Ulvi Fejzullahu
Çelësi i përmirësimit të shoqërisë dhe familjes
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Atë e falënderojmë, prej Tij kërkojmë ndihmë dhe falje. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, dhe se Muhammedi ﷺ është rob dhe i Dërguar i Tij.
Allahu i Madhëruar na mëson se ndryshimi i gjendjes së një populli nuk ndodh nga jashtë, por fillon nga vetë individi: “Vërtet Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë atë që kanë në vetvete.” (Ra’d: 11)
Kjo do të thotë se pa mëshirë, dashuri e dhembshuri mes tyre, njerëzit nuk mund të mbështesin njëri-tjetrin, as të kryejnë detyra madhore si: thirrja tek Allahu, urdhërimi për të mirë, ndalimi nga e keqja, thellimi në dije fetare, përhapja e së mirës dhe bashkëpunimi. Këto realizohen vetëm kur shoqëria është si një trup i vetëm, një zemër e bashkuar.
Çdo njeri ka rol dhe ndikim në shoqëri, edhe nëse mendon të kundërtën. Allahu thotë: “Dhe të gjithë do të vijnë tek Ai Ditën e Kiametit të vetëm.” (Merjem: 95)
Ditën e Kiametit secili do të japë llogari individualisht, pa ndërmjetës mes tij dhe Allahut. Prandaj ndryshimi i shoqërisë dhe i umetit nis nga ndryshimi i individëve, e më pas përmirësohet edhe mjedisi ku ata jetojnë. E njëjta gjë vlen për familjen. Shumë prindër ankohen: “Fëmijët na devijuan, u rebeluan…” Mirëpo, para se të fajësojnë shkollën, rrugën ose të tjerët, duhet të pyesin vetveten:
- A janë vetë të drejtë dhe të qëndrueshëm?
- A kanë frikë ndaj Allahut?
- A japin edukim të drejtë?
- A janë shembull i mirë për fëmijët e tyre?
Kjo është thelbësore, sepse shpesh rregullimi i fëmijëve lidhet drejtpërdrejt me rregullimin e prindërve. Siç thotë Allahu për jetimët:“…dhe babai i tyre ka qenë njeri i mirë.” (Kehf: 82)
O Allah, na bëj prej atyre që dëgjojnë fjalën dhe ndjekin më të mirën. Mos na bëj prej atyre që e humbin mundin e tyre duke menduar se bëjnë mirë.
O Allah, përmirësoje veten tonë, përmirëso familjet tona, përmirëso djemtë dhe vajzat tona, dhe na bëj shembull të mirë për të tjerët.
O Allah, na bëj çelësa të së mirës dhe pengues të së keqes, bashko zemrat tona në bindjen dhe dashurinë Tënde.
O Allah, ndrysho gjendjen tonë në gjendjen më të mirë, na fal neve, prindërit tanë dhe të gjithë muslimanët e muslimanet, të gjallë e të vdekur.
O Allah, dërgo paqen dhe bekimet e tua mbi Pejgamberin Muhamedin, familjen dhe shokët e tij.