Libri me poezi “Pluhun n’ecje”, nga hoxhë Burhan Al Din Sejdi Fili

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 4 minuta lexim

Pluhun n’ecje

Libri më i fundit  me poezi i titulluar “Pluhun n’ecje” nga hoxha Burhanudin Fili është botimi më i fundit i Lidhjes së Hoxhallarëve te Shqipërisë. Në vazhdën e botimeve nga fusha të ndryshme tashmë kemi një botim të veçantë, që i rikthehet traditës së vjetër të hoxhallarëve, poezisë.

Hoxhë Burhanudin Fili është një njeri që dallgët e jetës e kanë “përplasur” gjithandej, dhe i shquar për përpjekjen e tij në fushën e thirrjes islame si me gojë, po ashtu edhe me penë. Ai mund të quhet me të drejtë përfaqësuesi, ndoshta i rrallë, i një brezi të munguar hoxhallarësh, të cilët duhet të shërbenin si hallkë lidhëse mes brezave, të atij të para diktaturës me ata të pas diktaturës, që dijen e tyre islame e kanë marrë në liri. Hoxhë Burhani është autor i disa botimeve të ndryshme, por kësaj radhe ai do të paraqitet përpara lexuesit me një vëllim poetik të veçantë. “Yjet ndriçojnë mbi vendin tim” është një libër poetik me tema të ndryshme fetare, ku autori flet si një misionar i vërtetë i dijes dhe i fton lexuesit tek urtësia e saj. Toni i tij poetik është i atij njeriu që thërret me qetësi dhe për nga e mbara. Libri është i ndarë në pesë pjesë, ku secila prej tyre mbulon nje temë shumë interesante për lexuesin. Udhtim në t’kaluemen, Atdhe i dashtun, Drita e Islamit, Për njerzit, Loti që pastron zemrën,- janë pesë cikle poezish që të fusin në një botë të vetën secili. I gjithë libri hapet me një poezi “Kush asht Hoxha?” një bashkëbisedim në vargje me mikun e vet lexues. E më tej vijojnë ciklet e përmendura më sipër. Me fjalë të thjeshta e me shumë dashuri të derdhura në vargje autori e fillon udhëtimin e tij nga e shkuara e lavdishme e Islamit për të ardhur në ditët tona. Një udhëtim i gjatë në kohë ky që e ka shqetësuar hoxhën tonë dhe që ka dashur t’i ndajë nëpërmjet vargjeve së bashku me ne. Janë udhëtime të një jete të tërë këto, të cilat na përcillen dashamirësisht me një gjuhë të lehtë e të kuptueshme. Dashuria për Zotin, për fenë dhe njeriun janë komponente përbërëse të fjalës poetike të autorit. Ajo që të bie në sy në ligjërimin e tij poetik është një butësi në komunikim, e cila e përcjell mesazhin mjaft qartë.

Ciklet e përmendura më sipër janë ndarje të atyre stacioneve jetësore ndërmjet të cilave ka udhëtuar autori dhe nëpërmjet të cilave mundohet të komunikojë me ne lexuesit. Dashuria për atdheun është një stacion i rëndësishëm në udhëtimin e peripecitë e jetës së autorit, nga i cili i është dashur të arratiset dhe të jetojë një kohë bukur të gjatë në mërgim. Po ashtu ai shkruan dhe ua dedikon disa njerëzve me shumë dashamirësi vargjet e tij të thjeshta, por që i dalin nga zemra. Ne do t’ju ftonim juve si lexues t’i lexonit me dashamirësi këto vargje të ndjera të autorit. Gjithashtu urojmë që ky mos të jetë libri i fundit i autorit dhe të ketë edhe të tjerë në vijim.