Nji pasqyrë nga tragjedija e Çamërisë
Ç’na thotë nji imam nga qarku i Filatit.
Ishte ditë e hanë. Ndodheshim në sallën e Kryesisë së Komunitetit Musliman. Aty na erdhi nji hoxhë prej Çamrije, i quejtun Uzejr Dauti. Kishte qenë imam në nji nga katundet e Filatit. Kishte ardhur për të kërkuar punë dhe Kryesija e Komunitetit, pa humbë kohë, mori masat e duhura për me i bâ nji vend që kështu t’i pakësojë vuejtjen që kishte pësue.
E pyetëm mandej se ç’e kishte shtye me e lanë vendin e vet dhe me ardhë në Shqipëri të lirë? – Na u përgjegj me buzë të dredhur dhe me sy të përlotur mbi gjithë ato masakra që kishte parë me syt e tijpërtej kufirit disa kohë më parë kundër popullatës së pafajshme myslimane shqipëtare. Ësht për të theksuar se edhe tiparët e fytyrës së tij tregonin kjartë vuejtjet dhe terrorin që kishte shijuar nga monarko-fashistët Grekë. Ai i shprehte hollësisht episodat aqë sa na la të habitur e të tmeruar dhe na bëri sikur me e pá me sytë t’onë tragjedinë e kobëshme që kishte ndodhë në ato vende:
NË PARAMITHIË
“Një dite kriminelët Grekë Monarko-Fashistë e Kuislingë mblodhën gjithë meshkujt myslimanë 15 vjeçë e lartë në Shkollë të Paramithisë. Shkuan mandej të kërkojnë Myftinë e vendit, Hasan Efendinë për t’a bashkuar me të tjerët dhe e morën. Por kur duelën jashtë në vend që t’a shpinin në Shkollë, e vranë te dera e shtëpisë tue e çpuar me thika. E shoqja, me të ndëgjuar zhurmën, duel tue uluritë, por edhe kjo pësoi të njajtin fat. Së fundi duel e bija, tue qarë e tue bërtitë për të jatin e për të amën, por edhe këtë e shtrinë barbarisht për dhé. Këta janë klikat reaksionare greke të Megalidhesë, të cilat as kanë zënë as do të zënë mënd kurrë me gjith grushtet që kanë ngrënë kohë mbas kohe nga fqinjët e tyre më të mbëdhenj. Politika e tyre shoveniste ka qenë gjithmonë kundër elementit mysliman shqipëtar të Çamërisë deri sa tashti në kohët e fundit një pjesë të atij elementi e çfarosën fare dhe pjesën tjetër e përzunë prej vatravet të tyre.”
Imami i sipër përmendur vazhdon gjithënji tue dashtë me dhanë shpjegime më të gjëra:
“Para se t’i mblidhnin myslimanët shqipëtarë në Shkollë, nxorrën një tellall, i cili lajmëronte se e tërë popullata myslimane duhet të mblidhet medoemos në até vend. Ata vunë edhe një tellall tjetër i cili do të thërriste tue porositë grekët e vendit që të mos mshefin asnji mysliman se për ndryshe do të pushkatohet çdo njeri që bën një vepër të tillë. Urdhëri ishte kategorik. Mbasi e kryen mbledhjen j’a filluan bastisjes, plaçkitjes dhe kontrollit në çdo shtëpi. Hynin e dilnin grumbuj grumbuj nëpër shtëpira myslimane. S’lanë asnjë burrë mysliman pa zënë, me përjashtim të çilimijve e të grave. Më në fund j’a filluan thertores: disa i pushkatuen dhe të tjerët i therën me thika e me bajoneta. Fëmijët e gratë mbenë për një-a-dy muaj në Paramithië. Këtyre j’u epesh vetëm 50 gram bukë në ditë për çdo frymë. Më në fund i nxorrën jashtë Çamërisë tue i sjellë në Shqipërië. Monarko-Fashistët e kuislingët i vunë mandej zjarrin shtëpijave e faltoreve myslimane të qytetit dhe të katundeve.”
Kështu e shpjegon hoxha Thertoren e Paramithisë, tashti këthehet të na shpjegojë edhe mbi até të Filatit, e cila âsht edhe më fryksuese e tmerruese:
NË FILAT
“Një muaj mbas thertores së Paramithisë (vijon hoxha), filloi Thertorja e Filatit. Kur bisha Gjermane tërhiqej për në Gumenicë dhe prej këndej për në Filat e Konispol, një bishë tjetër monarko-Fashiste e kuislinge greke, pjellë e mësimeve të ndyra të Gestapo-s, po i vërsulej myslimanëve shqipëtarë, të cilët këtë herë, po i mbulonte kobi më i zi. Grekët e sipër përmendur përdorën edhe këtu sistemin e çfarosjes si në Paramithië. I mblodhën burrat myslimanë që të gjithë dhe i shpunë në Shtëpinë e Koçanit. Dy orë mbas akshamit i nxorrën prej andej dhe i shpunë te ura e Filatit, ku i pushkatuanë. Grave dhe fëmijëve, që i kishin mbledhë në shkollë të vendit, j’u caktuen 50 gramë bukë në ditë si atyre të Paramithisë. Pak më vonë i përzunë fare tue i nxjerrë jashtë kufirit për në Konispol.”
“Mbas një mueji në Filat hyri Eami (Forcat e armatosura komuniste greke.) dhe nxorri një komunikatë me të cilën lajmëronte që kush të dëshironte nga familjet e ikura mund të këthehet në Filat se nuk e gjen gjë. Me të marrë vesht këtë lajm, shumë familje u-këthyenë në Filat, në Spatar, në Kalibaq e në Vërselë. Por ushtërija e Eam-it nuk qëndroi shumë aty, ajo mbas pak ditësh shkoi në Janinë, tue lënë vetëm disa roje në Filat. Mbas këtij largimi të Eam-it u-futën në qytet Zervistët , të cilët lajmëruan popullsin myslimane të mblidhet në Mejdanllik të pusevet të Filatit. Asqerët burracakë të Zervës e rrethuan popullatën e pa mbrojtje të mbledhur n’até vend, e grabitën dhe e xhveshën si mos ma keq: i hoqën teshat, i morën yshqimet e kafshët e gjithçka kishin me vehte. Ata j’u hoqën grave pa pikë turpi edhe shamitë e këpucët tue i lënë kështu zbathur e xhveshur në një gjendje të vajtuarshme.”
“Disa tregëtarë grekë të Filatit i proponuan Zervës që t’j’a u dorëzonte atyre këta myslimanë Shqipëtarë për t’i shoqëruar deri sa t’i nxirrnin jasht kufirit. Por Zervistët e refuzuan kët proponim tue thënë se do t’i shpijshin vetë deri në kufi. Këtu fillon edhe një thertore tjetër që të bën me t’u-ngjethë mishi: Jashtë Filatit, në Vanër, Zervistët me shokë kishin zënë pusi në tre-a-katër vënde në të dy anët e një rruge të ngushtë tue lënë një distancë sa me kalue vetëm një person e jo dy për një herë. Myslimanët shqipëtarë filluen me kalue si kalojnë dhentë në shtrungë. Gjithë burrat u-kositën në sy të familjeve të tyre prej shpatës tradhëtare dhe se nuk shpëtuen veçse gratë e çilimijtë. Mbas kësaj vepre mizore, i vunë zjarrin xhamisë së famëshme të Filatit dhe shtëpive myslimane.”
Kështu e mbaroi fjalën e tij hoxha, të cilit memzi i kujtoheshin nga tmerri ngjarjet tragjike mbi shpinën e një populli krejt të pafajshëm.
Po. Kështu e zbatuen Grekët e Megalidhesë, Grekët Imperjalistë, planin e tyre çnjerëzor dhe tani në Çamërië nuk ekziston asnjë frymë frymë myslimani shqipëtar. Bijt e Shqipes kishin pasë fatin e zi të vuejnë në até vend prej sistemeve të një qeverimi nga më barbarët dhe më të egërit që ka eksistuar në kët shekull vetëm e vetëm pse ishin të Fesë Myslimane. Herë u çfarosën me mënyrat më terroristike, herë u përzunë prej vatravet të tyre dhe herë të tjera u këmbyen me Grekërit e Anadollit nën pretencën se ishin tyrq! Kjo luftë me metodë që j’u bëhej myslimanëve të atyre vendevet s’ka qenë tjetër veç luftës fetare sistematike që kanë ndjekur dhe që ndjekin edhe sot e kësaj dite regjimet greke antipopullore në Gadishullin Ballkanik.
Po a u-ndal me kaqë agresioni grek kundër kundër shqipëtarëvet? Jo. Grekët shovinistë të Megalidhesë s’janë ngopur ende. Ata kanë zënë t’i bien një avazi tjetër tashti në kohët e fundit. Ata kërkojnë të zbatojnë një fazë tjetër të politikës së tyre të vjetër. Ata, me planet djallëzore që ngrehin, aspirojnë për të shkëputur pjesë të tjera nga Shqipërija. Duan të ashtu quajturin Vorio-Epir i cili, si dihet, përbëhet prej krahinavet thjesht shqiptare. Këto krahina që ata i quajnë Vorio-Epir janë Korça e Gjirokastra, bijt heronj të të cilavet, pa dallim feje, ishin të parët në luftën gjigante që u-bë për të rifituar lirin e grabitur prej okupatorëvet Fashistë e Nazistë. Korça e Gjirokastra janë pra djepi i Shqipërisë e Shqiptarizmës, burimi ku shpërtheu e rrufeshme lufta e së drejtës kundër së shtrembtës.
Marrë nga Kultura Islame, maj-gusht 1945, fq. 73-75.
Disa të dhëna mbi masakrat në Çamëri 1944-1945
Më 27 qershor 1944 masakrimi i qytetit të Paramithisë. Mëngjesin e së martës, 500 zervistë hynë në qytet duke premtuar qetësi, paqe dhe dashuri, por pas dreke filloi masakra. Popullsia që shpëtoi largohet për në Filat dhe Konispol. (të masakruar në Paramithi, Margëllëç e katunde 800 burra, 230 gra e fëmijë, Pargë 130 burra)
Në gusht 1944, masakra në qytetin e Filatit dhe katundet. Popullsia largohet përfundimisht në shtator 1944, pas ngjarjeve të tmerrshme. (të masakruar në Filat e katunde 198 burra, 61 gra e fëmijë)
Shkurt 1945, një pjesë e popullsisë çame kthehet pas marrjes së zonës nën kontroll nga ELAS-i.
Më 13 shkurt 1945 bëhet marrëveshja e Varkizës midis EAM-it dhe qeverisë së Plastiras. ELAS-i në bazë të marrëveshjes dorëzon armët.
Në mars 1945- krahina e Filatit bie në duar të organeve të gjeneral Plastiras (Ushtria Kombëtare Greke). Këto organe bëjnë masakrimin e tretë. (të masakruar në Filat e katunde 142 burra, 59 gra e fëmijë)
Të humbur burra, gra e fëmijë 230.
(Masakra në Çamëri, Kastriot Dervishi, 55, Tiranë, fq. 75, 104.)
9 DHJETOR DITA NDËRKOMBËTARE KUNDËR GENOCIDIT
Më 9 dhjetor 1948 iu paraqit Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për nënshkrim dhe ratifikim “Konventa për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Genocidit”. Në këtë konventë janë përshkruar me hollësi ajo çka përbën genocid sipas rregullave ndërkombëtare të pranuara dhe të ratifikuara nga shtetet pjesëmarrëse të OKB-së dhe në bazë të të cilave Shqipëria është një nga shtetet nënshkruese. Kjo konventë ka hyrë në fuqi sipas të gjitha ligjeve ndërkombëtare më 12 janar 1951.
Shqiptarët në këtë shekull që shkoi kanë qenë një nga kombet më të dëmtuara nga sulmet e fqinjëve. Sulmet genocidale serbo-malazeze nga Lufta I Ballkanike e deri në mbarim të Luftës I Botërore i kushtuan më shumë se 200,000 të vrarë kryesisht nga popullsia muslimane. Spastrimet e popullsisë çame në jug të vendit, vrasjet masive dhe torturat e ndryshme. Këto vazhduan edhe në periudhën midis dy luftërave botërore e deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore. Popullsitë etnikisht të pastra shqiptare me shumicë muslimane dhe hoxhallarët e tyre u spastruan, u vranë dhe u larguan me forcw nga Greqia. Pak a shumë e njëjta politikë genocidale u ndoq nga shteti serb gjatë viteve 1998-1999 me popullsinë muslimane shqiptare të Kosovës. Kjo politikë solli ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar dhe Kosova sot ka arritur më së fundi të ketë shtetin e vet.