LHSH e nderon nxënësen e mbuluar me një ceremoni

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 3 minuta lexim

Mbulimi me dëshirë gjatë këtij muaji të madhnueshëm të Ramazanit dhe qëndresa që i bëri nxënësja Aida Zeqiri presioneve që iu bënë nga drejtoresha e shkollës që ajo frekuenton u bënë shkak për një ceremoni të iniciuar nga LHSH me motra muslimane dhe njëkohësisht gra që merren me davet. Kjo ceremoni e mori shkasin nga ngjarjet e fundit të ndodhura në një nga shkollat e Tiranës, ku me ndihmën dhe përpjekjen e disa aktivistëve muslimanë dhe hoxhallarëve pranë LHSH u ndërmjetësua, që nxënësja Aida Zeqiri pa humbur shumë kohë t’i kthehej bankave të shkollës. Duke marrë shkas nga ky rast stafi ekzekutiv i LHSH-së organizoi një ceremeni nderimi dhe njëkohësisht ftoi disa motra muslimane, që më heret kanë qenë protagoniste në raste të tilla. Ceremoninë e përshëndeti fillimisht kryetari i LHSH-së hoxhë Sokol Kondakçiu, i cili e vlerësoi këtë përpjekje të kësaj vajze të mbuluar, si dhe mirësinë e këtyre ditëve të Ramazanit që po përjetojmë. Hoxhë Neki Kaloshi foli pak për të kaluarën historike dhe kthimin në identitet të femrës muslimane me mbulesën si urdhër i Zotit të Lartësuar. Përgjegjësi për botimet i LHSH Roald Hysa e vlerësoi këtë takim si mirënjohje edhe ndaj atyre grave të mbuluara të pranishme në këtë takim, të cilat e vendosën mbulesën dhe duruan sulmet e ashpra të një shoqërie të sapodalë nga një regjim komunist i ashpër dhe antifetar. Znj. Brixhita Muça, Ermira Pashai dhe Anduena Qefalia në emrin e tyre dhe të LHSH i bënë disa dhurata përgëzuese nxënëses Aida Zeqiri dhe e nxitën që të vazhdojë me këmbëngulje në rrugën e bukur të fesë tonë të ndritur Islamit. Ky takim mori pamje festive nën kujdesin edhe të grave të hoxhallarëve znj. A. Plumbi, M. Tafçiu, znj. Sadikllari etj. nxënëses Aida Zeqiri iu dhurua një laptop në shenjë mirënjohje dhe nxitjeje nga LHSH për të qenë një nxënëse e mirë dhe e denjë për mbulesën islame që ka vendosur.