Lutja, thelbi i adhurimit dhe i shpresës së besimtarit

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 8 minuta lexim

2766.imgcache

Lutja, thelbi i adhurimit dhe i shpresës së besimtarit

Nga hoxhë Sokol Kondakçi

Çdo njeri në jetën e tij luhatet mes gëzimit dhe hidhërimit, mes mirësive dhe ligësive, mes vështirësisë dhe lumturisë dhe vitet shpejtojnë me ta në jetën e tyre duke kaluar disa vite të begata e disa të tjerë te vështira dhe kjo është natyra e jetës  ne këtë botë. Sido që të jetë në të dyja rastet njeriu është në gjendje të mirë, nëse gjatë kësaj jete zemrën e tij e ka pasur të lidhur me Zotin e tij nëpërmjet ibadetit, i cili është ushqimi i shpirtit dhe më i miri mik shoqërues në këtë jetë. Në ditët e sotme të modernitetit ndodh të dëgjojmë shpesh herë për zbulime të reja shkencore, të cilat kanë të bëjnë me hapësirat oqeanike dhe ato kozmike. Dëgjojmë për prodhimin e armëve të reja dhe moderne, të cilat janë bërë  pjesë përbërëse kryesore në përcaktimin e forcës apo të dobësisë së një shteti. Padyshim armatimi për një shtet është garanti i mbrojtjes së fitoreve dhe arritjeve të një populli. Në fakt ekziston një lloj arme, e cila nuk prodhohet, as në fabrikat perëndimore e as në ato lindore dhe është një armë, e cila ka fuqi dhe preçizion më të lartë dhe më e çuditshmja është se këtë armë e zotërojnë vetëm një kategori e caktuar njerëzish. Janë besimtarët ata që e zotërojnë këtë armë, atë e kanë zotëruar profetët dhe besimtarët që kanë besuar në një Zot për gjatë gjithë historisë njerëzore. Me këtë armë Allahu i Madhëruar shpëtoi profetin Nuh alejhi selam, nga përmbytja, shpëtoi Musain alejhi selam nga Tirania e Faraonit, shpëtoi Salihun alejhi selam dhe shkatërroi popullin Themud, shpëtoi profetin Hud dhe poshtëroi popullin Ad jobesimtar, të cilët e përgënjeshtruan, triumfoi Muhamedin alejhi selam në shumë momente të jetës  së tij. Me këtë armë Profeti Muhamed u përball me dy fuqitë më të mëdha të kohës dhe doli fitimtar dhe bashkë me  të triumfuan besimtarët dhe feja Islame. Kjo armë e fuqishme është lutja. I Dërguari i Allahut Muhamedi alejhi selam në një hadith që transmetohet në përmbledhjen e Tirmidhiut ka thënë: “Lutja është truri i adhurimit” dhe pastaj lexoi ajetin kuranor: “Zoti juaj ka thënë: Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem, e ata që nga mendjemadhësia i shmangen adhurimit ndaj Meje, do të hyjnë të nënçmuar në Xhehenem”.  Duhet ta dimë se lutja është diçka madhështore dhe ajo ka rregullat dhe edukatën e saj. Së pari: duhet të dimë se cilat janë ditët, javët, muajt dhe momentet më të volitshme për  t’u lutur, që lutjet tona të jenë të garantuara. Gjatë  vitit është dita e Arafatit, gjatë  javës është  dita e xhuma, nga muajt është muaji Ramazan, nga momentet, është koha para agimit dhe koha mes ezanit dhe ikametit etj…

I Dërguari i Allahut ka thënë në një hadith: “Lutja që bëhet mes Ezanit dhe ikametit nuk kthehet mbrapsht.” (Ahmedi). I Dërguari i Allahut Muhamedi alejhi selam thotë: “Në ditën e xhuma është një moment, që nëse lutjet e besimtarit përkojnë me të Allahu do t’ia plotësojë kërkesën e tij, por ai është moment i shkurtër”. (Buhari dhe Muslimi)

Në një thënie tjetër i Dërguari i Allahut thotë: “Në pjesën e fundit të natës Zoti juaj zbret në qiellin e dunjasë dhe thotë: Kush më lutet do t’i përgjigjem, kush do më kërkojë diçka do t’ia plotësoj kërkesën, kush do më kërkojë falje do ta fal”. (Buhari, Muslimi)

Së dyti: Kohët e pëlqyera për t’u lutur janë: Momente vështirësie kur njeriu ndihet ngushtë dhe ka nevojë për ndihmë, kur bie shi, në namaz kur jemi në sexhde, në momentin e çeljes së iftarit kur jemi agjërues, dhe kur jemi në udhëtim.

Në lidhje me sexhden i Dërguari i Allahut thotë: “Besimtari është më pranë Zotit kur ai bën sexhde, ndaj i shtoni lutjet ne sexhde.” (Muslimi)

I Dërguari i Allahut thotë: “Tre Lutje janë të pranueshme pa asnjë lloj dyshimi në to: Lutja e prindit për fëmijën, lutja e udhëtarit dhe lutja e atij që i është bërë padrejtësi”. (Ebu Daudi) Në një hadith tjetër profeti Muhamed alejhi selam thotë: “Tre vetëve nuk iu refuzohet atyre lutja: Agjëruesit deri sa ta çele iftarin, imami i drejtë dhe lutja e atij që i është bërë padrejtësi, lutjen e tij Zoti e ngren lart reve dhe i thotë: Pasha Krenarinë time do të ndihmoj ty qoftë edhe pas një kohe.” (Tirmidhiu)

Së treti: Nga edukata e lutjes është drejtimi nga Kibla, ngritja e duarve nga qielli dhe lutja me zë të ulët duke mos u munduar që lutja të jetë me rimë. Kjo sepse gjendja e lutësit duhet te jetë gjendje devocioni dhe frikë-shprese dhe përulshmërie, gjë e cila nuk i jep mundësinë e thurjes së vargjeve me rimë dhe kjo për të qenë sa më i thjeshtë dhe më i drejtpërdrejtë me Krijuesin e tij. Allahu i Madhëruar thotë: “E kur robërit e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen Mua dhe le të më besojnë Mua.” (Bekare 186) Në suren Isra Allahu i Madhëruar thotë: “E ti mos e ngre zërin (duke lexuar) në Lutjen tënde, po as mos e ul tepër në të, e mes kësaj kërkoje një rrugë mesatare”. (Isra 110)

Dijetari i njohur islam Ibn Haxheri thotë në lidhje me këtë verset uranor, se kur dikush i lutet Zotit për falje mëkatesh, nuk duhet ta ngrejë zërin e tij me qëllim që të mos përhapë pa dashje gjynahet e tij duke  e ngritur zërin. E lusim Allahu Fuqiplotë të na bëjë prej robërve të Tij adhurues ndaj tij dhe lutës të Tij në çdo kohë.