Namazi i teravive

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 4 minuta lexim

UntitledNamazi i teravive është sunet për burra dhe për gra. Fjala “teravi” është shumës i fjalës “teruihatun” e cila rrjedh nga fjala “rahatun”, që do të thotë çlodhje, pushim. Imam el-Fejumi në “Misbahul Munir” dhe imam Ibn Mendhuri në “Lisanul arab” shpjegojnë
se namazi i teravive është quajtur kështu ngaqë muslimanët e gjeneratës së parë kur falnin namazin e teravive pushonin pas çdo
dy selamesh, pra pas çdo katër rekatësh.Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se për vlerën e këtij namazi Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Kush ngrihet për t’u falur në Ramazan (teravitë) me besim të plotë dhe duke pritur shpërblim nga Allahu, atij do t’i falen gjynahet e mëparshme.”

Namazi i teravive falet pas namazit të jacisë dhe para namazit të vitrit, në xhami dhe me xhemat, por mund të falet edhe në shtëpi vetëm. Sunet është të falen tetë rekatë, duke dhënë selam pas çdo dy rekatësh. Aishja (radijallahu anha) thotë: “Profeti (alejhi salatu ue selam) nuk ka falur më shumë se njëmbëdhjetë rekatë në Ramazan dhe as jashtë Ramazanit.” Transmeton Buhariu. Pra, tetë rekatë teravi dhe tre rekatë namaz vitër. Dijetarët e mëdhenj të umetit islam siç janë juristët e shkollave të njohura juridike islame dhe prijësit e tyre si imam Ebu Hanifja, imam Maliku, imam Shafiu, imam Ahmed ibn Hambeli, e të tjerë si imam Sufjan Theurij, imam Ibnul Mubarek etj., dhe dijetarët e mëdhenj të mëvonshëm, janë të mendimit se namazi i teravive mund të falet edhe më shumë se tetë rekatë, pasi diçka e tillë ka qenë e njohur te tabiinët (pasuesit e sahabëve), të cilët i kanë falur teravitë dikush njëzet rekatë, dikush 36, dikush më shumë e dikush më pak.

Imam el-Kemal Ibn Humami, njëri nga dijetarët më të njohur të medhhebit hanefi, thotë: “Sunet është që të falen tetë rekatë, ndërsa dymbëdhjetë rekatet e tjera (plotësimi i 20-shit) janë mustehab (vepër e pëlqyeshme).” Namazi i teravive mund të falet edhe nga gratë. Edhe pse namazi më i mirë për gruan është në shtëpinë e saj, siç ka ardhur në një hadith që e transmeton Ebu Daudi, kjo s’do të thotë se namazi i saj në xhami është i pavlefshëm, aq më tepër kur bëhet fjalë për namazin e teravive, i cili është një namaz i veçantë. Dalja e gruas nga shtëpia natën në xhami ka kushtet e veta.

Ajo duhet të jetë e shoqëruar nga pjesëtarët e familjes së saj, të jetë e mbuluar, të mos zbukurohet për njerëzit e huaj si dhe të mos të parfumohet me erëra të mira. Është e pëlqyeshme që në namazin e teravive të merren edhe fëmijët që kanë mbushur moshën shtatë vjeç, që ta praktikojnë këtë namaz me xhemat në muajin e Ramazanit dhe që të marrin pjesë në mbarësinë dhe mirësinë që Allahu i Lartësuar zbret në
këtë muaj madhështor. Allahu na bëftë prej adhuruesve të Tij dhe na pranoftë adhurimet!
Përgatiti: Mustafa Tërniqi