A mund të përshëndetemi me grusht apo me bërryla në rast pandemie?

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 4 minuta lexim

Pyetje:  Kemi dëgjuar nga vëllezrit tanë, se përshëndetjet e kohëve të fundit, me rastin e pandemisë me grusht pra, duke i përplasur lehtë grushtat me njëri-tjetrin, apo bërrylat janë gjëra që nuk duhet t’i bëjmë, sepse ne kemi përshëndetjet tona…

A mund të na sqaroni dhe të na ndriçoni sado pak për këtë problem? Pra, kush mund të jenë përshëndetjet tona si muslimanë?

Përgjigje: Bismil-lah, elhamdulilah ues-selatu ues-selam ala resulil-lah:

Në përgjithësi, njerëzit janë të prirur që kohë pas kohe për shkaqe të caktuara, herë me prapavijë doktrinale, herë si shkak i zhvillimit shoqëror, e herë të tjera si shkak i rrethanave të caktuara, siç është virusi Covid-19, të sajojnë metoda të reja komunikimi, përshëndetje etj. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me rastin e koronës, ku njerëzit fillimisht në Perëndim filluan të përshëndeteshin me grushta, ose me bërryla, më pas një gjë e tillë u bë trend në vende dhe shoqëri të ndryshme.

Ndërsa Feja Islame na ka mësuar, se si duhet të jenë takimet mes muslimanëve, duke dhënë si fillim selam dhe duke u takuar nëpërmjet shtrëngimit të duarve.

Nga Berra ibn Azibi transmetohet, se i Dërguari i Allahut (alejhis-salatu ues-selam) ka thënë: “Çdo herë që dy muslimanë takohen duke shtrënguar duart e tyre do t’u falen mëkatet para se të ndahen.” Transmetuan Ebu Davudi dhe Tirmidhiu.

Në një hadith tjetër profetik, që përcillet nga Abdullah ibn Abasi  i Dërguari i Allahut (alejhis-salatu ues-selam) ka thënë: “Kur ta takojë muslimani vëllain e tij musliman dhe ia shtrëngon dorën do t’i bien mëkatet sikur bien gjethet e pemëve në dimër.” Transmeton Taberaniu

Kjo është forma standarde e takimit mes muslimanëve, ndërsa në rastin e përhapjes së sëmundjeve ngjitëse apo të epidemive të ndryshme ka transmetime të ndryshme, që tregojnë se dora nuk jepet për t’u ruajtur nga sëmundje të tilla, siç përcillet nga Profeti (alejhis-salatu ues-selam), se kur i kishin ardhur përfaqësues nga fisi Thekif për t’i dhënë besën për Islamin e tyre njëri nga ata ishte me lebrozë dhe Profeti (alejhis-salatu ues-selam) i çoi lajm dhe i tha: “Mund të kthehesh, sepse besën ta kemi marrë edhe në këtë formë.” (pra pa u takuar me duar.)  Transmetoi Nesaiu nr. 4182

Ndërsa në rastin e epidemisë Covid-19  shumë njerëz e kanë zëvendësuar takimin me dorë duke takuar grushtet e tyre apo bërrylet si formë më e sigurtë për parandalimin e kalimit të epidemisë nga një person te tjetri. Nëse kjo formë takimi nuk është diçka specifike për një popull të caktuar jo-musliman apo e një kategorie të veçantë prej jo-besimtarëve, nuk është e ndaluar as për muslimanët, edhe pse nuk është diçka e preferueshme, sepse muslimanët mund të mjaftohen me selamin, ose duke vënë dorën në zemër siç është traditë e shqiptarëve dhe e shumë muslimanëve në botë.