Modeli i udhërrëfimit për ligjërimin e sotëm islam

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 16 minuta lexim

werwer

Modeli i udhërrëfimit për ligjërimin e sotëm islam

Nga hoxhë Justinian Topulli

“Kjo kohë është koha e butësisë, durimit dhe urtësisë, nuk është koha e ashpërsisë. Shumica e njerëzve janë të paditur, të pavëmendshëm dhe të ndikuar nga kjo botë, ndaj duhet patjetër durim, duhet patjetër butësi, derisa tu mbërrijë thirrja islame, derisa tu komunikohet ajo njerëzve, derisa ata të mësojnë. Lusim Allahun për të gjithë që t’i udhëzojë.”
Abdulaziz Ibën Baz

Jo pa qëllim e nisa këtë shkrim me fjalët e ish-Myftiut të Arabisë Saudite edhe pse padyshim fjalët e Allahut dhe Profetit të Tij qëndrojnë më lartë se fjalët e çdo qenie njerëzore. E nisa me fjalët e tij, që nuk kanë nevojë për koment, sepse ne si muslimanë sot më shumë se kurrë kemi nevojë për modele të gjalla, që mishërojnë Fjalën e Allahut dhe të Profetit, sepse duket që leximi dhe mësimi përmendesh i tyre nuk mjaftojnë për të jetësuar praktikën islame në këtë kohë. E nisa me fjalët e këtij hoxhe të nderuar, sepse është ndoshta një nga liderët e rrallë islam të kësaj epoke që ka bashkuar në personalitetin e tij pranimin dhe respektin edhe të atyre që nuk i përkisnin të njëjtës shkollë si ai. E nisa me fjalët e këtij dijetari, sepse rrallë kush si ai mund të identifikohet sot si imami më i pranuar dhe i vlerësuar, në mesin e atyre që etiketohen sot si vehabi apo konsiderohen selefi.
Ibën Bazi –siç i thërrisnin atij shkurt- ishte pra udhërrëfyesi më i pranuar i atyre që sot më shumë se kushdo mes muslimanëve konsiderohen si më radikalët, fanatikët dhe ekstremistët e muslimanëve. E nisa me këto fjalë, sepse neve sot na mungon shpesh ky dimension që ky njeri na e përçon me këto fjalë të thjeshta, por edhe me personalitetin e tij, që mbase përtej emrit të tij, shumë pak ndoshta ia njohin mjaft prej atyre që në fakt e vlerësojnë atë si një nga Imamët e kohës sonë. Unë pikërisht ua drejtojë atyre këtë shkrim edhe pse absolutisht nuk u mbaj ison llagapeve të padrejta, që neve na vijnë nga dashakeqësia apo padija e njerëzve.
Është më se e pritshme, që pas këtij rigjallërimi religjioz dhe de-shekullarizimi të jetës publike që ka pushtuar sot mbarë botën islame, të vërshojnë ndaj muslimanëve akuzat, klishet dhe paragjykimet e vjetra, si nga jashtë ashtu dhe nga brenda saj. Në një botë të tillë liberale si kjo e sotmja është normale që akuza më e lakuar ndaj fetarëve të jetë ekstremizmi, fanatizmi dhe radikalizmi. Ndaj kjo nuk ka pse na habit. Unë nuk dua të ndalem tani tek ky problem i tyre, por te pjesa jonë, që pa dorashka do ta quaja me plot gojën e gabuar. Ne duhet të kemi guximin të pranojmë mes nesh gabimet tona dhe dashakeqësia e padija e të tjerëve nuk duhet të na verbojë për të kuptuar pjesën tonë të fajit, sado e madhe apo e vogël qoftë ajo. Ky është morali i një besimtari të vërtetë, që sheh më parë veten e tij për të korrigjuar sesa të tjerët.
Bota e sotme islame në pjesën më të madhe të saj vuan nga mjerimi ekonomik, nga pushtete të padrejta politike, nga qeverisje të korruptuara në plot kuptimin e fjalës, nga shtypje dhe padrejtësi të panumërta…, dhe gjithashtu edhe nga një indiferencë e qëllimshme dhe qëndrime aspak të drejta nga ana e perëndimit, që trembet prej saj dhe nuk është çliruar akoma nga klishetë e vjetra të mesjetës që ka për këtë pjesë të botës dhe për këta njerëz.
Në një situatë të tillë armiku i këtyre popujve shihet si i dyfishtë, ai brendshmi, që shihet si shërbëtor dhe servil i botës së huaj, si një zullumqarë që jeton me bekimin e jashtëm dhe natyrisht ai i jashtmi, që shihet si përgjegjësi kryesor dhe i parë i gjendjes së mjeruar aktuale ku jetojnë muslimanët. Përkundrejt kësaj Islami, si pjesë e pandarë e identitetit të këtyre popujve dhe më i qëndrueshmi dhe më frymëzuesi, është bërë arma më e fuqishme për të luftuar këtë gjendje. Për shumë arsye sociale e kulturore, por jo të vetmet, feja është bërë i vetmi burim i qëndrueshëm dhe më i fuqishmi, që mobilizon më shumë se çdo gjë tjetër popujt e vendeve muslimane për ndryshime politike, ekonomike dhe sociale. Si rezultat i kësaj rigjallërimi islam në këto vende, krahas rolit predikues që kanë luajtur hoxhallarët dhe liderët e ndryshëm fetar, në formimin dhe ngjyrimin e tij ka pasur një rol të rëndësishëm edhe gjendja sociale, kulturore, ekonomike e pleksur kjo me dëshirën për të dalë sa më parë dhe me çdo mjet nga një situatë e tillë. Është pikërisht kjo mungesë durimi, e deri diku edhe ndikimet e frymëzimeve revolucionare antikapitaliste, që kanë kapluar një periudhë kohë botën islame, disa nga faktorët kryesorë që e kanë e kanë ngjyrosur me ashpërsi në ligjërim dhe në veprime, një pjesë të rigjallërimit islam, që në fakt është një rigjallërim që në gjerësinë e tij buron nga nevoja e patjetërsueshme e njeriut për të jetuar me dhe në besimin e Zotit. Dhe të dyja këto arsye shkaktohen nga mosnjohja e mirë e Islamit dhe mungesa e edukimit nëpërmjet modeleve aktuale të gjalla islame.
Njeriu në natyrën e tij është i prirë të reagojë dhunshëm ndaj padrejtësive ekstreme, shtypjes, përçmimit, fyerjes, vrasjeve dhe çdo gjëje të keqe që sundon dhe shpaloset në mënyrë të skajshme.
Gjendja në të cilën jetonin muslimanët e parë në Mekë nuk ishte aspak më e mirë dhe kishte mjaft motive për të shpërthyer, dhe ne e dimë që ishte pikërisht dhuna ekstreme ajo që i detyroj muslimanët të emigronin nga ai vend. Por ndërkohë gjendja fetare, morale dhe sociale nuk ishte aspak më e mirë, ajo përshkruhet mjaft mirë nga fjalët e Xhafer ibn Ebi Talibit para mbretit të Abisinisë ku ai tha:
“O mbret! Ne ishim njerëz të zhytur në injorancë. Adhuronim idhujt, hanim mishin e kafshëve të ngordhura, bënim imoralitet, nuk respektonim lidhjet farefisnore, silleshim keq me fqinjët, i forti mes nesh e hante të dobëtin.”
Pra motivimi ishte i dyfishtë për të reaguar ashpërsisht, qoftë edhe e kufizuar në gjuhën verbale të fjalës, por kjo nuk ndodhi asnjëherë. Dhe cila qe arsyeja? Pikërisht po të njëjtat arsye që përmend Ibn Bazi për kohën e sotme.
Padija e theksuar dhe keqinformimi i madh që ekziston ndaj fesë sot dhe në veçanti ndaj Islamit dhe muslimanëve, nuk është kurrsesi arsye për të shpërthyer në një hakmarrje verbale apo fizike. Veprime të tilla janë mungesë e durimit dhe mbi të gjitha mungesë e dijes dhe thelbit fetar islam si dhe e edukimit të mirëfilltë islam.
Të gjithëve ne që lexojmë Kuranin na kujtohet historia e Musait, Profetit të Zotit, dhe Faraonit të Egjiptit. Dhe përkundrejt të gjitha limiteve që ky mbret i padrejtë kishte kaluar, kundrejt vetë Zotit dhe njerëzve, Allahu e urdhëron Musain dhe të vëllain e tij që ti drejtohen këtij njeriu me fjalë të buta! Kjo pikërisht sepse ai dhe populli i tij ishin zhytur në atë masë injorance sa vetëm fjala e butë dhe e dhembshur mund të bënte efekt, në ato zemra të nxira dhe të tjetërsuara plotësisht. Njerëzit mes të cilëve ne jetojmë sot nuk janë në gjendje morale dhe fetare më mirë sesa këta popuj që na vijnë si shembuj nga historia, ndaj dhe këta kanë të njëjtën nevojë për butësi, dhembshuri dhe mëshirë si ata njerëz, analogjia në këtë rast është më se me vend.
Ishte Profeti i Allahut, Muhamedi (alejhi salatu ue selam), ai që sanksionoi për ne në çdo kohë se cila duhet të jetë gjuha e ligjërimit tonë islam, cila duhet të jetë gjuha e predikimit në mes njerëzve të tillë, të zhytur në padijen e mosnjohjes së fesë. Ai thoshte:
“Allahu është i butë dhe e do të butën në çdo çështje. Kudo që gjendet butësia, ajo gjë shkon për bukuri dhe kudo ku ajo mungon ajo shëmtohet.” (Muslimi)
“Lehtësoni dhe mos vështirësoni, përgëzoni dhe mos i largoni njerëzit.” (Muslimi)
Kjo vlen si rregull i përgjithshëm për mbarë njerëzit, sepse është pikërisht padija, qoftë kjo nga mungesa e informacionit apo nga informacioni i gabuar, shkaku kryesor i antipatisë dhe armiqësisë së njerëzve ndaj nesh dhe Islamit. Kur Profetin tonë e goditën me gurë dhe e gjakosën kokë e këmbë, ai nuk tha se ata ishin njerëz që motivoheshin nga dashakeqësia dhe intriga e parisë që i shtynte, edhe pse ishte kështu, por ai pa arsyen e vërtetë dhe kryesore të kësaj sjellje të padenjë që ishte padija e tyre, ndaj dhe iu lut Allahut duke thënë: “O Zot! Fale popullin tim se nuk dinë se çfarë bëjnë!”
Kjo do të thotë se realiteti i sotëm është njëlloj me paragjykime negative, më së shumti për shkak të padijes dhe dezinformimit, sesa për shkak të dashakeqësisë individuale të njerëzve. Dhe këtë e provon mjaft mirë fakti se nuk janë të pakët ata njerëz që pasi njohin Islamin e pranojnë atë edhe pse deri dje çfarë nuk besonin për të dhe muslimanët.
Por, edhe për ata dashakeqës dhe zullumqarë, që e njohin mirë Islamin dhe tremben prej tij nga motive fetare apo të tjera, dhe që realisht nuk janë shumë, Kurani na ka udhëzuar mënyrën sesi duhet të sillemi, por pa përdorur ndërkohë aspak dhunë verbale apo fizike. Allahu thotë në mësimin e Tij të përjetshëm: “Diskutoni me ithtarët e Librit vetëm me mënyrën më të mirë, por jo me keqbërësit e tjerë. Dhe thoni: “Ne besojmë në atë që na është zbritur neve dhe në atë që ju është zbritur juve. Zoti ynë është një – dhe ne Atij i nënshtrohemi si musimanë.” (El-Ankebutë: 46)
Të gjitha këto fjalë nuk janë thirrje aspak për të mohuar xhihadin, si elementë i pamohueshëm i fesë që ne kemi, por për ta vendosur atë në kontekstin dhe vendin e duhur. Xhihadi ynë në këtë vend dhe në mesin e këtyre njerëzve që na rrethojnë nuk është dhuna verbale në faqet dhe komentet e internetit, as gjuha kërcënuese dhe britmat në hutbet e xhumasë dhe mësimet në xhami, por ajo që bëri Profeti në Mekë, siç e përshkruan Xhaferi në bisedën e tij që cituam më sipër:
“(Profeti) na ftoi tek Allahu, që ta njësojmë dhe adhurojmë Atë. Të braktisim atë që adhuronin baballarët tanë, veç Tij, gurët dhe idhujt. Na urdhëroi të flasim të vërtetën, të mbajmë fjalën e dhënë, të ruajmë lidhjet farefisnore, të sillemi mirë me fqinjët, të mos prekin gjërat e ndaluara dhe gjakun e njerëzve, të mos mashtrojmë, të mos përvetësojmë pasurinë e jetimit, të mos shpifim për gratë e ndershme. Na urdhëroi të adhurojmë vetëm Allahun e pashoq, e pa ortakëri në asgjë, na urdhëroi të falemi, të japim zekatin dhe të agjërojmë…”
Dhe e gjitha kjo tregon se ne nuk duhet ti bëjmë lajka rendit politik, social dhe kulturor që na rrethon për të këqijat që ka, dhe as ta miratojmë atë, por në fund të fundit kjo do të thotë qartë se ligjërimi ynë qoftë kritikë, mbrojtës ose predikues nuk duhet të jetë kurrsesi ai i ashpërsisë dhe i dhunës verbale. Nëse ne e konsiderojmë veten si njerëzit më të mirë të kësaj bote, jo për shkak të racës apo ngjyrës, por për shkak të asaj që ne besojmë dhe bëjmë, nuk duhet të harrojmë se kjo mirësi meritohet duke qenë njerëzit më të mëshirshëm me njerëzit e tjerë, sepse ai që njeh të vërtetën i tillë duhet të jetë.
Islami është melhem për plagët e njerëzve, dhe nga ata melheme që veprojnë në kohë dhe shërojnë pa të djegur dhe pa shkaktuar dëme anësore. Trajtimi me mëshirë dhe dhembshuri i njerëzve nga ana jonë si muslimanë flet për masën e durimit tonë dhe dëshirës, që këta njerëz të njohin të mirën dhe të vërtetën.