Ndikimi i lojës në moshë të hershme

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 23 minuta lexim

Nga Migena Kurushi

 

Omeri (r.a) ka thënë: “7 vitet e para luaj me fëmijën tënd, 7 vitet e dyta edukoje, 7 vitet e treta bëhu shok i tij.” Loja është një ndër psikoterapitë më efektive të zhvillimit të inteligjencës së fëmijës dhe ze vend fill pas zhdukjes së reflekseve primitive tek të vegjlit. Fëmijëria është periudha kur njeriu formohet si qenie më vete në kontakt të pandërprerë me ambientin që e rrethon. Nëse do të krahasonim periudhën e fëmijerisë me diçka, më e goditura do të ishte struktura e një ndërtese. Shqetësimi ynë primar janë themelet, sa më të forta të jene ato, aq më e qëndrueshme do të ngrihet ndërtesa. Duhet zhvillim dhe qëndrueshmëri, jo vetëm në aspektin fizik, por edhe atë psikologjik. Fëmijëria e hershme është periudha decizive për formimin e individit në këto dy drejtime.

HYRJE

Aplikimi i lojës në moshë të hershme është me shumë vlerë për fëmijën dhe zhvillimin njohës të tij. Rezultatet e kërkimit në fushën e psikologjisë së zhvillimit na bëjnë me dije, se dy të tretat e rritjes shumë dimensionale të njeriut (fizike, intelektuale, gjuhësore, sociale etj.) zenë vend gjatë periudhës së 7 viteve të para të jetës.

Ky studim ka si qëllim:

  • Të përforcojë thënien e Omerit (r.a): Në 7 vitet e para të jetës së fëmijës luaj me të…
  • Të verë në dukje rëndësinë e lojës në moshë të hershme.
  • Të theksojë bashkeveprimin prind-fëmijë nëpërmjet të luajturit së bashku.

Objektivat e këtij punimi:

  • Të arrihet njohja e lojës si terapi zhvillimore.
  • Dalja në pah e përfundimeve dhe benefiteve që sjellin lojrat e ndryshme në moshë të hershme.
  • Të bëhen të njohura disa nga mënyrat e terapisë së lojës.

Zhvillimi i trurit në moshë të hershme

Eksperienca e fëmijërisë le gjurmë afatgjata në zhvillimin e një individi. 90% e zhvillimit të trurit të individit ndodh në 3 vjeçarin e parë të jetës. Gjenet janë ato që japin kornizën bazë, por eksperienca është ajo që i jep formë këtij procesi, duke përcaktuar kështu nëse truri i fëmijës do të japë gjithë bazën e nevojshme për procesin e të mësuarit, për sjelljen dhe shëndetin, që do të pasojë në vitet e ardhshme të jetës së fëmijës. Gjatë viteve të para të jetës biliona qeliza të trurit (neuronet) dërgojnë sinjale elektrike për të komunikuar me njëra-tjetrën. Këto lidhje formojnë qarqe, që bëhen themeli bazë i arkitekturës së trurit e shumohen me shpejtësi midis qelizave nervore. Ato përforcohen nëpërmjet përdorimit të përsëritur, ndërsa eksperienca dhe ambienti përcaktojnë, se cilat lidhje do të përdoren më tepër. Ato lidhje që përdoren më shumë, forcohen dhe bëhen jetëgjata, ndërsa ato që përdoren më pak zhbëhen dhe zhduken.

 

Ç’është zhvillimi i hershëm i fëmijës?

Zhvillimi i hershëm i fëmijës është procesi përmes të cilit fëmijët rriten e zhvillohen derisa janë ende të vegjël. Në këtë periudhë ndodhin ndryshime në disa fusha, që në gjuhën profesionale quhen “domene zhvillimore” dhe ndryshime fizike, mendore dhe emocionale. Përkatësisht fëmija zhvillon lëvizshmërinë e tij, mënyrën e të menduarit dhe botën e ndjenjave të tij.

Zhvillimi i hershëm fillon në periudhën e nxënies dhe përfundon në periudhën kur fëmija hyn në shkollë. Gjatë këtij procesi fëmijet përvetësojnë aftësi dhe shkathtësi që i ndihmojnë ata të ndërmarrin aktivitete gjithnjë e më të vështira. Në këtë periudhë prindërit duhet të tregojnë një kujdes të veçantë.

Rëndësia e zhvillimit të hershëm të fëmijës

Në shkenca të ndryshme si: antropologji, psikologji zhvillimore, mjekësi, shkenca sociale etj, është vërtetuar se përvojat që i arrin fëmija në moshë të hershme janë faktor i rëndësishëm për zhvillimin e inteligjencës, personalitetit dhe marrëdhënies, që do të ketë si individ me të tjerët. Nëse fëmijët i anashkalojmë, nëse nuk i përkushtohemi sa duhet që t’i ndihmojmë të krijojnë marrëdhënie të mira me mjedisin, që të mësojnë të kontrollojnë emocionet e tyre, gjithë kjo do të reflektohet në mënyrë negative në periudhat e mëvonshme të jetës.

Prindërit nuk duhet të mjaftohen vetëm me ushqimin fizik të fëmijës. Në “Konventen për të drejtat e njeriut” i vihet theks i veçantë rëndësisë së zhvillimit të hershëm të femijës. Aty përcaktohet, se secili fëmijë ka të drejtë të zhvillojë deri në nivelin më të lartë potencialin e tij zhvillimor (neni 6). Ndërsa vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara detyrojnë që secilit fëmijë t’i sigurohet standardi, që do t’i mundësojë zhvillimin fizik, mendor, shpirtëror, social etj.

Zhvillimi i trurit në fëmijërinë e hershme.

Të gjithë fëmijët lindin me të njëjtin numër neuronesh, por ajo që i dallon individët janë ndërlidhjet midis qelizave të trurit.1 Në trurin e të porsalindurit veprojnë neuronet e fijet e lidhura (sinapset), që formohen e zhvillohen duke lëvizur, vrapuar, kërcyer, ngjitur etj. Gabimi i prindërve dhe kujdestarëve është, se kur fëmija është duke bërë aktivitete, që zhvillojnë trurin e tij, ata e ndalojnë.

Për shembull: kur fëmija po rrotullohet në formë rrethi, prindërve iu duket veprim i çuditshëm dhe e ndalojnë atë të rrotullohet. Shembulli i lartpërmendur e ndalon krijimin e shqisave ose inteligjencën tek fëmijët e kësaj moshe.

Kohë më parë mendohej, se inteligjenca e fëmijëve është vetëm e trashëguar, por më vonë u kuptua, se fëmija zhvillohet kognitivisht përmes lojës, e këtu kemi parasysh lojën fizike dhe mendore, lojën ku zhvillohet motorika fine, motorika e madhe etj.

Me anë të lojrave truri i fëmijës zhvillohet dhe inteligjenca rritet. Në mënyrë të prerë në këtë moshë fëmijës duhet t’i largohen nga duart mjetet elektronike (I-pad, I-phone, tablet etj.), që sjellin dëmtime të trurit, të inteligjencës, e “vrasin” imagjinatën. Fëmijët që nuk kanë patur kontakt në moshë të hershme me lojën reale, në shkollë janë prapa të tjerëve, qoftë në zhvillimin fizik apo atë kognitiv.

Loja dhe mendime të ndryshme rreth saj.

Të lejosh fëmijën të luajë do të thotë, se po ndikon drejtpërsëdrejti në përqendrimin e tij. Lojërat interesante janë tepër efektive për një rritje përqendrimi. Gjatë një loje të thjeshtë fëmija përfshihet në 4 procese:*2

  1. Procesi njohës,
  2. Procesi afektiv,
  3. Procesi interpersonal,
  4. Procesi i zgjidhjes së problemeve e konflikteve.

Të katërta këto procese janë të vendosura paralel me zhvillimin e aftësive për të luajtur. Që një fëmijë të përdorë eksperiencat e lojës duhet të ketë të zhvilluar një gamë aftësish:

  1. Fusha shoqërore (ku zhvillohen ndjeshmëritë për të tjerët),
  2. Komunikimi (verbal- joverbal),
  3. Aftësitë e motorikës fine,
  4. Aftësitë e motorikës globale,
  5. Të menduuarit dhe imagjinata,
  6. Vëmendja.

Shumë studiues dhe psikoanalistë nxisin lojën si eksperiencë fillestare për zhvillimin kognitiv të fëmijës. Nisur nga Omeri (r.a), pasojme me Piage, Vygorsky, Erikson, Frojd etj.

  • Omeri (r.a) thotë: 7 vitet e para luaj me fëmijën tënd…..
  • Piaget e sheh lojën në moshë të hershme, si një aktivitet të shkëputur nga detyrat e fëmijërisë për të zhvilluar kompetencat e të rriturve.
  • Vygorsky thotë, se në lojë fëmija luan rolin e të rriturit, përdor lodrat, si dhe mundësitë e tjera kulturore për të mësuar të zgjidhë problemet.
  • Eriksoni thotë, se loja është një dritare përmes së cilës mund të mësoni proceset emocionale të fëmijës.
  • Frojdi thekson, se fëmijët mësojnë të menaxhojnë emocionet e tyre përmes lojës.

 

Cilat janë lojërat më të mira për fëmijën?

Gjithçka varet nga mosha dhe faza e zhvillimit. Loja me fëmijët duhet marrë seriozisht, për vetë rëndësinë që ka në formimin e tyre. Nëse fëmija juaj 3 muajsh po mëson të rrëmbej objekte, lëre të luajë me lodra të mëdha e të buta. Nëse është 12 muajsh e po kërkon të eksplorojë shkakun e pasojën, luani me të një version të thjeshte, kukafshehti nën tryezë.

Loja sociale

Ndërveprimi me prindërit e të tjerët është shumë i rëndësishëm gjatë vitit të parë të jetës së një fëmije. Foshnjat pëlqejnë të buzeqeshin, shikojnë, qeshin etj.

Loja me objekte

Prekja e objekteve, goditja, futja në gojë, hedhja, shtytja etj., janë si eksperimente për fëmijët 4 deri në 10 muajsh.

Loja funksionale dhe përfaqësuese

Pretendimi për të përdorur objekte të njohura në mënyrë të përshtatshme p.sh., të shtyjnë bashkë me ju fshesën me korent sikur po pastrojnë; të telefonojnë gjyshen duke përdorur pultin e televizorit etj, janë maksimumi i argëtimit për fëmijët nga 12 deri 21 muajsh, tregues ky se imagjinata ka filluar të lulëzojë.

Loja e hershme simbolike

Kjo lojë, e zakonshme rreth moshës 2-vjeçare, krijon diçka nga asgjëja. Fëmija mund të luajë me një kuti kartoni, duke improvizuar sikur është në një autobuz, e plotësuar kjo nga zhurmat motorrike.

Loja e roleve

Rreth 30 deri 36 muajsh fëmija bën sikur është mjek, mësues, mami ose babi.

Por cilat janë lodrat më të mira për fëmijën?

Mosha është udhëzuesi më i mirë. Një fëmije 2 muajsh i pëlqejnë lodrat që levizin e lëshojnë tinguj, ndërsa fëmijës 15 muajsh i duhen më shumë stimuj p.sh., duan të bëjnë sikur po gatuajnë, sikur po ngasin makinën, sikur po i bëjnë dikujt një injeksion etj.

            Loja- vendimtare në zhvillimin e çdo fëmije*3

  • Lërini fëmijët të jetojnë fëmijërinë e tyre!*4

Por fëmijëria e tyre është loja. Është vërtetuar se të vegjlit nxënë më mirë nëpërmjet përvojave personale që nxisin ndjesorët e tyre natyralë të kuriozitetit. Loja në të gjitha format e saj, paraqet mundësi të pafundme për ndërveprimin e fëmijëve me njerëz e objekte në situata reale e imagjinare. Nëse loja është prezente në mënyrë intensive në jetën e çdo fëmije, tek ai arrijnë të zhvillohen disa karakteristika:

  1. Afekti pozitiv – I referohet kënaqësisë dhe organizimit të fëmijëve gjatë lojës, që shprehet përmes të qeshurës, të kënduarit dhe euforisë kur po luan.
  2. Angazhimi aktiv- Fëmija është gjithë kohës i angazhuar duke lëvizur në mënyrë që të jetë në koherencë.
  3. Motivimi i brendshëm – Fëmijët luajnë me dëshirën dhe synimin për të fituar.
  4. Liria dhe rregullat e jashtme – Fëmijët mësohen me rregulla e kuptojnë që në lojë ato vendosen që në fillim e zbatohen deri në fund të lojës. Terapia e lojës vlerësohet si një metodë që mund të inkorporohet në të gjitha këshillimet. Duke qenë se fëmijët kanë kufizime në verbalizimin e ndjenjave dhe mendimeve, si dhe në zhvillimet kognitive, loja shihet si metodë primare për fëmijët në moshë të hershme. Loja është një pjesë integrale e jetës së fëmijëve dhe një mënyrë natyrale për të mësuar dhe krijuar lidhje me të tjerët.

Omeri (r.a) e ka këshilluar lojën në moshë të hershme, rreth 7 shekuj më parë, por në dekadën e fundit i është dhënë rëndësia e duhur, treguar kjo nga numri i madh i publikimeve, shkrimeve, prezantimeve rreth kësaj çështjeje. Loja aktive e fëmijës shihet si një shenjë e shëndetit mendor, ndërsa mungesa e saj si një e metë e madhe. Psikologët e zhvillimit të fëmijëve, konsiderojnë se loja është e rëndësishme për kapërcimin e  prirjes së lindur ndaj agresionit dhe dominimit. Loja është aktivitet shoqëror, qe eleminon prirjen drejt lakmisë dhe arrogancës dhe zhvillon kujdesin mbi ndjenjat dhe mirëqenien e të tjereve. Loja është shprehje lirie e demokracie, sepse aty pranohen të ndiqen rregulla, që janë vendosur më parë me marrëveshje.

Loja- ambient i sigurtë

Nëpërmjet lojës fëmijët e transformojnë realitetin në imagjinatë dhe në atë mënyrë në një ambient të sigurtë mësojnë që të ballafaqohen me sfidat reale. Loja për ta është përvojë dhe trajnim, prandaj edhe mënyra me të cilën luajnë fëmijët shpreh veçoritë e shoqërisë në të cilën jetojmë. Ata nëpërmjet lojës praktikojnë situatat e jetës reale.

Të luash një loje është një përvojë, kërkon pak mund dhe emocion. Loja e një fëmije pasqyron botën e tij në mënyrë simbolike. Përveç faktit se është një moment zbaviteës për fëmijën, loja mbështet zhvillimin motorik dhe mendor të feëmijës dhe ndihmon në lehtësimin e përplasjeve emocionale.

Me ndihmën e lojës fëmijët mund të zhvillojnë aftësitë e tyre krijuese dhe do të arrijnë një nivel të kënaqshëm mendor para fillimit të ciklit shkollor. Kur i zgjasni fëmijës një lojë, i keni dhuruar një objekt që i flet ndjenjave të tij me anë të prekjes dhe shikimit. Kur zgjidhni lojra të përshtatshme për ta, i keni ndihmuar në zhvillimin e tyre fizik, emocional, mendor etj.

Llojet e lojrave *5

Sapo vjen në jetë fëmija vjen me disa lloj refleksesh, e sapo ai lirohet nga to, fillon të luajë. Me anë të lojës ai mëson e ndjen, por kënaqësia e të voglit në lojë varet nga përkrahja e të rriturit dhe përdorimi i mjeteve të tjera. Lojën mund ta ndajmë në:

  • Aktive, Kërkuese, Imituese, Konstruktive dhe Loja me rregulla.
  • Loja aktive: nënkupton lëvizjet, kontrollin e kokës, trupit, gjymtyrëve gjatë qëndrimit ulur etj. Pra benefiti i lojës aktive është, se vë në lëvizje motorikën globale, aftëson fëmijën në komandimin e trupit të tij etj.
  • Loja kërkuese-manipuluese: fillon pas muajit të tretë, me lojën me gishta, kontrollin e lëvizjeve dhe shqisave.
  • Loja imituese: fillon herët, por bëhet evidente midis muajit të 7 e të 8.
  • Loja konstruktive: që fillon me kuba të thjeshtë nga 18 deri 20 muajsh.
  • Loja me rregulla: që kërkon shkallë të lartë të aftësive duke kuptuar edhe shprehje abstrakte. Zakonisht fillon në moshën 4- vjeçare.

Këshilla dhe benefite

Prindërit duhet të jenë të parët që te nxisin fëmijët e tyre të luajne, sepse kështu ndikojnë në mënyrë direkte në shumë fusha të jetës së tyre p.sh.:

  • Në zhvillimin e emocioneve, që nxiten duke lujatur me kuklla pellushi, duke u përkujdesur për to, duke i puthur apo përqafuar, duke menduar sikur kukulla po qan, e ju duhet ta pushojnë etj. Duke zhvilluar emocionet në të ardhmen do të kemi një fëmijë
  • Zhvillimi i ndjenjes dhe perkujdesjes. Ndërhyrja bëhet duke e nxitur fëmijën të mbjellë një bimë apo të kujdeset për një kafshë shtëpiake. Prindi, në forme loje, duhet ta mësojë fëmijën si ta mbjellë, ta ujisë një bimë, e do të shikojë kënaqësinë e fëmijës, kur bima jep frutet e saj.

Ai prind po përgatit një individ që do të kujdeset, e nuk do ta dëmtojë natyrën rreth tij.

Nëse një prind, në formë loje, shtyn fëmijët të kujdesen për një kafshë shtëpiake, i nxit ata edhe të zhvillohen në aspektin gjuhësor, sepse përkujdesi i fëmijëve ndaj kafshëve ndikon pozitivisht në pasurimin e fjalorit të tyre. Kjo do të thotë se ai prind po përgatit për të ardhmen një individ, që do të ketë mëshirë për çdo gjallesë. Fëmijës i duket si lojë të kujdeset për një bimë apo kafshë, por më vonë prindi do të kuptojë se ka ndikuar pozitivisht në formimin e karakerit të tij.

  • Të mësuarit me rregulla, radhë e durim

Duke i prezantuar qoftë edhe një lojë të thjeshtë, i kalisim fëmijës durimin për t’u marrë me diçka. Kështu loja shërben si terapi për t’u forcuar durimin, gjë që ju mungon të vegjëlve.

  • Zhvillimi kognitiv

Për të pasuruar horizontin e të voglit tonë në formë sa më të lehtë dhe jo të merzitshme, ne mund të aplikojmë lojën me shkronja. P.sh: i drejtohemi: Unë po mendoj shkronjën “A”. Mund të më thuash një shtet, qytet, frut, send, apo kafshë emri i të cilit fillon me “A”?- nëse përgjigjet, në rregull, por nëse nuk përgjigjet, i ofrojmë ndihmën tonë dhe i shpjegojmë atë që nuk kupton.

  • Zhvillimi i motorikës globale

Aftësimi i motorikës globale është shumë domethenës tek fëmijët. Sipas një studimi përgjatë dekadave, ekspertët kanë arritur në përfundimin, se ata që kanë këmbë e fizik të fuqishëm kanë një tru të mirëzhvilluar.*6 Kjo bazuar në faktin, se ushtrimet për këmbët çlirojnë lëndë kimike në trup, të cilat ndikojnë në zhvillimin e trurit. Pra, prindërit vënë re, se sa e dobishme është loja e fëmijëve të tyre, me top, litar, peta apo lojëra të tjera të zhvilluara në natyrë. Të rëndësishme janë edhe sportet në moshë të hershme të sjella tek të vegjlit  në formë loje.

 

Kujdes!!!

  • Lojrat duhet të jenë gjithmonë konform moshës së fëmijës. Të mos jenë, as shumë të gjata, as shumë të shkurtra, që fëmijëve të mos iu humbasë përqendrimi dhe dëshira për të luajtur.
  • Jepini fëmijës tuaj një shans për të luajtur vetëm, apo me të tjerë. Të dyja llojet e lojës janë të dobishme.
  • Duhet të jetë fëmija ai që zgjedh, se kë lojë do të luajë (ju vetëm sugjeroni) dhe drejtimin e lojës ta ketë gjithmonë ai.
  • Hiqni dorë nga stigma, se loja është element pa rëndësi në rritjen e fëmijëve. Ajo është hallka kryesore e një mirëzhvillimi kognitiv.
  • Asnjëherë mos hyni në proces edukimi pa i mësuar fëmijës se çfarë është loja.
  • Kini parasysh këshillën e Omerit (r.a). Dhe nëse doni një fëmijë produktiv në të ardhmen, atëherë në periudhën më decizive, fëmijërinë; Luani me ta!

 

 

 

Referencat:

*1. Toni Buzan – Truri i fëmijëve

*2. M. Shahini – Terapia e lojës

*3. A. Glen , J. Cousins – Loja dhe të nxënit në moshë të hershme

*4. V.Kurti – Autizmin e mësova nga ju

*5. www.objektivi.al

*6. www.tiranaobserver.al

  1. Tarelli – Fëmijëria dhe ndërhyrja e hershme

Bardhyl Musai – Psikologjia e zhvillimit të fëmijës

Ide dhe këshilla – www.idekeshilla.com

www.telegraf.com

www.mjekuim.com

www.prvite.s.mk