Lindja e mendimit Ekonomik Islam dhe karakteristikat e tij

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 21 minuta lexim

Lindja e mendimit Ekonomik Islam dhe karakteristikat e tij

Islami përfshin të gjithë jetën e njeriut nga të gjitha aspektet, po ashtu edhe aspektin material dhe atë shpirtëror. Islami nuk është një fe, që është mjaftuar vetëm me anët doktrinale dhe shpirtërore, edhe pse nuk i lë pas dore ato. Ajo është feja e fundit, e cila nuk lë pas dore asnjë aspekt të jetës njerëzore, prandaj dhe mesazhi i saj është gjithëpërfshirës, si politik ashtu dhe social-ekonomik, një fakt të cilin e përkufizon thënia “Islami është fe dhe dynja”, ose thënia “Islami është besim dhe ligj”, i cili është plotësisht i vlefshëm dhe i përtatshëm për çdo kohë dhe vend, madje asnjë kohë dhe asnjë vend nuk mund të funksionojë siç duhet pa Islamin.

Përderisa Islami është një fe me program të plotë, që gjen zgjidhje për të gjitha problemet dhe krizat, me në krye ato me natyrë ekonomike, të cilat ishin të kufizuara në periudhën e parë të ardhjes së Islamit për shkak të një ambienti të varfër që karakterziohej nga veprimtari të thjeshta ekonomike siç ishte blegtoria, tregtia dhe për shkak të një ndërgjegjësimi të fortë fetar të rrënjosur fort në zemra, ishte shumë e vështirë që të gjeje njerëz që mashtronin, manipulonin apo që të krijonin monopole.

Së pari: Lindja e mendimit ekonomik islam

Me kalimin e kohës marrëdhëniet ndërnjerëzore u zgjeruan dhe lulëzoi tregtia dhe industria. Shoqëritë u hapën me njëra-tjetrën, duke sjellë si pasojë dobësimin e ndërgjegjes fetare dhe besimin tek Allahu. Kjo solli edhe përhapjen e mashtrimit, hileve dhe manipulimin në marrëdhëniet ndërnjerëzore. Nga ana tjetër dolën në pah problematika më të ndërlikuara ekonomike, të cilat ndryshonin kryekëput nga problematikat që kishin përjetuar muslimanët e shekujve të parë, siç janë kompanitë moderne, tregu i aksioneve, marrëdheniet bankare etj., shto këtu edhe nevojën e madhe për të vendosur disa norma në transaksionet mes njerëzve dhe marrëveshjeve që kryenin me njëri-tjetrin, në mënyrë që të shuhen kontradiktat dhe mosmarrëveshjet mes tyre. E gjitha kjo bëri që dijetarët të kujdesen me studimin e kësaj shkence, të kërkonin rreth çësthjeve të ndryshme në të dhe të trajtonin problematikat që haseshin.

Në fillimet e shekullit njëzet dolën në pah shkolla ekonomike, të cilat i përhapën superfuqitë, përmes të cilave synonin marrjen dhe pushtimin e pasurive të popujve, ku më të njohurat janë sistemi kapitalist dhe ai komunist. Përsa i përket sistemit islam, ai pësoi një zbehje për shkak të pushtetit të fuqive të mëdha mbi vendet islame, ku si rrjedhojë dispozitat islame u mbajtën larg zbatimit dhe jetës së njerëzve.

Shkenca e ekonomisë islame u shfaq vetëm në mesin e dytë të shekullit njëzet, si pasojë e dëshirës për të ngritur një sistem ekonomik modern, që ruan identitetin e vendeve islame, që realizon interesat e këtyre vendeve dhe t’ua rikthente fuqinë pas rrëzimit të Perandorisë Osmane.

Prej këtu kemi pikënisjen e ekonomisë islame, si një shkencë e pavarur, ku specialistët e fushës janë marrë seriozisht me botimin e librave, publikimin e studimeve dhe diskutimin e mendimeve, në mënyrë që të na servirin neve sot termat e shkencës së ekonomisë islame.

Së dyti: Karakteristikat e ekonomisë islame

Sistemi ekonomik Islam dallohet nga sistemet e tjera me disa karakterstika unikale, të cilat e bëjnë atë të jetë i përshtatshëm për çdo kohë dhe për çdo vend. Ky sistem i përmbahet normave të legjislacionit islam në të gjitha transaksionet, që kryhen brenda ekonomisë.

Sistemi ekonomik Islam është një sistem perfekt, i cili nuk qëndron vetëm në kufirin e asaj që ekziston aktualisht, por kujdeset gjithashtu edhe për çfarë duhet të ekzistojë në të ardhmen.

Si më poshtë po përshkruajmë disa karakterstika të këtij sistemi:

Së pari: Ai është një sistem hyjnor

Sistemi ekonomik Islam ka një burim hyjnor, sepse shpallja hyjnore – e karakterizuar tek Kurani dhe Tradita Profetike- janë burimi i këtij sistemi dhe pas këtyre dy burimeve vijnë në radhë burimet e tjera siç është ixhmaja (pajtimi i dijetarëve), analogjia dhe ixhtihadi.

Kjo veçori – hyjnorja- nuk gjendet tek sistemet e tjera, sepse të gjitha ato burojnë nga njeriu, qoftë duke u bazuar në fe të shtrembëruara apo në teori njerëzore, të cilat ia qëllojnë ose gabojnë, ose ndikohen nga filozofitë, që kanë përqafuar dhe nga ambienti që i rrethon.

Sistemi ekonomik islam ka edhe objektiva hyjnore duke siguruar plotësimin e nevojave njerëzore dhe duke ofruar nevojat më emergjente të njeriut, si dhe duke siguruar kufirin e vetëmjaftueshmërisë, që i përshtatet nevojave të tij, në mënyrë që njeriu të bëjë një jetë të mire, ku realizohet plotësimi i nevojave materiale dhe ato shpirtërore pranë njëra-tjetrës, pra në ndryshim me sistemet e tjera njerëzore, të cilat nuk kanë qëllim tjetër veç përmbushjes së nivelit më të lartë të materializmit pa marrë parasysh ngopjen shpirtërore, dhe që kanë si qëllim përmbushjen e epsheve dhe përfitimin material, duke lënë pas dore anët morale dhe shpirtërore.

Komercialistët kanë si qëllim kryesor mbledhjen e një sasie sa më të madhe të arit, natyralistët kanë si qëllim përfitimin maksimal nga pasuritë bujqësore, duke neglizhuar industrinë dhe tregtinë, ndërsa kapitalistët kanë si qëllim kryesor përmbushjen e dëshirave pa marrë parasysh nëse kjo arrihet përmes hallallit apo haramit. Nga ana atjetër marksistët kanë qëllime plotësisht materialiste, të cilat vihen në funksion të komunizmit ateist dhe nuk kanë asnjë hapësirë për programet hyjnore, vlerat morale dhe botëkuptimet njerëzore.

Së dyti: Kontrolli i dyfishtë

Sistemi ekonomik Islam i nënshtrohet dy lloje kontrolli, atij njerëzor dhe vetëkontrollit

Kontrollin njerëzor ne e kemi vënë re pas emigrimit të Profetit a.s. në Medine, ku ai vetë dilte për të kontrolluar tregjet dhe pas çlirimit të Mekës ai dërgonte njerëz, që të kontrollin tregjet atje. Prej këtu u njoh edhe funksioni i murakibit (kontrollorit të tregut), përkrah funksionit të urdhërimit për mirë dhe ndalimit të së keqes, shto këtu edhe autoçensurën e vetë muslimanit, në lidhje me çfarë ka lejuar dhe ka ndaluar Allahu. Për këtë arsye sjellja e muslimanit në aktivitetin e tij ekonomik nuk ndryshon nga sjellja e tij kur kryen adhurimet.

Përsa i përket sistemeve të tjera ekonomike, ato janë shkëputur totalisht nga feja, duke e mbajtur larg rolin pozitiv, që mund të luajë ajo në sistemin ekonomik. Si rrjedhojë, kontrolli i aktivitetit ekonomik i është besuar pushtetit, që ta zbatojë atë sipas ligjit, por që si përfundim janë treguar të pafuqishme për të luajtur një rol sa më të plotë për realizmin e qëllimeve të veta, për shkak të mungesës së elementëve të tjerë të kontrollit. Argument për këtë është realiteti i shumë njerëzve, të cilët arratisen nga detyrimet e veta dhe nga kufijtë që ua kanë vendosur për interesat e shoqërisë, siç janë taksat sa herë që shteti është i pavëmendshëm apo i pafuqishëm për ndjekjen e tyre.

Ndërsa në sistemin e ekonomisë islame përkrah kontrollit shtetëror funksionon edhe një kontroll tjetër edhe më i fuqishëm, që është ai i ndërgjegjes së muslimanit, e cila ngrihet mbi themelet e besimit tek Allahu dhe Dita e Gjykimit: “Vërtet Allahut nuk i fshihet asgjë në tokë dhe në qiell”. (Ali Imran 55).

Si pasojë besimtari ka bindjen, se edhe nëse i shpëton kontrollit njerëzor, nuk do të mund t’i shpëtojë kontrollit hyjnor. Pikë së pari ai niset nga vetëkontrolli, që e ka sqaruar i Dërguari i Allahut a.s., kur u pyet në lidhje me Ihsanin dhe tha: “Ta adhurosh Allahun sikur ta shihje dhe nëse nuk e sheh Atë, Ai të sheh ty.” (Buhariu). Kjo është garancia më e madhe e mirëfunksionimit të aktivitetit ekonomik, që karakterizohet nga humanizmi, mëshira dhe drejtësia.

Së treti: Ekuilibri

Sistemi ekonomik Islam është sistem mesatar. “E kështu Ne ju bëmë ju një popull të mesëm.” (Bekare), që ngrihet mbi drejtësinë dhe nuk ka vend për ekuilibër artificial. Mesataria është në të vërtetë ekuilibri, prandaj ekonomia islame është e ekulibruar mes përsosmërisë dhe realitetit, mes materiales dhe shpirtërores, mes interesit individual, atij shoqëror dhe shtetëror, mes interesave të të pasurve dhe interesit të të varfërve. Disa dukuri të ekuilibrit në ekonominë islame janë:

a- Bashkimi mes parimeve dhe zhvillimit

Ekonomia islame bazohet mbi disa parime bazë, që nuk ndryshojnë me ndryshimin e kohës dhe vendit, siç janë bazat e përcjella në Kuranin Famëlartë dhe në Traditën Profetike. Përsa i përket disa çështjeve të ndryshueshme, ato vihen në zbatim sipas kërkesave të kohës dhe vendit përkatës. Feja Islame është feja e fundit, që i përshtatet çdo kohe dhe çdo vendi, dhe si rrjedhojë ekonomia islame është mjaftueshëm elastike për të pranuar metodologji të ndryshme dhe mjete të reja, si dhe për të përvetësuar përvojën e fituar për aq kohë sa ajo nuk bie në kundërshtim me parimet bazë.

Për këtë arsye ekonomia islame është zgjeruar, duke përfshirë të gjitha format e reja të transaksioneve dhe veprimeve ekonomike, të cilat nuk përmbajnë kamatë dhe mashtrim, si dhe kemi vënë re, që fetvatë ndryshojnë sipas kohës dhe vendit. Mund të thuhet se ky ndryshim është një ndryshim përsa i përket vendit dhe kohës dhe jo përsa i përket argumentit.

Kjo është një veçori vetëm e ekonomisë islame, sepse ekonomitë e tjera nuk kanë parime bazë, përkundrazi ato ndryshojnë e veten e tyre sa herë vjen një vision i ri nga çdo shkollë. Për këtë arsye ata kanë marrë edhe emrin “Komercialistët e rinj”.

Marksistët e konsiderojnë socializmin një etapë që i paraprin komunizmit, ndërkohë që në kapitalizëm pronësia publike ka shumë pak vend dhe në marksizëm prona private tërhiqet zvarrë.

 

b- Ekulibri mes materiales dhe shpirtërores

Sistemi ekonomik Islam ruan një balancë mes materiales dhe shpirtërores si përbërës tepër të rëndësishëm të natyrës njerëzore. Për këtë arsye sistemi ekonomik Islam nuk e nënvleftëson anën materiale në interes të materiales dhe anasjelltas, dhe as nuk i shenjtëron aspektet material apo ato përfituese, siç ndodh në sistemet e ndërtuara nga dora e njeriut: “E kur ta kryeni namazin shpërndahuni në tokë dhe kërkonin mirësinë e Allahut, përmendeni shumë Allahun, se ndoshta kështu shpëtoni.” (Xhuma; 100)

Ky ekulibër shërben që njeriu të mos kththet në një skllav i murgjërisë dhe as i zjarrit të epsheve materialiste. E kundërta ndodh me sistemet e tjera ekonomike, të cilat përqëndrohen në aspektin material deri në atë masë, sa ai është kthyer në qëllimin e vetëm të aktivitetit ekonomik të njeriut modern, pa marrë në konsideratë vlerat morale dhe shpirtërore. Kësisoj komunizmi marksist e mohonte fenë dhe e konsideronte atë opium për popujt, e vinte theksin në zhvillimin material të jetës dhe fshinte ndjenjat vëllazërore në shpirtin njerëzor, si dhe bënte thirrje për luftën e klasave midis anëtarëve të shoqërisë.

Ndërsa kapitalizmi edhe pse nuk e mohon fenë, e ka kufizuar këtë të fundit në rrethin e kishës duke e larguar atë nga roli pozitiv në sistemin e saj ekonomik. Për këtë arsye ndërveprimi pozitiv midis sistemeve fetare dhe atyre materialiste nuk ka asnjë prezencë në sistemin capitalist, dhe as në atë socialist.

 

c- Ekuilibri mes interesave të individit dhe interesave të shoqërisë

Sistemi ekonomik Islam ka ekulibruar mes interest të individual dhe atij shoqëror. Në prizmin e Islamit të dyja këto interesa kanë një bazë, e cila iu jep të drejtën, që të përfitojnë vëmendje në mënyrë të atillë, që interesi i shoqëror të mos e mbysë interesin individual dhe anasjelltas, por kujdesi ndaj tyre të jetë në mënyrë të drejtë dhe të koordinuar. Pra sistemi ekonomik Islam i jep shoqërisë të drejta aq sa nuk dëmton individin dhe i jep individit aq të drejta sa nuk dëmtojnë interesin e shoqërisë.

Pushteti me drejtësi i ekulibrit në ekonominë islame dhe garancia që ai jep duke realizuar mesatarinë midis shpirtërores dhe materiales, dunjasë dhe ahiretit, adhurimit dhe sjelljes, individit dhe shoqërisë, bën të mundur zhvillimin e shoqërisë, duke e shpëtuar nga teprimi që e përçan dhe nga neglizhenca që e çon në shkatërrim. Në këtë shoqëri zhvillohen vlerat, respektohet motivimi, dëshirat dhe prona, dhe punohet për të realizuar vepra të mira, që të çojnë drejt shpëtimit.

Së katërti: Racionalja

Sisitemi ekonomik Islam është një sistem racional, sepse është i zbritur prej të Urtit dhe të Gjithinformuarit: “A nuk e di Ai së kë ka krijuar kur Ai është i Buti dhe i Gjithëinfromuari?!” (Mulk; 144).

Sistemi ekonomik islam nuk ka prirje drejt fantazisë, sepse ai ka për objektiv realizimin e atyre qëllimeve, që përputhen me realitetin e njeriut.

Kësisoj sistemi ekonomik Islam është një sistem realist në parime, metodologji dhe dispozita. Ai merr në konsideratë realitetin praktik, që përputhet me natyrën e njerëzve, kupton shtysat, nevojat dhe problemet e tyre. Ai nuk i shtyn ata drejt imagjinares e iluzioneve dhe nuk bie në nivel të atillë, që nuk përputhet me njerëzoren. Në ndryshim nga sistemet e tjera ekonomike, siç është kapitalizmi, që e ka shenjtëruar pronën private duke hamendësuar – në kundërshtim me realitetin- se interesi individual realizon interesin e publik, porta e lirisë ekonomike u la e hapur pa norma, pa moral dhe pa humanizëm, ndersa interesi u bë i shenjtë. Nga ana tjetër socializmi mori një tjetër trajektore krejt ndryshe nga realiteti, duke e shpërfillur prirjen individiuale dhe natyrën njerëzore, që e ka krijuar Allahu brenda çdo njeriu, duke e kthyer këtë të fundit në një skllav të ushqimit, veshjes dhe banesës së tij, dhe duke u drejtuar drejt të ashtuquajturës motivimi kombëtar i prodhimit.

Këto veçori që e karakterizojnë sistemin ekonomik islam e kanë bërë atë t’i rezistojë para gjithë krizave që kanë kaluar në botë që prej kohës së shfaqjes së tij në kohën e Profetit a.s., ndërkohë që kapitalizmi vazhdon të mbytet nga njëra krizë në tjetrën, sikurse socializmi është afër fundit.

 

Së pesti: Globalizmi

Sistemi ekonomik Islam është një sistem global, i cili buron nga një mesazh global, që solli programin e plotë të Islamit, një pjesë e të cilit është edhe sistemi ekonomik Islam. Për këtë arsye nuk mundet të kufizohet hapësira që zë ky sistem me ndonjë terren, vend, apo popull të caktuar siç ndodh me sistemet e tjera, që lidhen me klimën që e rrethon, apo me filozofinë që ka përqafuar apo me dëshira të veçanta.

Kjo është feja e fundit, e cila dallohet për qënien e saj globale dhe për këtë arsye ajo njihet për parimet e saj të përgjithshme, që i përshtatet çdo vendi dhe çdo kohe, duke i konsideruar transaksionet të lejuara në origjinë për aq kohë sa ato nuk bien ndesh me ndonjë tekst fetar, me ndonjë parim thelbësor apo me ndonjë objektiv të legjislacionit islam. Ndërkohë shkollat e tjera ekonomike i kanë dhënë rëndësi klimës nga e cila u krijuan, por duke dështuar të japin zgjidhjet e duhura qoftë edhe për ambientin e tyre.

Globalizmi i sistemit ekonomik Islam doli në pah pas krizës financiare globale në SHBA në vitin 2008, ku nga Perëndimi u shtua interesimi dhe kërkesa për aplikimin e sistemit ekonomik islam. Gazeta zyrtare e Vatikanit, në numrin e saj të gjashtë në Mars të vitit 2009, shprehet se direktivat morale mbi të cilat ngrihet sistemi financiar Islam mund t’i afrojë klientët më shumë me bankat e tyre sesa më parë dhe përveç kësaj këto parimet mund t’i bëjnë bankat të karakterizohen nga shpirti i vërtetë, që duhet të sundojë në institucionet financiare.

Sisitemi ekonomik islam pas përvojave të ndryshme dhe krizave të njëpasnjëshme që kanë ndodhur ka treguar, se është mjekimi më i mirë për të zgjidhur mangësitë, për t’i dhënë fund problemeve dhe krizave, në një kohë kur pa përjashtim të gjitha sistemet e tjera kanë dështuar në ofrimin e zgjidhjeve të dobishme për njerëzit, që i tejkalon kufijtë rajonalë pasi këto nuk burojnë nga i Urti, i Gjithëdijshmi.

 

http://www.alukah.net/culture/0/102211/#ixzz4Y5R0uAJs