Ndjenja e përgjegjësisë

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 8 minuta lexim

Fehd El Amarij

 

Ne jemi një umet (popull) plot lavdi, histori, përparim, madhështi, nder dhe krenari. Jemi një umet që vazhdon të lindë burra fisnikë.

Ne jemi një umet që prijës e kemi të Dërguarin e Allahut ﷺ, ndërsa paraardhësit tanë janë sahabet, tabi’inët dhe dijetarët e Islamit.

I Dërguari ynë ﷺ dha shembujt më të shkëlqyer të ndjenjës së përgjegjësisë gjatë gjithë jetës së tij: në lidhjen e tij me Zotin, në marrëdhëniet e tij me familjen, në përgjegjësitë e tij për shtetin dhe në përmbushjen e misionit të tij – që ishte përgjegjësia më e madhe dhe më madhështore në jetën e tij. Ky ishte qëllimi më i lartë dhe synimi më sublim.

Ndjenja e përgjegjësisë duhet të jetë prezentë tek çdo person që mban një përgjegjësi rreth çështjeve të myslimanëve: udhëheqësit, mësuesit, imamët e xhamive, gjyqtarët, hetuesit, mjekët, forcat e sigurisë, inxhinierët, punëtorët, të punësuarit, thirrësit në fe, si dhe tek të gjithë ata që ushtrojnë zanate dhe profesione.

Prindërit gjithashtu duhet të ndiejnë përgjegjësinë për familjen e tyre, për edukimin dhe përgatitjen e tyre, për umetin dhe të atdheut të tyre, Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kushdo nga ju është bari dhe secili prej jush është përgjegjës për kopenë e tij”.

Ndjenja e përgjegjësisë duhet të jetë edhe tek ata që kanë fituar dije, që ta përçojnë këtë fe me udhëzim, mençuri dhe urtësi, pa shkaktuar përçarje, kaos dhe devijime që synojnë të shtrembërojnë dhe ndryshojnë fenë, duke përçarë myslimanët, duke derdhur gjak dhe nxitur trazira e mosmarrëveshje, si dhe duke sulmuar dijetarët.

Ndjenja e përgjegjësisë buron nga qartësia e qëllimit, frika dhe ndërgjegjja për Allahun, sinqeriteti në fjalë dhe veprim, mbrojtja e të drejtave të njerëzve, ndihma për nevojtarët dhe të drejtat e të shtypurve, si dhe ndalimi i padrejtësisë; ruajtja e vëllazërisë islame, moralet islame, pasuritë e muslimanëve, atdheun dhe sigurinë e tyre.

Ai që ka ndjenjë përgjegjësie përballet me rrjedhën e vazhdueshme të veprave të mira, bamirësive dhe lutjeve, dhe gjithashtu gëzon ndihmën dhe mbështetjen e Allahut. Allahu është me robin përderisa robi ndihmon vëllanë e tij. Bamirësitë mbrojnë nga të këqijat. Ata që ndiejnë përgjegjësi janë vërtetë të lumturit dhe të suksesshmit, edhe nëse lodhen gjatë këtij rrugëtimi.

Ata shpërblehen për ndjenjën e përgjegjësisë, mendimin, shqetësimin dhe lodhjen e tyre. I Dërguari ﷺ ka thënë: “Çfarëdo që ta godasë myslimanin – nga lodhja, sëmundja, brenga, mërzia, dhimbja apo pikëllimi, madje edhe një gjemb që e ther, Allahu ia shlyen me këtë disa nga mëkatet e tij” (Muslim). Disa prej të parëve kanë thënë: “Ka disa mëkate që nuk i shlyhen veçse shqetësimi për familjen.”

Ai shpërblehet sa herë që është i sinqertë me Allahun dhe punon për Allahun, duke e kthyer syrin dhe zemrën e tij drejt qëllimit përfundimtar – shpëtimit në botën tjetër. Asgjë nuk është më e rëndësishme për të sesa feja e tij dhe takimi me Allahun.

Duhet pasur shumë kujdes nga humbja e përgjegjësisë, moskokëçarja, përtacia dhe padrejtësia, sepse padrejtësia është errësirë në Ditën e Gjykimit. Dëgjoje këtë ndjenjë të përgjegjësisë në përçimin e kësaj feje: Në librat e historisë përmendet se Kurejshët i kërkuan Ebu Talibit që t’i fliste të Dërguarit të Allahut ﷺ që të hiqte dorë nga kjo fe dhe thirrja për të. Kur Ebu Talibi ia përmendi këtë kërkesë të Dërguarit ﷺ, ai tha: “O xhaxhai im, pasha Allahun, edhe nëse do të vendosnin diellin në dorën time të djathtë dhe hënën në dorën e majtë që të heq dorë nga kjo çështje – derisa Allahu ta shfaqë ose unë të humbasë në këtë rrugë –, nuk do të heq dorë prej saj.” Pastaj, ai u prek thellë, qau dhe u largua. Kur po largohej, Ebu Talibi e thirri përsëri. Kur i Dërguari ﷺ u kthye, Ebu Talibi i tha: “Shko, o biri i vëllait tim, dhe thuaj çfarë të duash, pasha Allahun, kurrë nuk do të të dorëzoj për asgjë.” Kjo përforcohet nga një transmetim tjetër ku i Dërguari ﷺ thotë: “Unë nuk jam më në gjendje të lë këtë mision, ashtu siç nuk mundeni ju ta ndizni diellin për mua.”

Si pasojë e ndjenjës së përgjegjësisë vijnë sukseset dhe arritjet, vendosja e drejtësisë dhe barazisë, kapërcimi i sfidave dhe pengesave, dhe arritja e qetësisë dhe sigurisë (Nxitoni, garoni, dhe përpiquni të tejkaloni njëri-tjetrin).

Si pasojë e ndjenjës së përgjegjësisë: përhapet dija dhe zvogëlohet injoranca, epshet nuk e nxisin më trupin dhe dyshimet nuk ndikojnë në zemra dhe mendje. Gabimet dhe dëshirat personale zbehen, dhe këshillat pranohen me gatishmëri… “Përçoni prej meje qoftë edhe një ajet”… (Mos u dorëzoni, mos u trishtoni, mos u bëni përtacë, dhe mos u pikëlloni).

Si pasojë e ndjenjës së përgjegjësisë, çdo person që ka një mision mbetet i përkushtuar ndaj tij, dhe çdo roje që mbron një llogore mbetet vigjilent në të gjitha fushat. Ai gjen ngushëllim në fjalën e Profetit ﷺ: “Mos u largoni nga pozicionet tuaja”. Kjo thënie kumbon në veshët, zemrën dhe ndjenjat e tij, që të jetë ndër ata të cilët janë zgjedhur për të mbartur mesazhin e qartë, udhëzimin e të dërguarit më të madh dhe për të mbjellë këtë fe në zemrat e myslimanëve.

Prandaj, hidhu në rrugën e dijetarëve që të kanë paraprirë në këtë rrugë të ndershme hapi zemrat e njerëzve që ata të udhëzohen, dhe mbështetu tek Zoti yt dhe kërko mbrojtje nga Ai.

O ju prindër! Një nga arsyet e zgjidhjes së shumë problemeve brenda familjes është edukimi i tyre për të mbajtur përgjegjësi. Nga ndjenja e përgjegjësisë dalin burra, heronj, të mençur, fisnikë, udhëheqës dhe njerëz aktivë në shoqërinë e tyre, për fenë, umetin dhe atdheun e tyre.

O ju gjeneratë dhe të rinj! Kombet dhe atdheu janë ndërtuar mbi supet e të rinjve, dhe feja është vendosur dhe përhapur mbi përpjekjet e të rinjve, siç ishin Mus’abi, Aliu, Zejdi, Ibn Abbasi, Ibën Umeri, Talha dhe Zubejri.

Shokët e Pejgamberit Muhamed ﷺ, ishin të rinj mendjemprehtë.