Koncepti i diturisë në Islam: mes diturisë fetare dhe diturisë së dobishme

Lidhja e Hoxhallarëve
13 minuta lexim

Hoxhë: Mustafa Terniqi.

 

Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: “Kërkimi i diturisë është detyrë për çdo musliman.” (transmetoi Ibn Maxheh, nr. 224), ndërsa në Kuran Allahu i Lartësuar na mëson si të lutemi: “Zoti im, shtoma diturinë!” (Sureja Ta-Ha, 114).

Të dyja tekstet e përmendin diturinë në mënyrë të përgjithshme, pa e kufizuar në një fushë të caktuar. Kjo ngre pyetjen: për cilën dituri bëhet fjalë?

Një interpretim i ngushtë e kufizon atë vetëm në diturinë fetare, duke e ndarë diturinë në “fetare” dhe “jo fetare”. Një qasje e tillë ngre disa probleme konceptuale, sepse dituria fetare në këtë kontekst do të perceptohej si përjashtuese ndaj çdo lloj dijeje tjetër. Si pasojë, rrezikohet të nënvlerësohen shkencat e tjera dhe të krijohet përshtypja se feja është e shkëputur nga shkenca, apo madje në kundërshtim me të. Një përfundim i tillë nuk mbështetet në një analizë të plotë të burimeve islame.

Argumentet e larmishme hedhin më shumë dritë për të kuptuar domethënien e teksteve të tilla sheriatike. Profeti (alejhissalatu uesselam) thotë: “Luteni Allahun për dituri të dobishme dhe kërkoni mbrojtje prej Tij nga dituria e padobishme.” (transmetuan Ibn Maxheh, nr. 3843, dhe Nesaiu në “Sunenin e madh”, nr. 7818). Në një transmetim tjetër profetik përcillet se Profeti (alejhissalatu uesselam) lutej në këtë formë: “O Allah! Të lutem Ty të më mbrosh nga dituria e padobishme.” (transmetoi Muslimi, nr. 2722).

Nga kjo vërejmë qartë se Profeti jep një koncept më të gjerë të dijes, duke mos e ndarë atë në dituri fetare dhe jo fetare, por në dituri të dobishme dhe të padobishme. Pra kriteri bazë në vlerësimin e dijes është dobia e saj, jo ndarja formale ndërmjet “fetare” dhe “laike”.

Ky kuptim mbështetet edhe nga Kurani, ku Allahu i Lartësuar tregon se e krijoi Ademin si mëkëmbës në tokë: “Dhe [kujto] kur Zoti yt u tha engjëjve: ‘Unë do të krijoj një mëkëmbës në tokë.” Më pas thotë: “Dhe Ai ia mësoi Ademit të gjitha emërtimet.” (Sureja el-Bekare, 30–31). Pra, Allahu nuk e kufizoi dijen vetëm në normat fetare, por ia mësoi atij emërtimet e të gjitha gjërave. Kjo nënkupton se, si mëkëmbës në tokë, njeriu është i thirrur ta zhvillojë jetën në përputhje me udhëzimin hyjnor, duke përvetësuar çdo dije të dobishme që i shërben këtij roli.

Në këtë kuadër, dijetarët klasikë islamë e kanë klasifikuar diturinë në dy kategori kryesore: farz ajn (detyrim individual) dhe farz kifajeh (detyrim kolektiv, që bie si detyrim nëse e zbaton një pjesë prej tyre). Farzi ajn përfshin dijet bazë sheriatike, të cilat çdo musliman duhet t’i mësojë patjetër, si parimet e besimit dhe rregullat themelore të praktikës fetare, përfshirë pastërtinë, faljen, agjërimin, zekatin dhe haxhin për ata që e kanë detyrë.

Ndërsa farzi kifajeh përfshin një spektër më të gjerë dijesh, të cilat janë të domosdoshme për funksionimin e jetës shoqërore. Krahas shkencave të thelluara sheriatike, si fikhu, tefsiri dhe hadithi, në këtë kategori përfshihen edhe mjekësia, matematika, bujqësia, administrimi dhe profesionet e ndryshme. Këto dije konsiderohen detyrim kolektiv, sepse mirëqenia e shoqërisë nuk mund të arrihet pa to.

Nuk ka dyshim se dituritë sheriatike janë parësore dhe tepër të rëndësishme. Megjithatë, jeta nuk mund të zhvillohet në mënyrë të plotë pa shkencat dhe dijet jetësore. Për këtë arsye, dijetarët i klasifikojnë ato, sipas rrethanave, si të domosdoshme (darura) ose të nevojshme. Për sa kohë që këto dije mbeten të dobishme dhe i shërbejnë mirëqenies së shoqërisë, ato konsiderohen fetarisht të pëlqyera.

Imam Ibn Kudame el-Makdisi sqaron: “Sa i përket farzit kifaje (detyrimit kolektiv), ai përfshin dijet pa të cilat nuk mund të funksionojnë çështjet e jetës së kësaj bote, si mjekësia, e domosdoshme për ruajtjen e shëndetit fizik, dhe matematika, e nevojshme për ndarjen e trashëgimisë dhe çështje të tjera. Nuk duhet të çuditemi kur themi se këto janë pjesë e farzit kifaje, sepse edhe bazat e zanateve hyjnë në këtë kategori, si bujqësia dhe endja (tekstilet), madje edhe hixhameja (nxjerrja e gjakut). Nëse një vend mbetet pa të tilla shërbime, ai do të përballej shpejt me pasoja të rënda. Ai që e ka zbritur sëmundjen, ka zbritur edhe shërimin dhe ka udhëzuar për përdorimin e tij.” (Muhtesar Minhaxh el-Kasidin, fq. 17.)

Ndërsa imam Ibn Tejmije thotë: “Për këtë arsye, shumë dijetarë prej ndjekësve të imam Shafiut dhe imam Ahmed ibn Hanbelit, si Ebu Hamid el-Gazali, Ebu el-Ferexh ibn el-Xheuzi dhe të tjerë, kanë thënë se këto dije dhe profesione janë farz kifajeh, sepse interesat dhe mirëqenia e njerëzve nuk mund të plotësohen pa to.” (Mexhmu el-Fetava, 28/80.)

Në një qasje më të thellë, imam Shafiu shprehet: “Nuk di të ketë ndonjë dituri, pas njohjes së hallallit dhe haramit, më fisnike se mjekësia.” (Dhehebiu në Sijeru a’lam en-Nubela, 10/57 dhe Ibn Kethiri në Tabekat esh-Shafiijjin, 1/32.)

Kurse Harmele (njëri prej studentëve të Shafiut) tregon: Imam Shafiu ndiente keqardhje për atë që muslimanët kishin humbur nga mjekësia dhe thoshte: “Kanë humbur një të tretën e dijes dhe ia kanë lënë atë hebrenjve dhe të krishterëve.” (Bejhekiu në Menakib esh-Shafiij, fq. 19.)

Siç shihet, imam Shafiu ndjen keqardhje për neglizhencën e muslimanëve ndaj mjekësisë në kohën e tij, në raport me të krishterët dhe hebrenjtë, për shkak se angazhimi më i madh i muslimanëve në atë kohë ishte përqendruar te dijet sheriatike, ndërkohë që edhe dijet jetësore janë të dobishme dhe me to ruhen ekuilibrat e jetës.

Është shumë interesant fakti se bashkëshortja e Profetit, Aishja, nuk mjaftohej me përvetësimin e dijes sheriatike, por i jepte rëndësi edhe dijeve jetësore. Urveh ibn ez-Zubejri (djali i motrës së Aishes) dëshmon: “Nuk kam parë grua më të ditur në mjekësi, në fikh (jurisprudencë islame) dhe në poezi se Aishja.” (Transmetoi Taberaniu, 23/182.)

Përtej kësaj,  Profeti (alejhissalatu uesselam) thotë: “Kurohuni (gjeni sherim) o robër të Allahut, sepse Allahu i Madhëruar nuk ka zbritur asnjë sëmundje, veçse ka zbritur bashkë me të edhe shërimin e saj, përveç vdekjes dhe pleqërisë.” (Transmetuan Ahmedi nr 18455 dhe Hakimi 4/198).

Ky hadith nxit kërkimin e shërimit dhe, në mënyrë të tërthortë, studimin dhe hulumtimin e vazhdueshëm, pasi nënvizon parimin se për çdo sëmundje ekziston një trajtim ose ilaç. Madje, Profeti (alejhissalatu uesselam) vendos kritere të qarta për kompetencën profesionale në mjekësi, duke mos lejuar që me të të merret kushdo. Në një hadith tjetër thuhet: “Kush praktikon mjekësinë, pa qenë i njohur më parë për dije në mjekësi, ai është përgjegjës  për kompensimin e dëmit. “ (Transmetuan Ebu Davudi nr 4585 dhe Ibn Maxheh nr 3466)

Po të analizojmë më thellë, përballemi me tekste fetare që trajtojnë etikën profesionale, dijen, aftësitë dhe domosdoshmërinë e profesionalizmit, si dhe përgjegjësinë morale e ligjore që e shoqëron atë. Këto tekste nxisin jo vetëm përvetësimin e dijeve jetësore, por edhe specializimin, dhe thellimin në to.

Gjithashtu transmetohet se Zejd ibn Thabiti ka thënë: “I Dërguari i Allahut më urdhëroi të mësoj gjuhën siriake (një dialekt i gjuhës aramaike).” (Transmetoi Tirmidhiu nr. 2715).

Në një hadith tjetër, Zejd ibn Thabiti thotë: “I Dërguari i Allahut më urdhëroi të mësoj hebraishten, duke më thënë: “Për Allahun, unë nuk u besoj hebrenjve për shkresat e mia.” Kështu që unë e mësova atë dhe nuk kaloi as gjysmë muaji derisa e përvetësova mirë. Unë i shkruaja atij kur ai shkruante dhe i lexoja atij kur i vinin letra.’ (Transmetuan  Ebu Davudi nr. 3645 dhe Tirmidhiu nr. 2915).

Edhe pse qëllimi ishte mbrojtja nga keqkuptimet dhe manipulimet, ky urdhër tregon në mënyrë të qartë rëndësinë e përvetësimit të dijeve të dobishme, siç janë gjuhët e përdorura në korrespondencën zyrtare, të cilat në kohën moderne klasifikohen brenda fushës së gjuhësisë (linguistikës) dhe degëve të saj.

Ndërkohë, kur ndalemi te fjala e Zotit, Kurani, vërejmë shumë shembuj që nxisin reflektim mbi shkenca dhe dije të ndryshme jo-sheriatike. Në suren El-Gashijeh, ajetet 17–20, Allahu i Lartësuar thotë:

“Vallë, a nuk i shohin devetë, se si janë krijuar?! Po qiellin, se si është ngritur?! Po malet, se si janë ngulitur?! Po Tokën, se si është shtrirë?!”

Këto ajete nxisin vëzhgimin dhe reflektimin mbi krijimin, duke nxitur mendimin shkencor në fusha të ndryshme si biologjia, anatomia, astronomia, gjeografia dhe gjeodezia.

Në një ajet tjetër kuranor thuhet:

“Ne do t’u tregojmë atyre shenjat Tona në hapësirat tokësore e qiellore, si dhe në vetveten e tyre, derisa t’u bëhet plotësisht e qartë se ai (Kurani) është e vërteta.” (Fussilet, 53)

Ky ajet përmban një thirrje të qartë për reflektim dhe hulumtim mbi krijimin e Allahut, si në botën e jashtme ashtu edhe në vetë qenien e njeriut. Ai nxit njeriun të vëzhgojë universin, i cili karakterizohet nga ligje të rregullta dhe një sistem i përpiktë, si dhe të meditojë mbi strukturën e tij biologjike.

Kur njeriu studion vetveten, ai vëren organizimin e jashtëzakonshëm të krijimit, duke filluar nga qeliza si njësia më e vogël e jetës, e më pas indet, organet dhe sistemet e tyre të ndërlikuara. Po ashtu, si në brendësinë e vetvetes, ashtu edhe në botën e jashtme, ai përballet me shenja që tregojnë madhështinë dhe përpikmërinë e krijimit hyjnor.

Në këtë kuptim, ajeti nxit përdorimin e dijeve dhe shkencave të ndryshme si mjete për të kuptuar më thellë krijimin dhe për të forcuar njohjen e Zotit dhe të vërtetës së mesazhit hyjnor. Për të arritur këtë shkallë njohjeje, ai nxit reflektim dhe studim në fusha si astronomia, fizika, kozmologjia, gjeologjia, meteorologjia, biologjia, anatomia, fiziologjia, mjekësia dhe shkenca të tjera të ngjashme.

Në përmbyllje, koncepti i dijes në Islam përmblidhet në parimin e diturisë së dobishme, e cila përfshin çdo njohuri që i shërben njeriut në besim, jetesë dhe zhvillim shoqëror.

Prandaj, çdo dije që sjell dobi reale dhe i shërben njeriut në përmbushjen e misionit të tij si mëkëmbës në tokë, hyn në kuadrin e dijes së vlefshme dhe të kërkuar.