Marrja me qira e klubeve për faljen e namazit të xhumasë dhe bajrameve
Parashtrimi i çështjes:
Shtrenjtësia e banesave dhe e tokës, në vendet perëndimore, ia vështirëson komuniteteve muslimane të kenë xhamitë e tyre në këto vende, ndaj ata mundohen të gjejnë një vend për të falur namazin në të, qëllon që ky vend të jetë dhënë me qira më parë ose edhe më pas do të jepet, për aktivitete që zemërojnë Allahun (vende ku bëhen gjynahe). A lejohet të falet namazi në këto vende të marra me qira për namazin e xhumasë dhe bajrameve?
Dispozita e çështjes:
Dijetarët kanë dy opinione për këtë çështje:
Opinioni i parë: Lejohet me kushtin që vendi të jetë i pastër
Opinioni i dytë: Nuk lejohet të falesh në klube nate dhe argëtimi, të cilat shërbejnë posaçërisht për këtë qëllim. Duhet të kërkohet për një vend tjetër falje, tokë ose hapësirë në natyrë.
Opinioni i parë: Lejohet, por është e papëlqyeshme (mekruh):
Këtë qëndrim mban ish Shejhu i Ezherit XhadulHak Ali XhadulHak, si vijon:
“Namazi në klubet e natës, e pijeve alkoolike dhe gjurulldisë, është mekruh (i urryer), por i lejuar nëse pastrohet vendi nga papastërtitë e prekshme.”[1]
Argumentet:
- Domosdoshmëria e bën të ndaluarën të lejuar.
- E gjithë toka është xhami dhe vend pastrimi, siç përcillet kjo në hadithin autentik: “Toka është bërë për mua xhami dhe pastrim.”[2] Ky është një hadith i përgjithshëm, i cili nuk ka specifikim, me përjashtim të kushtit të mirënjohur të të qenit vend i pastër.
- Një nga objektivat e përgjithshme (të fesë) është edhe grumbullimi i muslimanëve në namazin e xhumasë dhe bajrameve, dhe kjo përmbushet në këto vende.
- Nuk ka ndonjë tekst të qartë islam që e ndalon këtë fetarisht.
Opinioni i dytë është mos lejimi: Këtë opinion ka Komisionin i Përhershëm i Studimeve dhe Fetvave,[3] ku në fetvanë e tyre jepen më shumë detaje në këtë drejtim. Komisioni është pyetur një sërë pyetjesh që kanë lidhje me temën në fjalë, dhe ja disa prej tyre:
Pyetje: A lejohet namazi në një sallë që është bërë për vallëzime gati të zhveshur, për koncerte ku përdoren pije alkoolike dhe baste, edhe pse në qytet ka xhami?
Përgjigje: Nuk lejohet të falet namazi në salla argëtimi, ndërkohë që ka xhami, sepse një vend i tillë nuk është as xhami dhe as vend i hapur, por është ngritur për argëtim dhe konsumim pijesh alkoolike e të ngjashme me to, çka zemëron Allahun, ndërkohë që tilla vende vazhdojnë të mbeten për këtë funksion. Ato nuk janë ngritur me devocion ndaj Allahut, por në luftë me Të dhe refuzim ndaj Tij, ndaj ngjajnë me xhaminë e ligësisë (mesxhidu dirar), në të cilën Allahu e ndaloi Profetin e Tij të falet në të, Ai thotë: “Ti në atë xhami kurrë mos fal namaz. Ndërsa xhamia e themeluar në përkushtim (ndaj Allahut) që në ditën e parë, pa dyshim që është më e denjë për të falur namaz në të. Aty ka njerëz që duan të pastrohen. Allahu i do ata që pastrohen shpesh.” (Sure et-Teube: 108) Të falësh namazin në të ndërkohë që vende të tilla vazhdojnë të përdoren për qëllimin për të cilin janë ngritur, e zhvesh namazin nga solemniteti dhe dinjiteti, dhe nga ndjenja e namazliut se ai ndodhet në një vend adhurimi. Veç këtij fakti që përmendëm, marrja me qira e vendeve të tilla, ndërkohë që është e mundur që namazi të falet nëpër xhami ose vende të hapura, është shpërdorim i pasurisë dhe ndihmesë që u jepet këtyre njerëzve në ligësinë e tyre.
Pyetje: Pastrimi i këtyre vendeve dhe fshirja e a ja largon atyre papastërtinë e prekshme dhe atë morale? Nëse lejohet namazi në këtë vende, a do të thotë kjo se domosdoshmëritë e bëjnë të ndaluarën të lejuar?
Përgjigje: Nëse pastrimi bëhet me ujë të pastër aq sa të mos ngelet asnjë papastërti, atëherë ai vend është i pastër, por nëse thjesht fshihet kjo nuk e pastron vendin, vetëm nëse kemi të bëjmë vetëm me dhe´e gurë të thatë, dhe në tokë nuk ka ngelur papastërti tjetër, në këtë rast pastrohet me fshirje. Por, ju në fillim të pyetjes tuaj përmendët se namazlitë shtrojnë në të shtroje të pastra sipër tokës, pasi e fshijnë atë, kështu që ata falen mbi shtroje të pastra dhe jo mbi papastërti. Ndalimi i namazit në këto vende ka lidhje me atë që përmendëm më parë, dhe jo për shkak të papastërtisë në të, kështu që në këtë rast nuk thuhet se kjo përfshihet në rastet kur domosdoshmëria e bën të ndalurën të lejuar.[4]
Argumentet e këtij opinioni:
- Nuk lejohet të falet namazi në një sallë argëtimesh (të ndaluara) ndërkohë që ka xhami, sepse këto vende nuk janë as vende faljeje dhe as vende të hapura.
- Ato janë ngritur si qëllim për argëtime të palejuara, konsumim alkooli dhe vepra të ngjashme me to, për të cilat feja na ka ndaluar.
- Këto vende nuk janë ngritur me devocion ndaj Allahut të Lartësuar.
- Në të marrin pjesë edhe jomuslimanë, që mund të shohin pjesët e turpshme të grave.
- Falja e namazit në këto vende, ndërkohë që ato vazhdojnë të përdoren për qëllime të tilla, e zhvesh namazin nga dinjiteti dhe solemniteti dhe respekti për të.
- Kjo vepër u vjen në ndihmë njerëzve që i përdorin këto vende për të tilla ligësi.
Referencat:
- Fetva Islame, të hirësisë së tij Shejhul Ekber XhadulHak Ali XhadulHak, vol.3, Bot. Darul Faruk, botimi i parë, 2005.
- Fetvatë e Komisionit të Përhershëm për Studime dhe Fetva, në Mbretërinë e Arabisë Saudite, mbledhur dhe renditur nga Ahmed ibn Abdurrezak ed-Duejsh.
Burimi: ENCIKLOPEDIA E THJESHTUAR E FIKHUT PËR ÇËSHTJET BASHKËKOHORE (Çështjet që prekin pakicat muslimane) fq. 29-32.
[1] Fetva Islame, të hirësisë së tij Shejhul Ekber XhadulHak Ali XhadulHak (rahmet pastë!), vol.3, fq. 40 e më pas.
[2] Buhariu nr. 328.
[3] Shih fetvanë nr. 2835.
[4] Fetvatë e Komisionit të Përhershëm për Studime dhe Fetva, në Mbretërinë e Arabisë Saudite.