Njoftim publik

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 2 minuta lexim

Njoftim publik
Në përmbushje të statutit të Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë (LHSH), neni 14 dhe 16, ditën e shtunë me datën 22 qershor 2019 u zhvillua Asambleja e Përgjithshme e anëtarëve të LHSH për zgjedhjen anëtarëve të Këshillit të Përhershëm për një mandat katër vjeçar, si dhe për Kryetarin e ri të saj.
Në Asamble morën pjesë dhe votuan gjithsej 75 anëtarë, të cilët votuan në mënyrë të fshehtë për të zgjedhur pesëmbëdhjetë anëtarët e Këshillit të Përhershëm. Pas zgjedhjes së Këshillit të Përhershëm u zhvilluan zgjedhjet për kryetarin e ri të LHSH nga ky Këshill. Në garë qenë dy kandidatë Hoxhë Sokol Kondakçiu dhe Hoxhë Genc Plumbi. Dy kandidatët shpalosën në pika të shkurtra plan idenë e tyre për drejtimin e LHSH dhe pas kësaj u votuan në fshehtësi nga anëtarët e KP. Me shumicë votash fitoi kandidatura e Sokol Kondakçiut. Pas kësaj, siç parashikon statuti, kandidati që mori shumicën e votave të anëtarëve të KP, u hodh për miratim me votë të fshehtë në Asamble, ku edhe këtu ai mori shumicën dërmuese të votave të anëtarëve prezent.
Duke i uruar suksese Këshillit të Përhershëm dhe Kryetarit të ri të LHSH, e lusim Zotin e Madhërishëm t’iu japë atyre mbarësi dhe suksese në misionin e tyre fisnik.