Dijetari Muhamed Nasirudin el-Albani mes kritikës dhe vlerësimit

Lidhja e Hoxhallarëve
14 minuta lexim

H. Mustafa Terniqi

 

Nuk është hera e parë që figura e shejh Albanit përballet me kritika dhe gjuhë denigruese ndaj tij. Kjo ka ndodhur shpesh sa ishte gjallë dhe pas vdekjes, por gjithashtu mbrojta e një figure nuk bëhet me emocione e as duke shtuar më tepër frymën e urrejtjes, por me fakte dhe argumente.

Për këtë arsye do mundohem shkurtimisht në këtë shkrim të trajtoj disa kritika të kahershme dhe të tanishme për të kuptuar nëse qëndrojnë në të vërtetë apo jo.

Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë) fillimisht ka mësuar gjuhën arabe dhe bazat e medh’hebit hanefi nga babai i tij, i cili ishte nga hoxhallarët tradicionalë të shkollës (medh’hebit) hanefi. Ka përfituar gjithashtu nga mexhliset e dijetarit të njohur shejh Behxhet el-Bejtar e të tjerë, por nuk njihet të ketë mësuar shkencën e hadithit nga hadithologë (muhadithinë) të shquar të botës Islame, qofshin ata në Siri ose gjetkë.

Këtu fillon dhe akuza e parë ndaj tij, duke e akuzuar se ka mësuar në formë autodidakte e për rrjedhojë nuk ka ixhaze, pra nuk është i certifikuar për një shkencë të gjerë si shkenca e hadithit, e nuk ka si të konsiderohet dijetar në këtë fushë të gjerë.

Metoda autodidakte e studimit është e njohur në historinë islame dhe botërore. Pa marrë parasysh faktin se metoda e njohur klasike për përvetësimin e diturive nëpërmjet shkollave dhe profesorëve ku studenti i nënshtrohej kurrikulave dhe sistemit arsimor nga ku vlerësohej dhe certifikohej ishte dhe mbetet metoda më e mirë dhe efikase, kjo nuk përjashton faktin se shumë studiues nëpërmjet metodës autodidakte do të shquheshin në shkenca të ndryshme. Studimi i tyre i pavarur bëri që ata të specializoheshin në fusha të caktuara madje dhe të ishin konkurrentë ose referencë në detaje të ndryshme për dijetarë dhe studiues të tjerë. I tillë ishte dhe shejh Albani, i cili u specializua nëpërmjet metodës autodidakte në fushën e vlerësimit dhe klasifikimit të haditheve profetike.

Nëse bëjmë një krahasim mes tij dhe dy dijetarëve të tjerë shqiptarë, Abdul-Kadir el-Arnautit dhe Shuajb el-Arnautit, ndryshe nga shejh Albani, ata mësuan në Xhaminë e Madhe Umajade të Damaskut për shumë vite nga dijetarë të ndryshëm, gjuhën arabe, Fikhun (jurisprudencën islame), Usulin (bazat e jurisprudencës), Tefsirin (komentimin e Kuranit) dhe hadithin, por në fund metodika e studimit dhe e vlerësimit të haditheve ishte pothuajse e njëjta. Pra atë që arritën dy shqiptarët e tjerë nëpërmjet profesorëve kishte arritur dhe shejh Albani me studimet e tij të pavarura edhe pse i është dashur të lodhet më shumë, duke ndjekur një rrugëtim më të gjatë. Kjo është në aspektin metodologjik, kurse në praktikë shejh Albani si individ ka punuar dhe është zgjeruar më shumë, duke lënë gjurmë akademike në botën islame më tepër se dy dijetarët e tjerë shqiptarë. Madje të dy ata e njihnin dhe dëshmonin për autoritetin e shejh Albanit dhe punën e tij të vyer akademike.

Akuza për metodologji të gabuar dhe rivlerësimin e haditheve nga e para.

Termi “metodologji e gabuar” si akuzë ndaj shejh Albanit është e njohur dhe e përhapur në botën islame. Ajo vjen nga akuzuesit në dy këndvështrime: gabimet e tij të shumta si pasojë e studimit autodidakt, dhe metoda e re që solli, ndryshe nga ajo e dijetarëve të njohur klasikë.

Në realitet, pjesa më e madhe e akuzuesve nuk e kanë studiuar gjerësisht metodikën e shejh Albanit në vlerësimin dhe klasifikimin e haditheve.

Vlerësimi dhe klasifikimi i haditheve nuk vinte si një frymë e re duke injoruar punën e dijetarëve të mëparshëm. Librat e tij janë të tejmbushur me citime dhe referenca nga dijetarët klasikë, qofshin ata të hershëm ose hadithologë që u përkasin shkollave të njohura juridike. Frymëzimi i tij nuk erdhi vetvetiu. Ai u frymëzua nga vlerësimi dhe klasifikimi i imam el-Irakiut haditheve të “Ihja Ulum ed-Din”. Kur pa se imam el-Gazali kishte paraqitur shumë hadithe jo të sakta madje dhe të trilluara në veprën e tij, të cilat i kishte klasifikuar imam el-Iraki, u frymëzua për t’ia nisur punës së vlerësimit të haditheve në literaturën islame.

Një nga metodat që përdorte shejh Albani ishe përmendja e një apo më shumë dijetarëve më të hershëm, të cilët ndanin të njëjtin gjykim për hadithet. Shpesh herë i citonte ata si referencë, pra duke iu mbështetur atyre. Kjo tregon se në të vërtetë shejh Albani nuk ka bërë rivlerësim të haditheve, por ka qartësuar atë që mendonte se ishte e paqartë nga puna e brezave të mëparshëm, ose jepte opinionin e tij për një debat të hershëm akademik. Për këtë arsye gjejmë në librat e tij klasifikimin e haditheve duke iu referuar gjykimit të dijetarëve me të hershëm, si Hakimi, Bejhekiu, Ibn Haxher el-Askalani, Dhehebiu etj. Dhe në rastet kur nuk ishte dakord me gjykimin e një dijetari për një hadith të caktuar, qartësonte dhe rendiste faktet ku ka gabuar, duke u mbështetur në një gjykim të një ose më shumë dijetarëve të tjerë.

Akuza kundër tij renditeshin dhe nga fanatikë të ndryshëm, sikur shejh Albani me metodikën e tij po kundërshtonte shkollat juridike islame (medh’hebet). Ndërkohë po të vëresh dhe analizosh me vëmendje punën e tij, do të konstatosh se gjykime të njëjta kanë dhënë dijetarë të ndryshëm që u përkasin shkollave tradicionale, madje shpesh duke i cituar me emra dhe referime. Në librat e tij ka qindra shembuj. Mes shembujve kemi gjykimet e imamit hanefi ez-Zejlai në “Nasb er-Rajeh” për hadithet e shkollës hanefite të përmendura në librin “el-Hidajeh”, gjykimet e imam Ibn el-Mulekkin në “Bedr el-Munir” për hadithet e shkollës shafite të përmendura në librin “el-Fet’h el-Aziz fi sherh el-Vexhiz”, etj.

Shumë kritika kundër tij shpesh nuk ishin objektive. Subjektiviteti i kundërshtarëve në kritikat ndaj shejh Albanit buronte në shumë raste nga urrejtja sektare ose fanatizmi medh’hebor. Kritika të tilla kanë qenë pjesë e historisë ku nuk ka shpëtuar dot as vetë imam Buhariu. Në kohën kur shejh Albani akuzohej se ai injoronte shkollat juridike, gjejmë se ai kur kishte nevojë, argumentohej me opinionet dhe arsyetimet juridike të dijetarëve të medh’hebeve. Shembull konkret kemi në librin e tij “Xhilbab el-mer’eh el-Muslimeh fil-Kitabi ves-Sunneh” ku shejhu është munduar të argumentohet kryesisht me ajete kuranore dhe hadithe profetike, duke përmendur dhe arsyetimet fikhore. Kur libri u kritikua nga kundërshtarë të ndryshëm, erdhi me një version tjetër duke shtuar argumentimet. Kur pa se kritikat shtoheshin dhe vazhdonin, erdhi me versionin e fundit të librit me titull “er-Redd el-Mufhim” ku u detyrua ta ezauronte çështjen nga të gjitha këndvështrimet, qoftë në aspektin gjuhësor, qoftë në aspektin e kuptimit tekstual të ajeteve dhe haditheve duke përmendur opinionet e mufesirëve (komentuesve të Kuranit), opinionet e juristëve të katër shkollave juridike tradicionale, arsyetimet e dijetarëve të Usulit, përfshi dhe studimin e transmetimeve që kishin paraqitur kundërshtarët duke iu referuar dijetarëve klasikë të hadithit. Pra duke sjellë një punim vërtet akademik shterues.

Andaj akuza të rëndomta sikur ka bërë krim akademik në botën islame nuk qëndron. Fakti që solli diçka ndryshe te bashkëkohorët nëpërmjet stilit të punës, sidomos në dy librat e tij “Silsiletu el-Ehadith es-sahihah ved-Daifeh” dhe “Irva el-Galil”, nuk do të thotë se erdhi me risi. Punë të ngjashme para tij kanë bërë dijetarë të ndryshëm. Prej tyre mund të përmendim Ibn el-Mulekkinin (i sipër cituar) në veprën e tij voluminoze “el-Bedr el-Munir”, i cili ka qenë një nga referencat e shejh Albanit. Kurse klasifikimi i haditheve në të sakta dhe të dobëta është metodikë e hershme e shumë dijetarëve.

Gjithashtu, akuza e ndarjes së Sunetit Profetik në të saktë dhe të dobët (autentik dhe joautentik), në koleksionet e njohura (suneneve) të Ebu Davudit, Tirmidhiut, Nesaiut dhe Ibn Maxhes, mund të quhet te disa studiues gabim teknik, por jo gabim apo krim akademik sikur akuzojnë të tjerë.

Nga kritikat e njohura kundër shejh Albanit është se ai erdhi për herë të parë me refuzimin kategorik të haditheve të dobëta, të cilat nuk bënin pjesë në lëmin e kredos islame (akides) dhe të fikhut (jurisprudencës), por lidheshin me temat dytësore të shpërblimeve dhe qortimeve (fedail el-a’mal). Kjo solli sipas tyre ndarjen që i bëri shejh Albani Sunetit Profetik në të saktë dhe të dobët, sepse Suneti, gjithnjë sipas tyre, përfshinte hadithet e sakta dhe të dobëta njëkohësisht. Edhe për këto kritika shejh Albani nuk ka sjellë risi. Dijetarë të ndryshëm më të hershëm ndajnë të njëjtin mendim.

Imam es-Sekhavi në veprën e njohur “Feth el-Mugith Bisherhi Elfijeti el-Hadith” (1/ 43) përmend se hadithet e dobëta nuk mund të konsiderohen si pjesë e Sunetit Profetik. Ndërsa refuzimi kategorik i haditheve të dobëta në temat dytësore të shpërblimeve dhe qortimeve (fedail el-a’mal), gjithashtu nuk është diçka e re apo risi e sjellë prej tij. Dijetarë të hershëm mendojnë se me hadithet e pasakta nuk mund të punohet asnjëherë, prej tyre është Ebu Bekr ibn el-Arabi prej dijetarëve të medh’hebit Maliki etj. (Shih “en-Nuket ala Mukadimeti ibn Salah” të imam Zerkeshiut 2/310 dhe “Kavaid et-Tahdith” të imam Xhemaludin el-Kasimi 1/113). Paçka se shumica e dijetarëve e lejojnë punimin me këtë kategori hadithesh, me kushte të sanksionuara në librat e shkencës së hadithit, nuk mund të pretendohet se shejh Albani ishte i pari që u paraqit me këto mendime.

Në përfundim shikojmë se shumë kritika jo vetëm që nuk qëndrojnë, por vinë nga njerëz të paditur, sektarë ose fanatikë. Përndryshe ka plot kritika të tjera nga studiues të ndryshëm që lidhen më tepër me anën teknike dhe jo parimore, ose kritika të fushës akademike brenda llojit dhe metodologjisë që shumë prej tyre vetë shejhu i ka pranuar. Ashtu siç ka studiues të tjerë të cilët nuk e marrin shejh Albanin si referencë, por dëshmojnë për punën e tij akademike dhe respektojnë opinionet e tij. Secili ka këndvështrimin e tij akademik duke respektuar mendimin ndryshe, por pa përdorur gjuhën denigruese për të ulur dhe zvogëluar figurën e hoxhallarëve dhe dijetarëve që i shërbyen fesë islame me përkushtim për dekada.