Mjedisi dhe mbrojtja e tij në vështrimin islam

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 5 minuta lexim

mjedisi

Mjedisi dhe mbrojtja e tij në vështrimin islam

Akademia Ndërkombëtare e Fikhut Islam

Vendimi nr. 185 (11/19)

Asambleja e Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam e dalë nga Organizata e Konferencës Islamike, e mbledhur në sesionin e nëntëmbëdhjetë të saj në Emiratin e Sharikas (Emiratet e Bashkuara Arabe) në datat 1-5 Xhumadil Ula 1430 h. /26-30 Prill 2009 e.s. pasi mori në shqyrtim studimet e paraqitura pranë Akademisë rreth problematikës që ka të bëjë me mjedisin dhe mbrojtjen e tij në këndvështrimin islam dhe pasi dëgjoi diskutimet që u zhvilluan rreth tij vendosi si më poshtë:

1-      Hedhja e mbeturinave të dëmshme, në çdo cep të botës, është e ndaluar (haram). Shtetet prodhuese të këtyre mbeturinave janë të detyruara t’i përpunojnë ato në vendet e tyre pa dëmtuar mjedisin. Shtetet islame nuk duhet të pranojnë që vendet e tyre të kthehen në vende ku groposen këto mbeturina.

2-      Të gjitha veprimet dhe aktivitetet të cilat çojnë në dëmtimin e mjedisit janë të ndaluara (haram), si për shembull ato që prishin ekuilibrin mjedisor, apo shfrytëzojnë  burimet natyrore pa kriter duke mos  u kujdesur për të ardhmen e tij. Në këtë rast duhet të veprohet sipas rregullit të Sheriatit që thotë se dëmi duhet të zhdëmtohet.

3-      Është e detyrueshme që asnjë nga shtetet e botës të mos mbaj armë të shkatërrimit të masë. Duhet të parandalohet çdo veprim që çon  në rrjedhjen e gazeve dëmtuese që zgjerojnë vrimën e shtresës së Ozonit dhe ndotin mjedisin. Në këtë rast veprohet në bazë të rregullave të padiskutueshme të Sheriatit që ndalojnë dëmtimin.

Asambleja gjithashtu sugjeron:

1-      Të inkurajohet hapja e vakëfeve në shërbim të mbrojtjes së mjedisit, për të gjithë përbërësit e saj: tokësor, ujor dhe hapësinor.

2-      Të ngrihet një komision studimor islam për çështjet e mjedisit  pranë Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam, që do të ketë si synim observimin e të gjitha studimeve dhe marrëveshjeve që merren me problematikën e mjedisit.

3-      Të bashkëpunohet me komunitetin ndërkombëtar me të gjitha format që mbrojnë mjedisin dhe ndalojnë ndotjen e tij, me kusht që ky bashkëpunim të mos bjerë ndesh me dispozitat e Sheriatit islam apo të mbart dëme për vendet islame.

4-      Të inkurajohen shtetet islame të aktivizojnë organizatat mjedisore të krijuara nga Organizata e Konferencës Islamike, si dhe të bashkëpunohet me organizatat mjedisore të Këshillit të Bashkëpunimit Arab dhe të Këshillit të Bashkëpunimit të Vendeve të Gjirit.

5-      Të shtohet dhe nxitet me çdo mjet të mundshëm prodhimi i produkteve “miq të mjedisit”.

6-      Të nxiten shtetet anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike që në vazhdimësi të nxjerrin ligje dhe rregulla që mbrojnë mjedisin dhe ndalojnë ndotjen e tij. Është e nevojshme që këto ligje të shoqërohen me masa ndëshkimore për të gjithë ata që i shkaktojnë dëme mjedisit si dhe të shtohet forca mbikëqyrëse e institucioneve që mbrojnë mjedisin, për të parandaluar të gjitha aktivitetet dhe veprimet të cilat dëmtojnë elementët e mjedisit: ujin, ajrin dhe dheun.

7-      T’u kërkohet institucioneve që merren me çështjet fetare në shtetet islame, që të informojnë imamët dhe predikuesit islam me të dhëna që kanë të bëjnë me mjedisin, si dhe të përhapin studime që merren me këtë çështje si dhe me mjetet e mbrojtjes së mjedisit.

8-      Të përhapet kultura e përgjegjësisë për mbrojtjen e mjedisit dhe rreziku që kanoset nga dëmtimi i saj, me të gjitha mjetet që përmbushin këtë synim:

a-      Të ketë transmetim të rregullt të informacionit që flet për rrezikun mjedisor, në mjetet e informimit publik.

b-      Të ketë edukim të vazhdueshëm për këtë çështje si brenda shtëpisë ashtu edhe në programet arsimore në të gjitha nivelet e saj.

c-       T’i kushtohet rëndësi Fikhut mjedisor në studimet e Fikhut Islam nëpër fakultetet e Sheritait dhe studimeve islame.

Allahu e di më së miri.

 

Burimi: http://19sh.c-iifa.org