Muaji Shaban

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 2 minuta lexim

Sapo ka hyrë muaji Sha’ban, muaji i adhurimit dhe agjërimit. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Aishja se Pejgamberi (alejhissalatu uesselam) e agjëronte pothuajse të gjithë muajin Sha’ban. Ky është muaji ku muslimani duhet të përgatitet shpirtërisht, moralisht dhe fizikisht për muajin Ramazan. Andaj muslimanët nuk duhet t’u ngjajnë njerëzve të tjerë të cilët nuk duan t’ia dinë se cili muaj futet e cili muaj shkon.

Në një hadith që e përcjell imam Ahmedi në musnedin e tij nga Usama ibn Zejdi tregohet se Pejgamberi a.s ka thënë: “Shabani është një muaj kundrejt të cilit njerëzit tregohen të pakujdesshëm (të pavëmendshëm). Ai është muaji që ndodhet mes Rexhebit dhe Ramazanit. Ai është një muaj në të cilin ngriten te Allahu punët e njerëzve, andaj unë dua që puna ime të ngritet kur jam me agjërim.”

Kështu pra pas përkujtimit s’duhet të jemi neglizhentë në këtë muaj ku punët e mira ngriten te Allahu, por sa të kemi mundësi të tregojmë gadishmëri në adhurime si agjërimi, namazi vullnetar, sadakaja, sjellja dobi njerëzve, leximi i kuranit, lujtjet e ndryshme dhe kërkimi falje nga Zoti Fuqiplotë. Le të jetë ky muaj gjallëri dhe përgatitje për muajin e Ramazanit.

Hoxhë Mustafa Terniqi