Nata e mesit e muajit Sha’ban (sic njihet nga shumica Nata e mirë e Beraetit).
Për sa i përket natës së mesit të muajit Sha’ban kanë ardhur shumë hadithe ku shumica e tyre janë të dobta dhe të trilluara.
Një pjesë e dijetarëve të hershëm, prej tyre imam Buhariu, janë të mendimit se asnjë hadith që flet për vlerën e natës së mesit të muajit Sha’ban nuk është i saktë. Ndërkohë shumë prej dijetarëve të tjerë janë të mendimit se disa nga këto transmetime forcojnë njëra tjetrën dhe del në pah vlera e kesaj nate.
Hadithi më i njohur rreth kësaj nate është transmetimi ku Pejgamberi a.s thotë: “Allahu shikon krijesat e Tij natën e mesit të muajit Sha’ban dhe fal mëkatet e të gjithë krijesave përvec pabesimtarëve dhe muslimanëve që nuk shkojnë mirë më njeri tjetrin.” Transmetoi Ibn Maxheh
Ky hadith ka ardhur në versione të ndryshme andaj shumë dijetarë mendojnë se mund të forcohet kurse hadithi tjetër ku thuhet:
“Kur të jetë nata e mesit e Muajit Sha’ban kalojeni atë natë me adhurime dhe ditën e nesërme me agjërim, sepse Zoti zbret në qiellin e dynjasë në perëndim të diellit dhe thotë: “A ka ndonjë që kërkon falje dhe unë ta fal? Ka ndonjë që kërkon rrizkun dhe Unë t’ia jap? A ka ndonjë që është i sprovuar dhe Unë ta shëroj (shpëtoj)?”Këtë hadith e transmeton Ibn Maxheh në sunenin e tij dhe është hadith i trilluar sepse në zinxhirin e tij gjendet: Ibn Ebi Sebreh i cili akuzohet si trillues i haditheve.
Nga kjo gjë shikojmë se dijetarët e hershëm ndahen në dy grupe. Një palë mendon se kjo natë nuk ka asnjë gjë të vecantë nga netët e tjera dhe për rrjedhojë nuk ka pse të vecohet me adhurime apo me agjërimin e ditës së nesërme, e disa prej tyre kanë thënë se kjo është bidat, risi në fe. Te ky grup dijetarësh futen shumica e dijetarëve të hershëm të Hixhazit, prej tyre imam Ata’ja, Abdurrahman ibn Zejd ibn Eslemi, fukahatë e Medinës, përfshi dhe dijetarët e hershëm të medh’hebit Maliki.
Ndërsa pala tjetër mendojnë se në këtë natë vërtet Allahu shikon krijesat e Tij me syrin e mëshirës për ata që e meritojnë atë, andaj dhe duhet bërë istigfar (kërkim falje) dhe adhurime të ndryshme. Të parët që janë njohur me këtë janë disa nga tabiinët e Shamit, prej tyre imam Mek’huli, Halid ibn Ma’dani, etj.
Madje ka prej tyre që mendojnë se duke qenë se është vërtetur në hadithe të sakta se Muaji Shaban është muaji ku ngriten punët vjetore te Zoti, atëherë nata që Allahu ka vecuar për të ngritur punët vjetore të krijesave, se kush prej tyre ka qenë nga vepërmirët e kush prej tyre ka qenë prej gjynahqarëve është pikërisht kjo natë. Mirëpo nuk ka argument të qartë që tregon se është pikërisht nata e mesme e muajit Shaban përcaktuar enkas për këtë gjë ashtu sikur nuk ka hadith të saktë që specifikon vlerën e agjërimit për ditën e nesërme të asaj nate. Ndërkohë cdo kush mund të agjërojë përderisa ajo ditë është një nga tre ditët e bardha të cilat janë sunet të agjërohen si të tilla.
Sidoqoftë për sa i përket natës së mesit të këtij muaji, përderisa shumë dijetarë janë të mendimit se hadithi që tregon se në këtë natë Allahu fal krijesat e Tij përvec pabesimtarëve dhe atyre njerëzve që mbajnë mëri dhe nuk shkojnë mirë më njëri tjetrin është i saktë, atëherë kërkohet që muslimani të kurojë e të pastrojë zemrën e tij nga sëmundjet shkatërruese si zilia, smira, inati urrejtja etj dhe ti lutet Allahut që të jetë prej vepërmirëve.Gjithashtu kjo natë s’duhet ta gjejë gafil e të pakujdesshëm në harame dhe gabime të ndryshme, por të kërkojë falje e të bëjë istigfar Zotit të tij.
Hoxhë Mustafa Terniqi.