Kontratat e sigurimit në vendet joislame

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 6 minuta lexim

Lavdërimi i takon Allahut, paqja dhe bekimi qofshin mbi të Dërguarin e Tij.

Asambleja e Juristëve Muslimanë të Amerikës, në sesionin e saj të dytë të mbajtur në qytetin e Kopenhagenit në Danimarkë nga data 4-7 të muajit Xhumada el-Ula, të vitin 1425 hixhri, që përkon me 22-25 qershor i vitit 2004, pasi shqyrtoi studimet e paraqitura nga anëtarët dhe ekspertët e Asamblesë mbi temën “Kontratat e sigurimit në vendet joislame” dhe pas diskutimeve të zgjeruara për këtë temë, mori këto vendime:

Së pari: Lidhur me konceptin e sigurimit

Siguria është një mirësi hyjnore dhe një nevojë e domosdoshme njerëzore, prandaj përpjekjet për ta arritur atë janë fetarisht legjitime.

Koncepti i sigurimit bazohet në vendosjen e një pjese të të ardhurave apo pasurisë në drejtim të përballimit të vështirësive dhe nevojave të ardhshme, në rast të humbjeve ose rënies së të ardhurave, si dhe për mbrojtjen nga rreziqet dhe dëmet që mund të prekin pronën. Ky koncept është i pranueshëm nga pikëpamja islame nëse zbatohet në përputhje me Sheriatin.

Sigurimi shoqëror bazohet në ndihmesën e përbashkët dhe është një vlerë islame që buron nga bamirësia dhe devotshmëria, duke mbrojtur kështu individin nga rreziqet dhe vështirësitë financiare që mund të ndodhin me pronën, për të cilat kursimet personale mund të mos jenë të mjaftueshme për t’i përballuar ato.

Së dyti: Lidhur me praktikat e sigurimit

Sigurimi komercial, i cili realizohet përmes një kompanie sigurimi që mbledh këstet e sigurimit dhe paguan kompensimin e dëmeve, duke përfituar nga teprica që mbetet nga shumat e mbledhura, pas pagesës së kompensimeve, dhe e investon këtë tepricë në përfitim të pronarëve të kompanisë, mbart dyshime të shumta fetare, për shkak të elementeve të gararit (dëmit dhe përfitimi të panjohur) dhe faides që përfshihen në të. Pa harruar këtu faktin se këto kompani i investojnë këto pasuri në mënyra të ndaluara fetarisht, siç është vendosja me interes në banka apo dhënia e tyre me fajde për palë të treta. Për këtë arsye ky lloj sigurimi nuk lejohet fetarisht nga shumica e dijetarëve islamë të sotëm.

Sigurimi i solidaritetit (tekafuli) i realizuar nga kompanitë islame të sigurimeve, që operojnë mbi bazën e solidaritetit dhe dhurimit, ka dakordësi mes dijetarëve se është i lejuar nga Sheriati. Asambleja sugjeron që të nxiten të tilla kompani duke punuar me to si dhe të mbështeten me të gjitha mundësitë zgjerimi dhe përhapja e tyre.

Së treti: Lidhur me kontratat e sigurimit jashtë vendeve islame

Praktikat e sigurimit jashtë vendeve islame dominohen nga sigurimi komercial, i cili nuk lejohet nga shumica e dijetarëve islamë bashkëkohorë.

Disa kompani komerciale të sigurimeve kanë filluar të ndjekin disa praktika që janë të ngjashme me ato të kompanive islame të sigurimit, veçanërisht në lëshimin e policave ku përfshihet ortakëria në fitim ose kthimin e shumave të paguara nga i siguruari, nëse ai nuk preket nga kompensimi (për dëmin për të cilin ai është siguruar).

Duke marrë parasysh rrethanat e veçanta të muslimanëve që jetojnë jashtë vendeve islame dhe domosdoshmërinë e përmbushjes së kërkesave të sigurimit të detyrueshëm sipas ligjeve vendase, si dhe nevojën për sigurim të pronës, veçanërisht në tregtinë ndërkombëtare, Asambleja e shikon të arsyeshme lejimin për muslimanët që jetojnë jashtë vendeve islame të përdorimit të sigurime komerciale, si lehtësim për ta në rrethanat e mëposhtme:

Sigurimet e detyrueshme të kërkuara nga ligji.

Sigurime të tjera të nevojshme për të përballuar barra të mëdha financiare ose rreziqe që nuk mund të mbulohen nga burimet e të ardhurave individuale, siç është sigurimi shëndetësor e të ngjashme.

Në këto raste, muslimanët janë të këshilluar të zgjedhin kompani sigurimesh që zbatojnë praktika sa më të afërta me sigurimin solidar që ofrojnë kompanitë islame.

Asambleja sugjeron që të bëhen përpjekje për t’u larguar nga bashkëpunimi me kompanitë komerciale të sigurimeve, duke synuar përmbushjen e nevojave të muslimanëve dhe respektimin e plotë të dispozita fetare dhe përhapjen vlerave dhe normave islame përmes:

Krijimit të kompanive islame të sigurimeve në vendet ku jetojnë një numër i madh muslimanësh.

Hapjes së zyrave të përfaqësuese të kompanive islame të sigurimit në disa vende islame për t’ju shërbyer komuniteteve muslimane në shtetet joislame, gjë që është e mundur nisur nga marrëveshjet ndërkombëtare në këtë drejtim.

Allahu është më i dituri dhe më i larti.

 

Burimi: https://www.amjaonline.org/wp-content/uploads/2019/02/2nd-session_book.pdf