METODAT DHE RRUGËT QË U PËRDORËN KUNDËR THIRRJES ISLAME
Kur i dërguari i Allahut a.s. shfaqi thirrjen e vet dhe e deklaroi haptazi të vërtetën bashkë me shokët e vet, ata u përballen me format më të ashpra të dhunës fizike dhe psikologjike. Kur kurejshët i zuri frika e përhapjes së thirrjes islame jashtë Mekës, ata menduan disa rrugë dhe forma për ta eleminuar këtë thirrje që në djep. Ndër to ishin:
1- Tallja, shpërfilllja dhe përgënjeshtrimi
Përmes këtyre metodave kurejshët synonin të poshtëronin muslimanët dhe të dobësonin forcën e tyre shpirtërore. Kështu ata e akuzuan të dërguarin e Allahut a.s. me akuza qesharake dhe iu drejtuan me ofendime mendjelehta. Ata e thërrisnin atë “i çmenduri”. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe thanë: “O ti që të ka zbritur përkujtimi (Kurani), vërtet ti je një i çmendur.” (El Hixhr, 6).
Ata gjithashtu e akuzuan për magji dhe gënjeshtra: “Ata u habitën që nga mesi i tyre erdhi dikush që t’u tërhiqte vëmendjen dhe thanë ky është një magjistrar gënjeshtar.” (Sad, 4)
Ata e prisnin dhe e përcillnin të dërguarin e Allahut a.s. me shikime të vrenjtura dhe me ndjenja rebeluese: “Për pak sa ata që kanë mohuar nuk të shqyen me shikimet e tyre kur dëgjuan përkujtimin (Kuranin) dhe thonë ky është i çmendur” (Kalem, 51).
Kur pranë tij uleshin disa nga sahabët e pafuqishëm, kurejshët talleshin me ta dhe thonin : “këta janë shokët e tij”, por Allahu i Lartësuar i përgjigjej thënieve të tyre me fjalët: “A nuk është Allahu më Dijshmi për ata që falënderojnë?!” (En’am, 53). Gjendja e jobesimtarëve ishte ashtu siç na sqaron Allahu i Madhëruar: “Ata që bënë krime talleshin me ata që kishin besuar dhe kur kalonin pranë tyre i shkelnin syrin njëri-tjetrit. Nëse shkonin tek familjarët e tyre shkonin duke u tallur me ta dhe nëse i shihnin thonin: “Këta janë të humburit” por ata nuk janë dërguar mbikqyrës mbi ta.” (Mutafifinë, 29-33).
Kurejshët i shtuan së tepërmi talljet, po ashtu edhe akuzat dhe shpërfilljen. Këto patën ndikim në anën shpirtërore të dërguarit të Allahut a.s., për të cilën Allahu i Lartësuar thotë: “Ne e dimë që ti ndihesh ngushtë prej fjalëve që thonë” (El Hixhr, 97). Më pas Allahu i Lartësuar i jep zemër duke ia larguar shqetësimin kur i thotë: “Madhëroje Zotin tënd, bëhu prej atyre që bien në sexhde dhe adhuroje Zotin tënd derisa të vijë vdekja e sigurtë”. (El Hixhr, 98-99). Më përpara Allahu i Lartësuar e kishte njoftuar se Ai i mjafton Profetit në luftën kundër këtyre njerëzve tallës, kur thotë: “Ne të mjaftojmë ty kundër tallësve, të cilët bashkë me Allahun bëjnë edhe një zot tjetër, por ata do ta marrin vesh” (El Hixhr, 95-96). Gjithashtu Allahu i Lartësuar e njofton se veprat e tyre do të kthehen kundër tyre një ditë: “Përpara teje janë tallur me disa profetë të tjerë dhe ata që u tallën prej tyre i zuri tallja që bënë.” (En’am, 10).
2- Përhapja e dyshimeve dhe shpifja e pretendimeve të kota
Idhujtarët përhapnin dyshime dhe lajme të rreme në mënyrë që njerëzit të mos kishin mundësi të mendonin rreth ftesës së të dërguarit të Allahut a.s.. Idhujtarët thonin rreth Kuranit se ai është: “Endrra të përziera” (Enbija, 5), të cilat Muhamedi i sheh natën dhe i tregon ditën, madje ata thonin: “I ka shpikur” prej vetes së tij dhe se “ato ia mësojnë njerëzit” dhe se: “Këto janë shpifje që ai i ka shpikur dhe për to e kanë ndihmuar njerëz të tjerë” (Furkan, 4). Pra ata pretendonin se shokët e vet e ndihmonin Muhamedin për të shpikur fjalët e Kuranit dhe thonin: “Dhe thanë: “Këto janë legjenda të të parëve, që i diktohen atij në mëngjes dhe mbrëmje” (Furkan, 5).
Ndonjëherë idhujtarët shpreheshin se Muhamedi kishte një xhind ose shejtan me vete që i zbriste atij ashtu si i zbresin shejtanët magjistarëve dhe Allahu i kundërpërgjigjej me fjalët: “A t’ju njoftoj se kujt i zbresin shejtanët? Ata i zbresin gjithkujt që mashtron dhe gjynahmadh” (Shuara, 221-222), që do të thotë se ata i zbresin njeriut gënjeshtar, të prishur dhe të mbuluar me gjynahe. Ju nuk më keni njohur më parë për gënjeshtra dhe as për njeri të prishur, atëherë si mund të pretendoni se Kurani është shpallje prej shejtanëve?!
Ndonjërë idhujtarët pretendonin se i dërguari i Allahut a.s. vuante nga çmenduria dhe si pasojë ai i imagjinonte disa botëkuptime, të cilat i formulonte në fjalë të bukura dhe të mrekullueshme, ashtu siç veprojnë poetët. Në këtë mënyrë ai është poet dhe fjalët e tij janë poezi. Allahu i Lartësuar i përgjigjej me fjalët: “E për sa u përket poetëve (që Muhamedi nuk është i tillë), ata i ndjekin të humburit (nga e vërteta). A nuk sheh se ata hidhen në çdo anë (sa lavdërojnë, sa përqeshin)? Dhe ata janë që flasin atë çka nuk punojnë?” (Shuara, 225-226)
Këto janë tri karakteristika me të cilat dallohen poetët, ku asnjëra prej tyre nuk gjendet tek i dërguari i Allahut a.s., sepse ata që ndoqën Profetin a.s. ishin njerëz të udhëzuar, njerëz të devotshëm dhe vepërmirë në fenë, sjelljen, veprat dhe veprimet e tyre. Ata nuk vuanin nga asnjë humbje dhe devijimi në asnjë aspekt të jetës. Gjithashtu, i dërguari i Allahut a.s. nuk shpërqëndrohej në çdo temë, ashtu siç ndodh me poetët, por ai bente thirrje drejt një Zoti të Vetëm, drejt një feje të vetme dhe drejt një rruge të vetme. Ai nuk thoshte vetëm se atë që vepronte dhe bënte vetëm atë që thoshte. Çfarë lidhje kishte ai me poetët dhe poezinë dhe çfarë lidhje kishin poetët dhe poezia me të?
I dërguari i Allahut a.s. i përgjigjej atyre me përgjigje bindëse rreth çdo dyshimi që përhapej kundër tij, kundër Kuranit dhe Islamit. Pjesa më e madhe e dyshimeve që hidheshin nga idhujtarët kishin të bënin me njësimin e Allahut, më pas në lidhje me mesazhin e të dërguarit të Allahut a.s., pastaj në lidhje me ringjalljen e të vdekurve dhe tubimin e tyre në Ditën e Gjykimit. Kurani Famëlartë i jepte përgjigje të gjitha dyshimeve të tyre rreth njësimit të Allahut, madje jepte sqarime shtesë, duke e trajtuar çështjen nga të gjitha anët. Allahu i Madhëruar e ka sqaruar pafuqinë e zotave të tyre në mënyrë të atillnë që nuk më nevojë për sqarim. Kjo shkaktonte zemërimin e idhujtarëve dhe shtonte këmbënguljen e tyre në qëndrimin e tyre mohues, që më pas solli ato pasoja që solli.
Përsa i përket dyshimeve të hedhura prej tyre në lidhje me mesazhin e të dërguarit të Allahut a.s., edhe pse idhujtarët e pranonin sinqeritetin, vërtetësinë, amanetin, devotshmërinë dhe mirësinë e tij, përsëri ata bessonin se pozita e profetcisë është më e vlefshme se t’i jepej një njeriu. Për ta njeriu nuk mund të ishte një profet dhe profeti nuk mund të ishte një njeri, sipas bindjeve të tyre. Kur i dërguari i Allahut a.s. shpalli haptazi besimin e yij dhe u bëri thirrje njerëzve që të besonin, idhujtarët mbetën të hutuar dhe thanë: “Si e ka punën ky profet, që han ushqim dhe ecën nëpër tregje?” (Furkan, 7). Idhutjarët thanë se Muhamedi është njeri: “A i ka zbritur Allahu diçka një njeriu?!” (En’am, 19). Allahu i Lartësuar u përgjigj: “Thuaj (o Muhamed): “Kush e zbriti librin që solli Musai si dritë dhe udhëzim për njerëzit?!”
Ata e dinin dhe e pranonin se Musai a.s. ishte njeri, prandaj Kurani u bëri me dije se çdo popull i ka thënë profetit të vet në shenjë mohimi se: “Edhe ju nuk jeni gjë tjetër veçse njerëz si ne” (Ibrahim, 10) dhe: “Profetët u thanë atyre: “Ne jemi njerëz si ju, por Allahu i jep mirësi kujt të dëshirojë nga robërit e Tij.” (Ibrahim, 11)
Pra të gjithë profetët janë njerëz dhe nuk ka asnjë kontradiktë mes qenies së tyre njerëz dhe profecisë, për më tepër idhujtarët e pranonin se Ibrahimi a.s., Ismaili a.s. dhe Musai a.s. ishin njerëz dhe profetë njëkohësisht. Pë këtë arsye idhujtarët nuk gjetën asnjë hapësirë për të justifikuar dyshimet e tyre, ndaj kaluan në një justifikim tjetër duke thënë se a nuk gjeti Allahu për të zbritur mesazhin e Tij dikë tjetër në vend të këtij jetimi të varfër? Përse Allahu braktisi parinë e Mekës e Taifit dhe zgjodhi këtë mjeran si profet?
Allahu i Lartësuar thotë: “Pastaj thanë: “Përse të mos i ketë zbritur ky Kuran një njeriu të madh nga këto dy qytete?” (Zuhruf, 31). Më pas Allahu xh.sh. u përgjigjet: “A këta e ndajnë mëshirën e Zotit tënd?!” (Zuhruf, 32). Kjo do të thotë se shpallja është mëshirë prej Allahut, prandaj: “Allahu e di se ku e vendos shpalljen e Vet” (En’am, 124)
Më tej idhujtarët kaluan tek një dyshim tjetër dhe thanë se profetët janë mbretër të dynjasë dhe ecin duke u shoqëruar nga një varg skllevërish dhe shërbëtorësh, kënaqen me autoritetin dhe pozitën e tyre, dhe atyre u sigurohen të gjitha lehtësitë për nje jetë të mirë. Por si është e mundur që Muhamedi bredh nëpër tregje për të siguruar bukën e gojës dhe pretendon se është profet? Allahu i Lartësuar thotë: “Si është puna e këtij profeti që ha ushqim dhe ecën nëpër tregje? Përse të mos i jetë dërguar një engjëll së bashku me te, e të jetë qortues? Ose atij t’i jepet ndonjë thesar, apo të ketë ndonjë kopsht nga i cili do të ushqehej? Zullumqarët madje thonë: “Ju vetëm jeni duke e ndjekur një njeri që e ka zënë magjia!” (Furkan, 7-8). Kurani Famëlartë i dha përgjigje dyshimit të tyre duke ua bërë të qartë se Muhamedi ka për detyrë të përcjellë shpalljen e Allahut, çdo gjë të vogël apo të madhe që i përcillet, sido që të jetë gjendja e tij; i dobët apo i fortë, me pozitë apo pa pozitë, i lirë apo skllav. Nëse do të jetonte si të dërguarit e mbretërve në mesin e shërbëtorëve dhe skllevërve, me të gjitha të mirat e kësaj jete, ai nuk do të kishte mundësi që të mbërrinte me mesazhin e tij tek njerëzit e dobët që të përfitonin prej tij, të cilët përfaqësojnë pjesën më të madhe të njerëzve. Në këtë mënyrë do të humbiste dobia e shpalljes dhe nuk do të kishte pasur asnjë dobi prej saj.
Përsa i përket mohimit ringjalljes pas vdekjes idhujtarët nuk kishin asnjë argument përveç habisë dhe pamundësisë llogjike për të ndodhur, prandaj ata shpreheshin: “A pasi të vdesim ne e të bëhemi dhé e eshtra të kalbur, a do të ringjallemi? A edhe të parët tanë të hershëm?” (Saffat, 16- 17) dhe thonin: “Ai kthim është larg (mendjes e mundësisë)!” (Kaf, 3). Gjithashtu me habi ata shpreheshin: “A doni t’ju tregojmë për një njeri që do t’ju informojë juve se si, pasi që (të vdisni e) të jeni copëtuar plotësisht, ju do të krijoheni rishtazi? A është duke krijuar gënjeshtër ndaj Allahut, apo e ka kapur çmenduria?” (Sebe’, 7-8).
I dërguari i Allahut a.s. i përgjigjej duke ua bërë të qartë se çfarë ndodh në dynja në të vërtetë, ku njeriu zullumqar vdes pa e marrë dënimin e merituar, ndërsa ai që i është bërë padrejtësi vdes pa e marrë hakun që i takon prej njeriu të padrejtë, njeriu bamirës vdes pa e marrë shpërblimin e veprës së tij të mirë, ndërsa njeriu i prishur vdes përpara se të ndëshkohet për veprën e tij të keqe. Pra nëse nuk do të kishte ringjallje, as jetë pas vdekjes dhe shpërblim pas saj, atëherë të dyja palët do të ishin të të njëjtit rang, madje zullumqari dhe njeriu i prishur do të kishin qenë më të lumtur se njeriu i drejtë dhe se ai që i kanë bërë padrejtësi. Por kjo llogjikë është e papranueshme në mënyrë kategorike dhe nuk i takon Allahut që të ndërtojë sistemin e krijimit të Tij mbi këtë rregull të prishur. Për këtë arsye Allahu i Lartësuar thotë: “A do t’i bëjmë kriminelët të barabartë me muslimanët? Ç’është me ju, si gjykoni ashtu?” (Kalem, 35-36).
Kjo ishte përgjigja për të gjithë ata që hidhin dyshime, një përgjigje e llogjikshme dhe prerë për ata që mendonin, por idhujtarët ishin mendjemëdhenj dhe kërkonin të kishin pushtet në tokë dhe të impononin mendimin e tyre mbi të tjerët. Në këtë mënyrë ata mbetën të hutuar në humbjen e tyre.
3- Pengimi i njerëzve për të dëgjuar Kuranin dhe kundërshtimi i tij me pretendimin se është fjalë nga legjendat e njerëzve të parë
Përveç përhapjes së dyshimeve idhujtarët përpiqeshin që të pengonin njerëzit nga dëgjimi i Kuranit dhe nga thirrja islame me të gjitha rrugët dhe mënyrat. Ata i dëbonin njerëzit dhe shkaktonin trazira, këndonin dhe luanin. Kur e shikonin se i dërguari i Allahut a.s. po bëhej gati për të thirrur njerëzit në Islam ose kur e shihnin që po falej dhe po lexonte Kuran, thonin siç e përshkruan Allahu i Lartësuar: “Ata që nuk besuan thanë: “Mos e dëgjoni këtë Kuran dhe kur të lexohet ai, ju bëni zhurmë (bërtitni) ashtu që ta pengoni!” (Fussilet, 26) në mënyrë që i dërguari i Allahut a.s. të mos kishte mundësi që të lexonte Kuran në vendet ku ata mblidheshin dhe takoheshin, vetëm në vitin e pestë hixhri ku i dërguari i Allahut a.s. filloi të shfaqej qëllimisht para tyre në mënyrë të befasishme dhe e pa e ndjerë përpara se të fillonte leximin e Kuranit.
Nadhr bin Harithi ishte një prej shetanëve të Kurejshëve, i cili kur u kthye nga Hajra kishte mësuar tregimet e mbretërve të Persisë, Rustumit dhe Sfendjarit. Sa herë që i dërguari i Allahut a.s. merrte pjesë në një kuvend për t’i kujtuar njerëzit me Allahun dhe për t’ua tërhequr vëmendjen prej ndëshkimit të Tij, pas tij vinte Nadhri që thoshte: “Unë pasha Allahun mund t’ju tregoj gjëra më të bukura se ky”. Pastaj ulej me njerëzit dhe u tregonte historitë e mbretërve persë dhe thoshte: “Përse Muhamedi fliska gjëra më të bukura se ato të miat?!”
Nga Ibn Abasi r.a. përcillet se Nadhri kishte blerë një herë një këngëtare dhe sapo dëgjonte që dikush dëshironte të hynte në Islam, ai dërgonte këngëtaren tek çadra e tij dhe i thoshte asaj: “Jepi të hajë dhe të pijë dhe pastaj këndoi, sepse kjo është më e mirë se ajo që i bën thirrje Muhamedi.” Për këtë njeri ka zbritur edhe ajeti kuranor: “Ka prej atyre njerëzve që blejnë argëtime për t’i humbur njerëzit nga rruga e Allahut” (Lukman, 6).
4- Pazaret
Idhujtarët u përpoqën që injoranca dhe Islami të puqeshin në mes të rrugës, duke pranuan që ata të braktisin disa gjëra dhe i dërguari i Allahut a.s. të braktiste disa të tjera. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata kanë dëshirë që ti të bësh lajka, e që edhe ata të bëjnë lajka.” (Kalem, 9). Për këtë arsye Esved bin Abdulmutalibi bin Esed bin Abduluza, Velid bin Mugejra, Umejah bin Halefi dhe El as bin Uail es-Sehemi, të cilën ishin jerëz me pozitë në popullin e tyre, u mblodhën dhe i thanë: “O Muhamed! Le të adhurojmë këtë adhurojmë dhe ti le të adhurosh kë të adhurosh, prandaj le të bëhemi bashkë në këtë çështje. Nëse Ai që ti adhuron është më i mirë se ai që ne adhurojmë, atëherë edhe ne do të kemi pjesën tonë në adhurimin e tij dhe nëse ai që ne adhurojmë është më i mirë se Ai që adhuron ti, atëherë edhe ti do të kesh marrë pjesën tënde në adhurimin e tij.” Pas kësaj Allahu i Lartësuar zbriti ajetet që flisnin për ta: “Thuaj: “O ju jobesimtarë! Unë nuk adhuroj atë që ju e adhuroni! As ju nuk jeni adhurues të Atij që unë e adhuroj! Dhe unë kurrë nuk do të jem adhurues i asaj që ju adhuroni! Por edhe ju nuk do të jeni adhurues të Atij që unë e adhuroj! Ju keni fenë tuaj (që i përmbaheni), e unë kam fenë time (që i përmbahem)!” (Kafirun, 1-6)
Pra këto dhe tjera ishin metodat e idhujtarëve për të penguar thirrjen islame, por Allahu ua çoi dëm mundin dhe e ndihmoi Profetin e Vet, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të deri në Ditën e Fundit.