Hoxhë. Dr. Justinian Topulli
Historinë e lavdishme të së shkuarës së një populli, kombi apo feje, e lartëson dhe e kujton lavdia dhe fuqia e sotme e këtyre popujve, kombeve dhe ndjekësve të këtyre feve. Lavdia dhe krenaria e dikurshme nuk mund të bëhet e dukshme dhe e besueshme për të tjerët, nga pasardhësit e tyre të dobët dhe të prapambetur sot. Është normale që njerëzit të interesohen më së shumti dhe të kenë parësore gjendjen e sotme dhe jo atë të djeshme, e cila i përket historisë, sepse historia e djeshme e përfton rëndësinë pikërisht nga gjendja e sotme.
Nëse gjendja e sotme është e mirë, e lavdishme dhe për t’u krenuar me të, ajo ia atribuon natyrshëm këtë gjë së shkuarës së saj të lavdishme, nga e cila ajo e merr frymëzimin dhe premisën. Por nëse gjendja e sotme është mjerane dhe lë shumë për të dëshiruar, atëherë edhe kujtesa dhe promovimi i kësaj të shkuare, sado e lavdishme dhe e vërtetë të ketë qenë, mbetet e mangët, e dobët dhe jo shumë e besueshme nga njerëzit e epokës aktuale.
I forti është ai që gjithmonë e dominon retorikën dhe diskursin, me narrativën e tij për të shkuarën, sado e saktë ose e fryrë të jetë ajo. Mjafton për këtë të shohësh diskursin intelektual-kulturor evropian-perëndimor, sesi e ngre aq lart trashëgiminë e tij greko-romake dhe madje i jep një ekskluzivitet të atillë, saqë për axhaminjtë e historisë dhe kulturës, çdo arritje dhe qytetërim fillon dhe mbaron me Evropën, a thua se Azia, Afrika dhe ndonjë pjesë tjetër e botës, kurrë nuk kanë parë ndonjë qytetërim dhe zhvillim që të ketë qenë ndonjëherë më lart sesa ai evropian, edhe në epokat e tyre më të lavdishme?!
Padyshim që respekti dhe vlerësimi që ekziston sot në botë për të shkuarën e këtij qytetërimi, e përfton rëndësinë e tij, pikërisht nga forca dhe rëndësia e sotme që ka ky qytetërim për shoqëritë aktuale njerëzore. Është pikërisht kjo arsyeja, përse qytetërimit islam, apo edhe të tjerëve, nuk iu jepet pesha e duhur historike, akademike, kulturore dhe mediatike. Njerëzve të dobët, asnjëherë nuk iu dëgjohet zëri mjaftueshëm, për paraardhësit e tyre, sado të vërteta dhe të sakta të jenë pretendimet historike për ta, ndërkohë që pretendimet e të fortëve të sotëm për paraardhësit e tyre do të jenë në qendër të vëmendjes, edhe sikur ato të mos jenë plotësisht, apo aspak të vërteta.
Individët dhe shoqëritë i ngre puna dhe përpjekja e tyre aktuale dhe jo trashëgimia e së shkuarës, e cila edhe pse është pjesë e identitetit të tyre, nuk mjafton për ta lartësuar një njeri apo shoqëri në epokën që ai jeton. Madje, kështu është edhe tek Zoti, në planin fetar dhe shpirtëror. I Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Atë që e lë pas puna e tij, nuk e nxjerr në krye prejardhja e tij.” (Muslimi, 2699)