Ndarja e mishit të Kurbanit
Pyetje: Kemi dëgjuar se kurbani duhet të ndahet patjetër në tre pjesë; një pjesë për vete, një pjesë për farefisin dhe një pjesë për komshitë. Por kemi dëgjuar edhe për të varfërit njëkohësisht dhe kështu na del kurbani në katër pjesë. Sa e vërtetë është kjo dhe a duhet që pjesët e ndara të jenë të barabarta?
Përgjigje: Për ndarjen e mishit të kurbanit na tregon vetë Allahu në Kuran ku thotë: “Hani prej (mishit të) tyre dhe ushqeni edhe atë që lyp, edhe atë që nuk lyp…” Surja el-Haxh 36. Ajeti Kuranor na tregon se një pjesë e ndan për vete, një pjesë ua jep njerëzve në nevojë të cilët lypin dhe pjesën tjetër atyre njerëzve të cilët nuk lypin. Ka plot njerëz që janë në nevojë por nuk e shtrinë dorën dhe e kanë të vështirë të lypin, andaj nëse arrin të njohësh njerëz të tillë mund tu japësh dhe atyre një pjesë nga mishi i kurbanit. Gjithashtu te kategoria e tretë e përmendur në ajetin kuranor futen dhe njerëz të farefisit edhe fqinjët, pa marrë parasysh se kanë nevojë ose jo.
Ndërkohë në një hadith profetik thuhet: “Hani (prej mishit të kurbanit), ruani (depozitoni) prej tij për më vonë dhe jepni sadaka!” Transmetoi Muslimi. Sipas këtij hadithi, besimtari mund të hajë prej mishit të kurbanit gjatë atyre ditëve,por edhe mund të ruaj një pjesë të mishit për më vonë dhe pjesën tjetër e jep sadaka. Pra siç shikojmë në ajetin kuranor dhe hadithin profetik nuk përcaktohen në formë të detajuar kategoritë, por mund ta ndajë mishin sipas asaj që ai e shikon të arsyeshme. Në të njëtën kohë kur shikojmë se ndarja e kategorive ku mund të ndahet mishi nuk ëhstë fikse, atëherë dhe sasia gjithashtu nuk është diçka fikse. Pra lejohet që pjesët e ndara tëjenë të barabarta ose jo.
Pyetje: A është e lejuar që pjesë nga mishi i kurbanit t’u jepet edhe fqinjëve të krishterë?
Përgjigje: Zakonisht pjesët e mishit të kurbanit ndahen për muslimanët e varfër, për farefisin ose për fqinjët. Por është e lejuar tu jepet edhe fqinjëve të krishterë nëse ata kanë nevojë, ose shpreson t’u fitosh zemrat. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët.” Surja el-Mumtehine 8. Ajeti është i përgjithshëm dhe përfshin llojet e ndryshme të sjelljes së mirë dhe respektit reciprok me jo muslimanët duke përfshirë dhe shkëmbimin e dhuratave. Për këtë transmetohet se Abdullah ibn Amri, me rastin e therjes së një kurbani, i kish pyetur familjarët e tij: “A i keni dhënë pjesë të mishit fqinjit tonë hebre? Sepse unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Gjithnjë më porosiste Xhibrili të sillem mirë me fqinjët derisa mendova se ai do meritonte trashëgiminë pas meje.” Transmetuan Tirmidhiu dhe Bejhekiu ne “Essunen uel Athar”. Në një version tjetër të Bejhekiut përmendet se kjo ndodhi ka ndodhur me Abdullah ibn Umerin dhe jo me Abdullah ibn Amrin.