Mbi përgjegjësinë penale të drejtuesve të automjeteve

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 4 minuta lexim

unnamed

Përgjegjësinë penale të drejtuesve të  automjeteve

Me emrin e Allahut Mëshiruesit, Mëshirëbërësit

Lavdërimi i takon Allahut, Zotit të botëve, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi zotërinë tonë, Muhamedin vulën e profetëve, mbi familjen dhe gjithë shokët e tij.

 

Vendimi nr. 197 (3/21)

Në lidhje me përgjegjësinë penale të drejtuesve të automjeteve për shkak të shpejtësisë së madhe dhe papërgjegjshmërisë.

 

Komisioni i Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam, i dalë nga Organizata e Bashkëpunimit Islam, u mblodh në sesionin e tij të njëmbëdhjetë në qytetin e Rijadit (Mbretëria e Arabisë Saudite) nga datat 15-19 Muharrem të vitit 1435 h, që korrespondon me 18-22 Nëntor 2013 e.s., dhe pasi u informua rreth studimeve që u paraqitën në akademi, në lidhje me përgjegjësinë penale të drejtuesve të automjeteve për shkak të shpejtësisë së madhe dhe papërgjegjshmërisë, si dhe pasi dëgjoi diskutimet dhe këshillimet që u zhvilluan rreth kësaj çështje, duke ndjerë rëndësinë e kujdesit që duhet treguar për këtë tematikë, në mënyrë të veçantë pas shtimit të aksidenteve të automjeteve dhe pasojat e rënda të tyre kundrejt individëve dhe shoqërisë, vendosi si më poshtë:

 

Së pari: Rithekson edhe një herë vendimin e Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam me nr. 71 (2/8) në sesionin e saj të tetë, të mbajtur në  Bandar Seri Begawan, në Brunei Dar Selam, nga dt. 1-7 Muharrem 1414h që korrespondon me 21-27 Qershor 1993 e.s. në lidhje me aksidentet rrugore.

Së dyti: Zbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor, me anë të cilave synohet ruajta e  interesit të përgjithshëm (publik) është obligim (vaxhib).

 

Së treti: Është e ndaluar (haram), që drejtuesi i automjetit të bëjë veprime të cilat dëmtojnë vete drejtuesin, ose të tjerët dhe mban përgjegjësi për dëmet e shkaktuara si pasojë e veprimeve të tilla, ku mund të përmendim:

  1. Kalimi i semaforit me dritë të kuqe.
  2. Shpejtësia e lartë, e tepruar.
  3. Manovrat me makinë të tipit (drifting, xhirim gomash) dhe ndjekjet jo-legjitime.
  4. neglizhenca dhe moskryerja e shërbimeve (servis) të automjetit në atë masë që shkakton dëm.

 

Nëse nga këto veprime shkaktohen dëmtime me humbje jete apo dëmtim të trupit, atëherë drejtuesi i automjetit mban përgjegjësi penale, të veprës penale të kryer me vetëdije, ose që i ngjan veprës së kryer me vetëdije, ose veprës së kryer gabimisht, sipas rastit përkatës. Shteti ka të drejtën, që në raste të tilla, të japë edhe dënime që i shikon të përshtatshme për edukimin e personit dhe ndërgjegjësimin e shoqërisë.

 

Së katërti: Akademia i rekomandon autoriteteve përkatëse në shtetet islame, të punojnë për  ndërgjegjësimin e masave, për rëndësinë e zbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe pasojat e rënda që shkakton thyerja e këtyre rregullave, për individët dhe mbarë shoqërinë.

 

Allahu e di më së miri.