Disa njerëz bëjnë mirësi, porse dështojnë që në provimin e parë. Nga format e kësaj janë:
Disa pretendojnë se e duan dikë për hir të Allahut, por dështojnë që në provimin e parë me të; p.sh., nëse i kërkon atij diçka dhe ai i kërkon falje (se nuk mundet), dashuria e tij kthehet në urrejtje!
🔶Shenja se dashuria është për hir të Allahut është që ajo të mos ndryshojë për shkak të një qëndrimi që ka të bëjë me këtë botë; përkundrazi, ai duhet të vazhdojë duke kërkuar justifikime dhe duke pranuar arsyetimin e atij që kërkon falje.
Jahja ibn Muadh ka thënë: “E vërteta e dashurisë për hir të Allahut është që ajo të mos shtohet si shkak i mirësive dhe të mos pakësohet si pasojë e ftohtësisë.” [Shih: Feth el-Bari (1/62)].
Disa tregojnë modesti ndaj atyre që janë më të vegjël se ata në moshë, në dije apo në diçka tjetër, por pastaj zemërohen dhe hidhërohen nëse nuk vlerësohen dhe nuk u njihet modestia! Kjo është dështim.
🔶Nëse modestia është e vërtetë, nuk shoqërohet me këtë ndjenjë.
Disa i lavdërojnë bashkëmoshatarët e tyre dhe madje përcjellin prej tyre dobi e thënie të veçanta, por nëse ata nuk ia kthejnë me të njëjtën gjë, ndalen! Kjo është dështim.
🔶Nëse je i bindur për atë që bën dhe e sheh të dobishme atë që përcjell, mos prit kundërpërgjigje. Ata mund të kenë edhe arsye për të cilat duhen arsyetuar.
Disa u bëjnë dhurata të dashurve të tyre herë pas here; nëse ata nuk ua kthejnë me të njëjtën mënyrë, ndalen, madje ndoshta edhe i qortojnë e hidhërohen. Kjo është dështim.
🔶Mos e lidh moralin dhe bujarinë tënde me reagimet e të tjerëve.
Disa u bëjnë mirë të tjerëve, por kur ata ua kthejnë me të kundërtën, ndalen nga mirësia! Kjo është dështim.
🔶Nëse mirësia jote është për hir të Allahut dhe shpreson atë që është tek Allahu, atëherë mos të të largojë prej saj ajo që has nga mosmirënjohja e të tjerëve.
🌳E kuptoj se suksesi në këto prova është i vështirë, por nuk është i pamundur. I suksesshëm është ai që Allahu i ka dhënë sukses.
Suksesi arrihet vetëm me përpjekje, me luftë me vetveten dhe me llogaridhënie të vazhdueshme. Sa më i madh dhe më i plotë të jetë ky përkushtim, aq më i madh dhe më i dalluar është suksesi.
Prof. Dr. Sulejman Dibejh
