Hoxhë. Dr. Bledar Haxhiu
Lidhja e Haxhi Bektash Veliut me Jeniçerët([1])
Shumë burime (libra) bektashian dhe jo vetëm, pohojnë se ka një lidhje mes Hxhi Bektash Veliut me ushtrinë jëniçere, madje disa nga këto burime shkojnë deri atje sa është pikërisht Haxhi Bektash Veliu ai i cili i emërtoi me këtë emër, u dha bekimet dhe u lut për ta që të kenë sukses dhe fitore.
Ahmed Siri babai në lidhje me këtë thotë: “Në tokën rume filloi përhapja e tarikatit bektashian. Numri i njerëzve që pranuan këtë tarikat u shtua kaq shumë dhe mori një shtrirje aq të madhe sa që emri e bëmat e zotërisë dhe mullait tonë u mësuan nga mbajtësi i fronit mbretëror, Sulltan Orhani, i dyti sulltan i familjes Osmane. Me qëllim që të fitojë një lutje nga mullai ynë i madh vetë Sulltani la salltanetet e pushtetit të tij për t’i puthur dorën e bekuar dhe ia arriti qëllimit; mori një lutje mirësie dhe bekimi. Menjëherë pas kësaj vizite mbretërore te i madhi murshid, shkëlqesia e tij, Orhani i madh, pati mirësine të ftojë zotërinë e nderuar në festimin e madh, që organizohej me rastin e themelimit të shoqërisë “Inkisharije”.
Pasi arriti në manifestimin e madh, mullai i nderuar bekoi ushtarin që përfaqësonte ushtrinë dhe, mbi krye të tij, me ato duar fisnike, vendosi mëngën e tij të bekuar. Qysh prej asaj kohe u bë traditë vendosja e një cope beze, në formën e mëngës, në pjesën e mbrapme të mbulesës së kokës së “inkisharijve”, deri në ditët e fundit të tyre.Ishte theka e ligjëruar dhe e papërlyer, që ushtria vendosi mbi krye, si dhe tarikati Bektashi, ato që bënë të hapet Kostandinopoja dhe ushtria islame të arrijë deri ne portat e Vjenës”. ([2])
Një transmetim të ngjashëm me këtë e përmend dhe Shemsudin Sami Frashëri në librin e tij “Kamusul A’lam” ku thotë: “Haxhi Bektash Veliu preu mëngën e xhybes së tij dhe e vendosi në kokën e komandantit të batalionit dhe i quajti Jeniçer, më pas u lut për ta me fjalët: “O Zot! Shndriçoi fytyrat e tyre, shpatat e tyre bëji shpatat e tyre copëtuese, heshtat e tyre vrasëse dhe bëji triumfues ndaj armiqve të tyre”. ([3])
Megjithatë duhet të vëmë theksin këtu se, një pjesë tjetër studiuesish janë skeptik në lidhje me këtë ngjarje, madje disa të tjerë mohojnë në mënyrë kategorike lidhjen e Haxhi Bektash Veliut me trupat Jeniçere, duke i mëshuar faktit se Haxhi Bektash Veliu nuk ka jetuar fare në kohën e sultan Orhanit ([4])
Po kështu Hasluck pohon se: “legjenda lidhur me themelimin e trupës jeniçere nga Sulltan Orhan dhe bashkimi i tij me Haxhi Bektashin, është vetëm një “ide” bektashiane që ka të bëjë me përvetësimin e organizimit të jeniçerëve për të bërë të njohur këtë shejtor, si shejtin udhëheqës të tyre dhe urdhërin si aleatin shpirtëror”.([5])
Është e vështirë të pohoet se Haxhi Bektash Veliu ishte një ndër personalitetet që morën pjesë në themelimin e jeniçerëve, porse është e sigurtë se bektashinjtë luajtën një rol të rëndësishëm në frymëzimin dhe inspirimin e jeniçerëve, dhe se në çdo togë kishte dervish bektashinj të cilët mernin pjesë në betejat Jeniçere, në mënyrë që tu jepnin zemër ushtarëve dhe të mbanin ambicjen e tyre lartë.
Etapa e dytë:
Etapa e Ballëm Sulltanit([6])
Themeluesi i bektashizmit Haxhi Bektash Veliu vdiq, ndërkohë që pasuesit e tij ishin shtuar dhe përhapur kudo, në tarikatin e sapo formuar kishin hyrë shumë dervish të tarikateve të mëparshme si: Kalenderi, Hajderi, Babai etj, vetëm se duhet thënë se Haxhi Bektash Veliu nuk e kishte skicuar tarikatin dhe nuk kishte vendosur baza dhe rregulla të cilat duhet t’i ndiqnin muridët më pas; pra në këtë periudhë bektashizmi ishte pothuajse si të gjitha tarikatet e tjera, pa ndonjë ndryshim të madh, me përjashtim të faktit se ata e konsideronin Haxhi Bektash Veliun si prijësin e tyre shpirtëror.
Menjëherë pas vdekjes së Haxhi Bektash Veliut, drejtimin e tarikatit e mori një familje e cila njiheshin si Çelepij, të cilët pretendonin se Haxhi Bektash Veliu ishte martuar dhe se ata ishin bijtë e tij natyral.
Kjo gjendje vazhdoi deri në fillimet e shekullit të 16, kohë kjo kur sapo kishte dalë në arenën bektashiane Ballëm Sulltani, i cili kishte hipur në fronin e përkujtimit dhe mësimit të bektashianëve, aq sa më pas u bë dhe shehu i teqesë së Dimotekës.
Sulltan Bajaziti i dytë kur dëgjoi për famën e tij, dërgoi që ta mernin dhe e caktoi në teqenë e Haxhi Bektash Veliut, që nga ky moment Ballëm Sulltani filloi ti kryente ritet në teqenë kryesore dhe u konsiderua si Piri (prijësi) i dytë i bektashizmit.([7])
Në historinë bektashiane, Ballëm Sulltani njihet si personi i cili vuri themelet dhe bazat e tarikatit, ai shtjelloi hierarkinë bektashiane si dhe vendosi metodikën shpirtërore në rrugën e sufizmit dhe ngjitjen e gradave në tarikatin bektashi.([8])
Ballëm sulltani ishte i mendimit se çdo kush që dëshironte të anëtarësohej në bektashizëm, duhej patjetër që të lidhej me gjith zemër me Haxhi Bektash Veliun, të hiqte dorë nga dëshirat e kësaj bote dhe çdo gjë që e bënte të lidhej me të.
Disa studiues janë të mendimit se Ballëm Sulltani u ndikua nga besimi i krishter të cilit i përkiste nëna e tij, prandaj dhe sështë habi që disa rite të krishtera janë bërë pjesë e bektashizmit, por tashmë me emra të tjera dhe disa ndryshime, si: triniteti i ngërthyer në simbolikën bektashiane “Allah, Muhamed, Ali”, e cila ka zënë një rëndësi të veçantë në bektashizëm([9]). Po ashtu edhe idea e murgërisë depërtoi në bektashizëm nën simbolikën e “Muxherredëve”([10]). Tarikati bektashi po ashtu përthithi dhe përdorimin e qirinjve në kryerjen e disa riteve. Veç kësaj në kohën e Ballëm Sulltanit u shfaqën qartazi edhe pjesë e bestitnyve shite, të cilat u bënë pjesë e vetë tarikatit ([11])
Duhet thënë se në kohën e Ballëm Sulltanit, tarikati lulëzoi dhe u shtuan anëtarët e tij; në këtë kohë edhe tëqeja e Haxhi Bektash Veliut u zgjerua dhe iu shtuan sipërfaqe të mëdhaja toke.
Na e gjitha kjo sa përmendëm arrimë të kuptojmë rinovimin dhe ndryshimet që pësoi tarikati bektashi pas ardhjes së Ballëm Sulltanit në krye të tarikatit, aq sa nuk mbeti prej asaj që ishte trashëguar nga Haxhi Bektash Veliu vetëm se emri i tij dhe konsiderimi i këtij i fundit si prijës shpirtëror, prsndaj dhe Ballëm Sulltani quhet piri (prijësi) i dytë i tarikatit dhe inovatori kryesor i tij.([12])
(Vazhdon)
______________________________
([1]) Jeniçer, në turqisht d.m.th, ushtria e re. kjo ushtri ishte e ndërtuar nga fëmijët jetim apo dhe fëmijët e marra nga vendet e evropës, të cilët stërviteshin dhe u mësoheshin parimet e fesë Islame. Kjo ushtri u themelua në kohën e sultan Orhanit rreth viteve 1326 dhe mori një famë të madhe, ku një rol të rëndësishëm luajtën dhe dervishët bektashi. Jeniçerët u shpërbën me ferman të sulltan Mahmudi i dytë më 1826, për faktin se filluan të bënin trazira dhe humbën funksionin për të cilin u themeluan. Salatin Beni Uthman, Nezar Kazan, bot: 1: (fq: 21).
([2]) Risale Ahmedije: (14-15).
Sqarim: Ky liber origjinën e ka në arabisht, madje nëpërmjet një miku kam patur rastin që të marr për të parrë një përmbledhje origjinale të tij në tre gjuhë -arabisht, persisht dhe turqisht- nga biblioteka e Bardhyl Ficos –Allahu e mëshiroftë-, dhe kam dëgjuar se është përkthyer në shqip me titullin “Gjurmë Bektashiane”, nën kujdesin e komunitetit bektashian. Unë në këtë studim i jam përmbajtur origjinalit në arabisht, të cilin arrita ta depozitoj në formatin PDF.
([3]) Kamusul A’lam, Shemsudin Sami Frashëri, bot: 1: (2/1332); Tarijh Deuletu el Ilijetu el Uthmanije, Ferid Bek, bot: 1: (fq: 13); Fletorja e pergjithshme e Bektashinjvet: (fq: 32).
([4]) Deur el Inkisharije fi Id’afi Deuletil Uthmanije, Amani al Gazi: (fq: 52).
([5]) Shiko: Christianity and Islam Under the Sultans, Frederick Ëilliam Hasluck: (fq: 489-493), Oxford 1929; Pir Haxhi Bektash Veliu: (fq: 138).
([6]) Për jetën e Ballëm Sulltanit më të zgjeruar, do të flasim ke tema rreth personaliteteve të bektashizmit.
Sqarim: Ky liber origjinën e ka në arabisht, madje nëpërmjet një miku kam patur rastin që të marr për të parrë një përmbledhje origjinale të tij në tre gjuhë -arabisht, persisht dhe turqisht- nga biblioteka e Bardhyl Ficos –Allahu e mëshiroftë-, dhe kam dëgjuar se është përkthyer në shqip me titullin “Gjurmë Bektashiane”, nën kujdesin e komunitetit bektashian. Unë në këtë studim i jam përmbajtur origjinalit në arabisht, të cilin arrita ta depozitoj në formatin PDF.
([7]) Urdhëri Bektashi i Dervishëve: (fq: 64).
([8]) Fikër el Batini fi Anadol: (fq: 35).
([9]) Kjo simbolikë dhe ky lloj bësimi, nuk ishte pjesë përbërëse e tarikatit në fillimet e tij, porse u shfaq në kohën e Ballëm Sulltanit, sikurse do ta sqarojmë edhe më tej.
([10]) Muxherredët, janë ndjekësit e tarikatit të cilët nuk martohen dhe që zhvishen nga dashuria e kësaj bote dhe stolitë e saj; ata i janë dedikuar adhurimit, asketizmit dhe qëndrojnë në teqetë e mëdha. Mudhekiretu Tefsirije Lisherh Tarikati el Bektashije, Ahmed Siri Baba, bot: 1: (fq: 10), Kajro 1948.
([11]) Fikër el Batini fi Anadol: (fq: 35-36); Meusuatul Firaki uel Medhahib: (fq: 195); Urdhëri Bektashi i Dervisheve: (fq: 64-65).
([12]) Vlen të sqarojmë këtu se Ballëm Sulltani kur nxorri rregullin e muxherredëve (dervishëve beqar), ndodhu një krisje mes ndjeksëve të bektashizmit; sepse sikur përmendëm edhe më lartë Çelepinjtë, pretendonin se Haxhi Bektash veliu ishte martuar me zonjën Hatun dhe se ata ishin pasardhësit biologjik të tij; ndërsa Ballëm Sulltani dhe ata që e ndiqnin, besonin se Haxhi Bektash Veliu nuk u martua dhe se ata janë djemtë shpirtëror të tij, dhe se dervishët duhet të jenë muxherred (beqarë), gjë që shkaktoi përplasje të forta dhe se çdo grup pretendonte se ata ishin më të denjë për të udhëhequr bektashizmin!