Nevoja e Certifikimit Hallall

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 21 minuta lexim

ilma

Nevoja e Certifikimit Hallall

Të ushqehesh hallall duke përmbushur disa kërkesa të besimit islam karshi ushqimit është një obligim fetar, të cilin e njohin pothuajse të gjithë muslimanët, madje dhe shumë prej jomuslimanëve. Besimtarët muslimanë përbëjnë sot në botë rreth një të gjashtën e banorëve të saj dhe nisur nga ky realitet kërkesa dhe oferta për produkte hallall është tepër e madhe.

Për të siguruar garancinë se produktet hallall plotësojnë të gjitha kriteret islame për të qenë të tilla, si dhe për të mbyllur hapësirën e abuzimit ndaj konsumatorëve që kërkojnë këto produkte ushqimore, në vende të ndryshme të botës islame dhe joislame janë ngritur institucione certifikimi, shtetërore dhe joshtetërore, të cilat kryejnë rolin e garantit në mes prodhuesit të një produkti për të cilin ai pretendon se është hallall dhe konsumatorit që është i interesuar për këtë produkt.

Tashmë certifikimi hallall është një praktikë botërore dhe në disa shtete muslimane ai kryhet nga vetë shteti, por edhe në disa shtete jomuslimane shteti ndihmon në aplikimin e këtij standardi, që edhe pse shihet si standard privat, ai nuk lejon abuzimin me të nga palë të tjera që mund të përdorin emërtimin hallall ndërkohë që ata nuk e plotësojnë këtë standard.

Në vendin tonë deri më sot duke mos pasur për një kohë të gjatë një institucion të tillë çdo produkt ushqimor që pretendon se është hallall ka qenë dhe është akoma objekt i lirë i vetë deklarimit hallall nga subjektet prodhuese. Edhe pse kjo praktikë ka funksionuar deri më sot, ajo mbetet një praktikë e papranueshme sot për standardet e hallallit. Duke qenë se tregu i produkteve hallall është shumë i madh kjo ka bërë që të futen në të edhe prodhues jo të sinqertë, të cilët duke përfituar nga mos mbikëqyrja mbi kriteret islame të hallallit, abuzojnë duke pretenduar se ofrojnë produkte hallall, pasi për të nuk ka një kontroll dhe abuzuesi e ndjen veten të “lirë” të deklarojë çfarë i intereson. Veç tyre ka edhe të tjerë që janë të sinqertë në punën e tyre, por shpesh duke mos njohur çdo detaj që kërkohet për një produkt ushqimor që të quhet hallall dhe ndonjëherë edhe duke neglizhuar, mund të tregtojnë shpesh produkte që nuk përmbushin të gjitha kriteret që duhen për të garantuar një produkt hallall.

Pikërisht për të zgjidhur këtë problem edhe këtu në Shqipëri, pas një përpjekje disa vjeçare, Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë (LHSH) ka vendosur një standard hallall, i cili mbështetet në standarde bashkëkohore që përdoren në botë në këtë drejtim. Në mënyrë që kjo praktikë të jetë sa më efektive LHSH ka vendosur nën mbrojtje ligjore certifikimin dhe logon e saj si dhe ka nënshkruar një akt-marrëveshje, me të gjitha elementët e domosdoshëm, me një trup serioze ushqimore inspektimi, ALBINSPEKT, e cila do të zbatojë certifikimin hallall në emër të LHSH.

Certifikimi hallall është një proces i natyrshëm dhe i domosdoshëm, për kohën dhe vendin ku jetojmë, për të gjithë ata prodhues dhe kompani, të vegjël ose të mëdhenj që kërkojnë të jenë seriozë në tregtimin e produkteve hallall si dhe t’i thonë ndal abuzimit në këtë drejtim.

Për ta ilustruar rëndësinë e certifikimit hallall po japim një shembull:

Dihet që sallami është një nga produktet më të kërkuar dhe konsumuar nga të gjithë. Por që ky produkt të jetë hallall duhet që çdo përbërës i tij të jetë i tillë, përndryshe ai nuk mund të quhet më hallall. Por, nga se përbëhet sallami? Në mënyrë të përgjithshme sallami përbëhet nga mishi, shtesat ushqimore, ngjyrues, erëza, dhe këllëfi mbështjellës. Natyrisht ka edhe elementë të tjerë dhe kjo në varësi të formulës që përdoret për çdo rast. Që sallami të quhet hallall duhet që së pari mishi i përdorur në të, të jetë hallall, pra të mos jetë mish derri, kafshe të ngordhur, apo kafshe që nuk lejohet konsumimi i saj si dhe të plotësojë të gjitha kriteret e tjera islame gjatë therjes së saj. Shtesat ushqimore janë elementë kryesisht me origjinë shtazore, të cilat i japin shije të veçantë produktit, thithin ujë etj. Duke qenë produkte me origjinë shtazore të përpunuara atëherë në këtë rast duhet të dihet me detaje, në mënyrë të sigurt, se kjo lëndë nuk përmban asgjë të ndaluar fetarisht në të, si xhelatinë me orgjinë derri etj, që mund t’i jetë futur gjatë prodhimit ose përpunimit të saj. E njëjta gjë vlen edhe për erëzat dhe ngjyruesit, të cilat nëse janë me burim bimor duhet të garantojnë që në përbërjen e tyre nuk ka pasur papastërti, e që fetarisht cilësohen si të tilla. Kjo vlen edhe për cipën me të cilën vishet sallami i cili mund të jetë ose natyral, si p.sh, cipa e zorrëve të kafshëve ose artificial. Në të gjitha rastet ajo duhet të garantohet se nuk vjen nga një origjinë haram apo gjatë prodhimit të saj është përdorur një element i tillë. Veç kësaj, që sallami të jetë hallall, në veçanti për ata që prodhojnë edhe produkte johallall, duhet që ai të jetë prodhuar në kushte të tilla garancie që japin siguri të plotë të mos përzierjes dhe pastërtisë së produktit hallall. Të gjitha këto rregulla vlejnë për çdo produkt hallall, natyrisht kërkesat ndryshojnë në varësi të produktit; sa më i komplikuar dhe i përbërë të jetë ai aq edhe më tepër kërkohet për të garantuar standardin hallall.

Pyetjet më të rëndësishme rreth standardit

1.Nëse një prodhues nuk certifikohet sipas standardit hallall a është ai haram?

Certifikimi nuk merr përsipër të thotë cili produkteve në treg është haram, por ai garanton konsumatorin se produkti i certifikuar është hallall, ndaj dhe ai mund të jetë i sigurt për ta blerë atë pa frikë.
Veç kësaj duhet të shtojmë se një subjekt që pretendon se prodhon hallall dhe gjithë fitimin apo një pjesë të mirë të tij e ka ngritur mbi emrin e hallallit është më se normale dhe madje domosdoshmëri morale që t’i japë një vlerë shtesë atij dhe këtë vlerë ia jep certifikimi, që hyn garant në mes konsumatorit dhe prodhuesit. Sot vetëdeklarimi hallall është një praktikë joserioze dhe i lë shteg abuzimit dhe u hap rrugën atyre subjekteve që nuk janë të sinqertë në vetëdeklarimin e tyre.

2. Çfarë ndodhë nëse dikush abuzon me logon hallall të LHSH dhe e përdor atë për të shitur mallin e tij, ndërkohë që ai nuk është certifikuar nga trupa përkatëse e LHSH?

Një subjekt i tillë, kur konstatohet, denoncohet dhe bëhet objekt i ndjekjes penale, sepse logo hallall e LHSH, që simbolizon garancinë e standardit hallall, mbrohet me ligj. Kjo gjë vlen edhe për ato subjekte të cilat mund të kenë qenë më parë të certifikuar, por që ky certifikim u është hequr.

3. A mjafton vetëm logo hallall e LHSH mbi një produkt për të garantuar se produkti është hallall?

Logo është vetëm njëri element, veç saj është edhe dëshmia shkrimore e certifikimit, me datë firmë dhe vulë të trupës së Inspektimit dhe LHSH, të cilin subjekti prodhues është i detyruar ta reklamojë në lokalin e shitjes së tij dhe çdo filial tjetër të tij shitës, si dhe të shoqërojë me të çdo sasi produkti që ai ia shet me shumicë një subjekti tjetër për t’ia tregtuar konsumatorit. Përveç kësaj LHSH dhe ALBINSPEKT bëjnë publikimin dhe përditësimin e çdo subjekti të certifikuar në faqet e tyre zyrtare.

4. Ka njerëz të cilët kërkojnë një garanci 100 % se produkti është hallall, a e garanton standardi këtë gjë?

Së pari, duhet thënë se të gjitha dispozitat fetare, por jo vetëm, çfarëdo qofshin ato, ndërtohen mbi sigurinë maksimale njerëzore dhe jo mbi atë hyjnore. Garancinë absolute për diçka e jep vetëm Zoti dhe jo njerëzit, sepse një sistem sado i përsosur të jetë ai, ai zbatohet nga njerëzit dhe si i tillë praktikisht gjithmonë ka hapësira për mangësi, por duke qenë se të tilla janë tepër të rralla, njerëzit janë të detyruar ta ndërtojnë jetën e tyre dhe dispozitat e tyre mbi atë që në gjuhën fetare që quhet galibudhan, pra mbi sigurinë dhe besimin maksimal njerëzor dhe jo mbi atë absolut, sepse absolutja mund të jetë vetëm bindje individuale, por jo kolektive. Po japim një shembull për ilustrim: dihet që namazi si kusht të tij ka abdesin dhe se ai nuk i pranohet atij personi që falet pa abdes. Tani pyetja që lind këtu mund të jetë kush na siguron ne se imami pas të cilit falemi ka abdes? Nëse dikush mund të jetë i sigurt 100% për veten, kjo nuk vlen edhe për imamin, pasi jo çdo kush mund ta ketë parë atë kur ka marrë abdes, por edhe nëse është parë, kjo nuk na jep 100 % siguri se ai nuk e ka prishur atë. Mirëpo në këtë rast është siguria maksimale që buron nga besimi se imami në fjalë e ka plotësuar këtë kusht, ajo që na bën të falemi pas tij pas asnjë siklet. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për rastin e dëshmisë për një krim në gjykatë, për të cilin mund të dëshmojnë dy dëshmitarë, që njihen për njerëz të sinqertë. Gjykatësi në këtë rast nuk ka garanci 100 % se krimi ka ndodhur, sepse ai nuk e ka parë vetë atë, por ai do të mbështetet mbi këtë dëshmi për të dhënë gjykimin e tij dhe është më se korrekt edhe para ligjit edhe para Zotit.
Një praktikë e tillë është normë me të cilën çdo njeri në këtë botë ndërton marrëdhëniet e tij me njerëzit e tjerë në çdo moment të jetës. E nëse kjo aplikohet për gjëra shumë të rëndësishme siç është namazi apo jeta e njeriut, atëherë e njëjta gjë vlen edhe për standardin e ushqimit hallall.
Së dyti, kërkesa për siguri absolute, vjen ose nga njerëz me vesvese ose nga njerëz të cilët harrojnë ose nuk i njohin mirë dispozitat e fesë. Madje me shembujt që dhamë më sipër tregojnë se ata pa e kuptuar kërkojnë diçka të pamundur njerëzore. Kështu që nuk ka pse të ketë pyetje të tilla, sepse procesi i certifikimit të zbatimit të standardit hallall funksionon në të njëjtën mënyrë.
Së treti, një pyetje do t’iu drejtonim të gjithë atyre që bëjnë një pyetje të tillë: A keni vërtetë garanci 100 % se ato që ju konsumoni si hallall, duke përfshirë bukën, ëmbëlsirat etj. janë vërtetë absolutisht të tilla? Nëse përgjigja e logjikshme është se jo, siç e shpjeguam edhe më sipër, atëherë e njëjta përgjigje vlen edhe në rastin për të cilin por flasim.
Gjithsesi, standardi është objekt përmirësimi në çdo vend të botës dhe vazhdimisht bëhen përditësime dhe përmirësime për të garantuar maksimalisht se ai zbatohet në mënyrë rigoroze nga subjektet prodhuese dhe tregtare të produkteve ushqimore hallall.

5. Cilat janë arsyet që subjektet prodhuese që tregtojnë produkte hallall ose pretendojnë këtë gjë nuk certifikohen për të?

Arsyet janë të shumta, por së pari duhet thënë se certifikimi në vendin tonë edhe pse ka kohë që është bërë një domosdoshmëri ai është në fillimet e tij. Disa subjekte jemi të bindur se janë të interesuar, por ata akoma nuk janë të informuar se diçka e tillë ekziston tashmë në Shqipëri. Disa të tjerë tashmë e kanë ngritur një aktivitet të tillë mbi besueshmërinë që ka klientela e tyre dhe nuk e ndjejnë të nevojshme këtë certifikim, pasi tashmë ata e kanë të sigurt shitjen e produktit të tyre. Ndërsa disa të tjerë sigurohen se produkti sallamit p.sh. që prodhojnë ose tregtojnë ka marrë pëlqimin e këtij apo atij hoxhe duke mos ditur qe vetë hoxha nuk ka kontrolluar asnjëherë origjinën e të gjitha përmbajtjeve të sallamit në detaje siç sqaruam më lart. Natyrisht ka edhe të tjerë të cilët mendojnë se kjo ka një kosto financiare të lartë, gjë që nuk është aspak e vërtetë, ndaj dhe stepen. Por, ka edhe të tillë të cilët nuk “rrezikojnë” të kërkojnë certifikimin hallall, sepse ose janë të vetëdijshëm se ata nuk i plotësojnë kërkesat e standardit hallall, dhe abuzojnë në treg me këtë vetëdeklarim ose kanë frikë se nuk i arrijnë dot ato edhe pse do ta dëshironin diçka të tillë. Natyrisht mund të ketë edhe shkaqe të tjera, ndaj është detyrim moral nga të gjithë muslimanët në këtë vend që të kontribuojnë në disiplinimin e këtij fenomeni duke nxitur prodhuesit të certifikojnë produktet e tyre, sepse kjo mbi të gjitha është në interes të vetë konsumatorëve.

6. A ka certifikimi hallall një kosto të lartë financiare për prodhuesit?

Së pari duhet thënë se procesi i certifikimit është një shërbim që ka koston e tij financiare, ndaj dhe ai nuk mund të ofrohet falas, ne nuk e kemi këtë mundësi dhe gjithkund funksionon si i tillë.
Së dyti, pagesa që bëhet nga subjekti që certifikohet varet nga koha që harxhon trupa e inspektimit për çdo subjekt më vete. Kështu që sa më i madh dhe i komplikuar procesi i certifikimit aq më tepër ai do të paguajë për të. Por, natyrisht e gjithë kjo kosto është më se përballueshme nga çdo subjekt dhe në ndonjë rast ajo për subjekte të vogla që kërkojnë shumë pak punë, si p.sh. kasapë, mund të jetë edhe diçka minimale, ndërkohë që përfitimi në terma financiarë i subjektit që certifikohet është shumë i madh, sepse i rrit atij shitjet si dhe i shton dhe garanton klientelën.
Së treti, procesi i certifikimit nuk është një biznes i mirëfilltë fitimi, por një shërbim komunitar, i cili në radhë të parë vë interesin e konsumatorit dhe jo atë të vetin, kështu që ai thjesht paguhet për lodhjen dhe punën që bën. Procesi i certifikimit mbi të gjitha është një përgjegjësi dhe amanet para Zotit e më pas para njerëzve dhe si i tillë ai synon mbi të gjitha shpërblimin e Zotit dhe jo fitimin e kësaj bote. Por gjithsesi nuk është aspak haram, përkundrazi që krahas sevapit që merret me certifikimin, njerëzit të paguhen për mundin dhe lodhjen e tyre.
Gjithsesi, çdo subjekt që kërkon të certifikohet mund të aplikojë pranë trupës së Inspektimit ALBINSPEKT dhe të kërkojë më shumë informacion për këtë aspekt.

7. Kush mund të certifikohet?

Çdo subjekt tregtar prodhues ose jo, i cili hedh në treg një produkt ushqimor të cilin ai thotë se është hallall. Këtu mund t’ia nisim që nga kasapët e ndryshëm, piceritë, restorantet, pularitë, linjat e thertoreve, fabrikat apo punishtet e përpunimit të mishit dhe produkteve të tjera ushqimore ose edhe kozmetike. Pra çdo subjekt i cili biznesin e tij ose pjesë të tij i ka ngritur mbi një produkt për të cilin ka nevojë të deklarohet se në përbërjen e tij është hallall.

8. Certifikimi hallall a ka të bëjë edhe me cilësinë e produktit?

Cilësia e produktit natyrisht që varet edhe nga standardi hallall, por jo vetëm. Një produkt i certifikuar hallall ka një cilësi më të lartë se ai që nuk e ka këtë, sepse vetë kërkesat islame për hallallin i rrisin cilësinë produktit, por standardi hallall duke qenë se është një kërkesë fetare nuk merr përsipër të certifikojë aspekte të cilat lidhen me shijet apo të tjera elementë nuk kanë të bëjnë me të, por me institucione të tjerë që mund të jenë edhe shtetërore. Standardi hallall merret vetëm me verifikimin që produkti të mos ketë në të asnjë element që nga këndvështrimi islam konsiderohet haram. Natyrisht që këtu futen edhe përbërës që mund të jenë të dëmshëm për shëndetin, mirëpo kjo është subjekt kontrolli i shtetit së pari, por që natyrisht është edhe pjesë e punës së certifikimit hallall, por jo ekskluzive e tij.