të renditen në formë përkujtuese ca parime bazë për një familje të shëndoshë.
1. Besimi në Zot është parandaluesi i parë i çdo fatkeqësie të shkaktuar nga njeriu; nevojë për ridimensionim të vetes, të botëkuptimit, dhe qëndrim larg arrogancës.
2. Besimi te shenjtëria e jetës së gjithsecilit, prej së vetvetes, së prindërve, bashkëshortes, fëmijëve, etj.
3. Bindja se bashkëshortja nuk është prona jonë, por një krijesë që kërkon përkujdesjen maksimale nga bashkëshorti.
4. Bindja e nënës se fëmijët nuk i ka pronë, por krijesa të saj, sjellë në jetë me lejen e Zotit, që duan domosdoshmërisht dhe maksimalisht përkujdesje.
5. Bindja e fëmijëve se prindërit janë krijesa që duhen respektuar dhe trajtuar skajshmërisht mirë.
Pa këto parime, jeta familjare është e destinuar të marrë goditje shpërbërëse, e prej këtej, jeta shoqërore.
Kupën e tragjikes e mbush dhe mosmbajtja në kujtesë e disa këshillave, të vlefshme për t’u thënë:
a) Bashkëshorti më i mirë është ai që sillet më mirë me bashkëshorten e tij.
b) Prindi më me fat e më i sigurt për të ardhmen e pasardhësve është ai që i rrit me edukatë dhe moral të shëndoshë fëmijët e tij, posaçërisht vajzat.
c) Fëmija më i mirë është ai që i respekton prindërit, i mirëtrajton dhe i nderon.
ç) Njeriu më i mirë është ai që kujdeset për lidhjet e gjakut, që e ushqen dhe e mban lidhjen farefisnore.
d) Jeta, nderi, pasuria, besimi dhe gjendja mendore janë të shenjta për njeriun, dhe nuk lejohet të cenohen assesi.
Mbi këtë frymë duhet të edukohet shoqëria, me këtë frymë duhet të rritet fëmija, e këtë frymë duhet t’u japë bijve e bijave një prindërim i mbarë.
Zgjidhja nuk është sigurisht sa hap e mbyll sytë; duhet ecur gjatë deri tek ajo. E para gjë për t’u bërë, më e arritshmja dhe më fillestarja është dhënia e parësisë familjes, vendosja e saj si interes kryesor, pa iu ndarë faktorit determinues në jetët tona, kapjes fort pas besimit në Zot.