Një lajm i mirë për të gjithë ne është edhe përdorimi i librave të mësimbesimit për fëmijë në diasporën tonë në Gjermani në qytetin e Schwäbisch Gmünd landi i Baden-Württembergut. Me nismën e hoxhë Hoxhë Rejhan Islamit dhe mësimdhënësit Sabedin Leci tri grupe fëmijësh me mosha të ndryshme kanë nisur të mësojnë me librin “Mësimi i Fesë Islame për Fëmijë” nr. 1 (për moshat 6-7 vjeç), nr. 2 (për moshat 7-8 vjeç), nr. 3 dhe 4 (për moshat 9-10 vjeç), si dhe Udhërrëfyesi Islam (për mosha mbi 15 vjeç). Tashmë Qendra Islame Shqiptare në Schwäbisch Gmünd me hoxhë Rejhan Islamin ka ndërmarrë këtë nismë pozitive për të qenë sa më pranë vllezërve tonë emigrantë atje, duke i ndihmuar fëmijët të mësojnë për Islamin, për Profetin tonë të dashur Muhamedin alejhi selam e për Kuranin e Madhnueshëm. Janë dy grupe djemsh të moshave shumë të reja nga 6-10 vjeç, si dhe një grup prej katër vajzash, të cilët mësojnë me dy mësues të përkushtuar ndaj fesë hoxhë Rejhanin dhe mësuesin Sabedin Leci. Ky është sezoni i parë që sapo ka filluar dhe sipas ndarjes së librave do të vazhdohet edhe më tutje. Nxënësit e këtij mektebi jo vetëm do të mësojnë me libra Islamin, por njëkohësisht do të ruajnë të pastër edhe mësimin e gjuhës shqipe. Botuesit kanë treguar kujdes për gjuhën shqipe të përdorur në këto libra dhe prandaj e shohin si një përpjekje të mirë përdorimin e tyre nga diaspora shqiptare në Evropë.