Dëshmi nga e kaluara
Njerëz që e ruajtën fenë dhe besimin deri në fund të jetës!
Hoxhë Gentian Mara
Gjatë një ceremonie mortore në varrezat e Babrroit-Tiranë hasa dhe varrin e imamit të fundit të Xhamisë së Babrroit para ndalimit dhe mbylljes së fesë, çka më nxiti që të shkoja një ditë tjetër për t’i bërë një lutje tek varri, por dhe për të marë këtë foto nga pllaka e varrit të tij.
Hamdi Rrapi, lindi dhe u rrit ne fshatin Babrru-Tironë me 1930, në një familje me tradita.
Studimet ne Medresene e Tiranës i kreu me sukses më 1948, vit kur mori edhe detyrën si imam zyrtar në xhaminë e fshatit të tij e deri me 1967, kohë kur u ndaluan besimet dhe u shembën objektet e kulteve.
Ai shquhej për butësinë, mençurinë dhe qëndrueshmërinë e tij të rrallë. Personalisht e kam parë vetëm dy herë në jetën time, mirëpo akoma e ruaj imazhin e tij në memorien time si një burrë i gjatë, ezmer, serioz, por edhe shumë gojëëmbël. Familja e Hamdiut ishte një familje me prona, madje në atë kohë kishin edhe kullë (shtëpi dy katëshe që zakonisht e dispononin njerëzit e pasur). Nëse qëndron me njerëz të zonës që kanë lindur para viteve 80, e kupton angazhimin e Hamdiut si hoxhë në mësimin dhe edukimin e brezave.
Dashurinë që kishin për të njerëzit që e kanë njohur, e kam ndjerë që nga vitet 97-98, ku mezi prisja vaktin e namazit, që të mos kishte ndonjë që ta thërriste ezanin në xhami që ta thërrisja unë, dhe kur takoja njerëzit e moshuar më thonin: -Na shkove mallin e xha Hamdiut, edhe ai e ka patur zërin si bilbil, që ta rrënqethte mishin (me këtë dëshiroj të tregoj dashurinë e njerëzve për të në mënyrën e krahasimit dhe jo se kam zë të bukur, gjithsesi këto janë dhuratë prej Zotit).
Në mbylljen e Xhamisë së Babrroit, xhami e cila u shndërrua në shkollë nga sistemi komunist, themelet e së cilës gjenden dhe sot e kësaj dite në pjesën veriore të varrezës së Babrroit, rreth 50 metra larg varrit të rahmetliut, ai qëndroi si një luan për t’i ndaluar nga diçka e tillë, duke i këshilluar se dënimi i Allahut do t’i kaplojë të gjithë ata që përpiqen t’i shkatërrojnë shtëpitë e Zotit apo heshtin ndaj një veprimi të tillë, por caktimi i Zotit do të shkonte në vendin e vet (këtë ma ka thënë një ndër vullnetarët e një nisme të tillë, të cilit Zoti elhamdulilah ia mundësoi të pendohet). Me ndalimin e fesë Hamdiu nuk u ndal së praktikuari dhe predikuari besimin në lagjen e tij. Ai njihet si një ndër ata njerëz që 5 kohët e namazit i falte kudo që të ishte. Më tregonte bashkëshortja e tij Gjyzja rahmet pastë (e cila ishte vajza e hallës se gjyshit tim), se muajin e Ramazanit e merrte pushim pa të drejtë rroge, ku e kalonte tërë ditën i mbyllur në katin e dytë të kullës së tij, duke kënduar Kuran dhe duke u falur. Edhepse i shkolluar regjimi komunist pasi i konfiskoi pronat e tij, si gjithë të tjerëve, Hamdiun e punësoi me punë të ndryshme të rëndomta, ndër to edhe roje vreshti, por Hamdiu edhe aty tregoi devotshmërinë e tij. Në shumë raste e kishin pyetur kalimtarë të ndryshëm, nëse ishte i ëmbël rrushi? Ai iu përgjigjej me plot gojën:
-Për Zotin s’e kam provu, se unë paguhem për ta ruajtur dhe jo për ta ngrënë.- Pyetësi vazhdonte:
-Po s’ka gjë o xha Hamdi, se ky rrush është mbjellur në tokën tënde (pasi pjesa ku po ruante ishte pjesë e tokës së tij).- Por hoxha kish tregu asketizmin dhe devotshmërinë e tij duke thënë:
-Po mor vlla në tokën time është mbjellur, por mua ma kanë marrë pa pemë dhe e kanë mbjellur, Zoti nuk na mëson që padrejtësinë ta kthejmë me padrejtesi.
Ai ishte baba i gjashtë fëmijëve, 5 vajzave dhe një djali, por kjo nuk e pengonte që t’i rriste ata me ushqim hallall dhe t’i edukonte me edukatë fetare.
Më tregon një prej vajzave të rahmetliut: Kisha marë nja 3-4 kokrra hurma farë-zeza për motrën e vogël, dhe kur u ktheva në aksham në shtëpi desha t’ia jap, por aty qëlloi im atë, i cili më pyeti:
-Ku i ke marrë ato?
-Në x parcelë ku po punoja sot,- i thashë unë.
-Shko dhe ktheji atje ku i ke marrë, se baba jam zotu të mos ju ushqej me haram,- dhe më detyroi që t’i ktheja po atë natë duke më thënë: -Unë nuk pranoj, që në shtëpinë time të jem i shoqëruar nga harami me dijeninë time qoftë edhe për një natë.
Edhepse feja ishte e ndaluar Hamdiu nuk pranonte të heshtte, kur në prezencë të tij propagandohej ateizmi dhe mohimi i Zotit. Erdhi një kohë kur një ekonomist i sektorit bujqësor, kërkonte një llogaritar i cili nuk vidhte. Nje shok i tij i thotë: -Unë e njoh njërin edhe po ta flakësh në grumbullin e florinjve nuk të vjedh, por e ka një të metë.
-Cila është e meta e tij?- i thotë ai.
-Ai ka mbaruar medresenë për hoxhë edhe sot e kësaj dite falet pesë herë në ditë.
-Mjafton që të mos vjedhë pa le të mbyllë derën e zyrës e të falet këtu. (Këtë ma tregonte e shoqja, ndërkohë që shfletoja bibliotekën e tij modeste, pasi vërejta blloqet me kopjet e faturave dhe mandateve, por e kam dëgjuar edhe nga njerëz të tjerë zyrtarë në atë kohë). Kishte një shkrim të pastër, dhe më bëri përshtypje se hytbet e mbajtura nga ana e tij ishin të shënuara me data, muaj dhe vit, ku shkruheshin dhe pikat kryesore të hutbes. Ai iu fliste njerëzve për besimin në Zot, për hallallin dhe haramin, madje i njoftonte dhe për hënën e Ramazanit, kohën e syfyrit dhe të iftarit, dhe për këtë mjafton të bisedosh me njerëz mbi dyzet vjeç, që kanë banuar në lagjen e tij dhe të thonë: “Kështu na ka pas thënë dhe xha Hamdiu rahmet pastë,”- si të ishte xhaxha i të gjithëve çka të jep përshtypjen se ishte tepër miqësor dhe i afrueshëm me njerëzit.
Arsyeja që më shtyu të shkruaj për të tani në këtë kohë është se në vitin 2001 ose 2002, bashkëshortja e tij e moshuar do të transferohej me shtëpi diku tjetër, pasi e kishin shitur kullën, dhe Hamdiu kish pas lënë një amanet: “Nëse e shisni shtëpinë librat dhe Kuranin m’i mbyllni në mure, se s’dua t’i prekin njerëz të papastër”. Ai kishte një dollap brenda mureve të trasha, dhe këtë e kish thënë pas vitit 1991, kur u lejua feja dhe e gjeti Hamdiun të sëmurë në regjim shtrati, dhe akoma s’e besonte që feja u lejua plotësisht. Të gjetur në dilemë familjarët më pyesnin mua fetarisht, se ç’duhet të bënin me amanetin e tij. Duke menduar rreth arsyes së amanetit të tij ju thashë: -Po të ishte gjallë në këto kohë, nuk do ta lejonte dhe as nuk do ta linte amanet diçka të tillë, ndaj merrini librat dhe shkrimet dhe përfitoni prej tyre, e në të kundërt jepjani dikujt që përfiton prej tyre. Në mesin e librave kishte libra me nënshkrimin e H. Ibrahim Dalliut. Në ditët e fundit të jetës, i shtrirë në shtratin e vdekjes hoxha mbeti edhe pa gojë, në pamundësi komunikimi dhe në pamundësi për të marrë abdes, ai i fërkonte duart për muri (pasi ishte suva balte) dhe në atë gjendje ishte falur. Këtë ma kanë thënë disa njerëz që kanë qenë prezent në agoninë e vdekjes së tij, të cilët mendonin se e kish humbur logjikën në ato çaste dhe se veprimet e tij ishin të pakonceptueshme, por pasi më treguan formën e veprimeve të tij në mënyrë të përpiktë, ju shpjegova se ai ka qenë duke marrë tejemum në pamundësi të marrjes së abdesit.
Pasi kishte marrë tejemum dhe kish falur vaktin, ia kish dorëzuar shpirtin Atij që ia kish dhënë më parë, si për të na e kujtuar fjalën e Zotit: “O ti shpirt i qetë, kthehu tek Zoti yt i kënaqur e i pranuar! Hyr te robërit e mi. Hyr në xhenetin Tim.” Fexhr 27-30.