(ose siç njihet nga shumica Nata e mirë e Beraetit.)
Nga hoxhë Mustafa Tërniqi
Për sa i përket natës së mesit të muajit Sha’ban kanë ardhur shumë hadithe, ku shumica e tyre janë të dobëta dhe të trilluara.
Një pjesë e dijetarëve të hershëm, prej tyre imam Buhariu janë të mendimit, se asnjë hadith që flet për vlerën e natës së mesit të muajit Sha’ban nuk është i saktë. Ndërkohë shumë prej dijetarëve të tjerë janë të mendimit, se disa nga këto transmetime forcojnë njëra tjetrën dhe del në pah vlera e kesaj nate.
Hadithi më i njohur rreth kësaj nate është transmetimi, ku Pejgamberi a.s thotë: “Allahu shikon krijesat e Tij natën e mesit të muajit Sha’ban dhe fal mëkatet e të gjithë krijesave përveç pabesimtarëve dhe muslimanëve, që nuk shkojnë mirë më njëri tjetrin.” Transmetoi Ibn Maxheh.
Ky hadith ka ardhur në versione të ndryshme andaj shumë dijetarë mendojnë, se mund të forcohet kurse hadithi tjetër ku thuhet:
“Kur të jetë nata e mesit të Muajit Sha’ban kalojeni atë natë me adhurime dhe ditën e nesërme me agjërim, sepse Zoti zbret në qiellin e dynjasë në perëndim të diellit dhe thotë: “A ka ndonjë që kërkon falje dhe unë ta fal? Ka ndonjë që kërkon rrizkun dhe Unë t’ia jap? A ka ndonjë që është i sprovuar dhe Unë ta shëroj (shpëtoj)?”
Këtë hadith e transmeton Ibn Maxheh në Sunenin e tij dhe është hadith i trilluar, sepse në zinxhirin e tij gjendet: Ibn Ebi Sebreh, i cili akuzohet si trillues i haditheve.
Nga kjo gjë shikojmë, se dijetarët e hershëm ndahen në dy grupe. Një palë mendon se kjo natë nuk ka asnjë gjë të veçantë nga netët e tjera dhe për rrjedhojë nuk ka pse të veçohet me adhurime apo me agjërimin e ditës së nesërme, e disa prej tyre kanë thënë, se kjo është bidat, risi në fe. Te ky grup dijetarësh futen shumica e dijetarëve të hershëm të Hixhazit, prej tyre imam Ata’ja, Abdurrahman ibn Zejd ibn Eslemi, fukahatë e Medinës, përfshi dhe dijetarët e hershëm të medh’hebit Maliki.
Ndërsa pala tjetër mendojnë, se në këtë natë vërtet Allahu shikon krijesat e Tij me syrin e mëshirës për ata që e meritojnë atë, andaj dhe duhet bërë istigfar (kërkim falje) dhe adhurime të ndryshme. Të parët që janë njohur me këtë janë disa nga tabiinët e Shamit, prej tyre imam Mek’huli, Halid ibn Ma’dani, etj.
Madje ka prej tyre që mendojnë, se duke qenë se është vërtetur në hadithe të sakta, se Muaji Shaban është muaji ku ngrihen punët vjetore te Zoti, atëherë nata që Allahu ka veçuar për të ngritur punët vjetore të krijesave, se kush prej tyre ka qenë nga vepërmirët e kush prej tyre ka qenë prej gjynahqarëve. Mirëpo nuk ka argument të qartë, që tregon se është pikërisht nata e mesme e muajit Shaban përcaktuar enkas për këtë gjë, ashtu sikurse nuk ka hadith të saktë, që specifikon vlerën e agjërimit për ditën e nesërme të asaj nate. Ndërkohë çdo kush mund të agjërojë përderisa ajo ditë është një nga tre ditët e bardha, të cilat janë sunet të agjërohen si të tilla.
Sidoqoftë për sa i përket natës së mesit të këtij muaji, përderisa shumë dijetarë janë të mendimit, se hadithi që tregon se në këtë natë Allahu fal krijesat e Tij përveç pabesimtarëve dhe atyre njerëzve që mbajnë mëri dhe nuk shkojnë mirë më njëri tjetrin është i saktë, atëherë kërkohet që muslimani të kurojë e të pastrojë zemrën e tij nga sëmundjet shkatërruese si zilia, smira, inati urrejtja etj dhe t’i lutet Allahut, që të jetë prej vepërmirëve. Gjithashtu kjo natë s’duhet ta gjejë gafil e të pakujdesshëm në harame dhe gabime të ndryshme, por të kërkojë falje e t’i bëjë istigfar Zotit të tij.